rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Misioni i të tretit

Ku qëndron pushteti pas 23 qershorit?

Arbër Zaimi

LSI-ja që gjer në 1 prill mbajti në pushtet PD-në e Berishës, tash do të mbajë në pushtet PS-në e Ramës. PD-ja, dikur shkëmb graniti gjendet në momentin e vet më të dobët ç’prej kur ekziston. Po të krijonte dikush ndonjë vepër kinematografike mbi situatën në fjalë, skenari do të rezultonte i ngjashëm me atë të filmit “Yojimbo”, xhiruar në 1961 nga Akira Kurosawa. Regjizori, i famshëm për punën metikuloze me skenarët, tek “Yojimbo” përshkruan historinë e një qyteti të pllakosur nga një fatkeqësi e rëndomtë, dy klane rivale të fortësh e sundojnë krejt jetën e qytetit të vogël, diku në Japoninë e mesit të shek. XIX. Në shërbim të tyre klanet mbledhin njerëz të hurit e të litarit, ndërkohë që biznesmenët më të fëlliqur të qytetit bashkë me zyrtarët lokalë bëhen mbështetësit e tyre kryesorë. Terrori e bën të pamundur jetën për njerëzit e zakonshëm, kush mund emigron dhe ekonomia normale e qytetit, zejtaria, prodhimi, tregtia e vogël e fshatarët përreth mbyten prej haraçit. Familjet shkatërrohen, shthurja mbizotëron ndërkohë që aktivitetet që lulëzojnë janë bixhozi, mercenariati (të qenit truproja i ndonjë të pushtetshmi), prostitucioni dhe prodhimi i alkoolit. Dy klanet vazhdimisht luftojnë, dikur është njëri më i fortë e dikur tjetri. E urrejnë njëri-tjetrin për vdekje, jo se janë të ndryshëm, po se garojnë për të qenë i vetmi zot i qytezës së mjeruar. Deri këtu, filmi përshkruan jo pak Shqipëri nga ajo që njohim, dhe s’besoj se ka nevojë për legjendë shpjeguese.

Pikërisht në këtë moment shfaqet në qytet një ronin i quajtur Sanjuro (luajtur mrekullisht nga Toshiro Mifune), një samurai i papunë, që kërkon të regjistrohet diku si yojimbo (truprojë). Përmes aftësive luftarake, po edhe përmes mençurisë e dinakërisë, ai mbërrin të fitojë respektin e klaneve  dhe paguhet goxha shumë, një herë prej njërës, pastaj prej tjetrës palë. Përmes mashtrimit ai mbërrin t’i shtjerë në konflikte të panevojshme e të kota por gjakatare klanet rivale – e pas peripecive të ndryshme, ndër të cilat kuptohet që rrezikon dhe jetën e vet – mbërrin t’i zhdukë krejt klanet e të rikthejë normalitetin, një farë paqeje e një farë drejtësie në qytezë.

Skenari i Kurosawas ndoshta është më i njohur për publikun e gjerë në përshtatjen që ia ka bërë Sergio Leone, tek filmi “Për një grusht dollarë” (1964), film që përdor të njëjtin skenar, por i komercializuar e me deficiencë në përpunimin e skenave e të karaktereve, po ta krahasosh me kryeveprën “Yojimbo”.

Më erdhi për të qeshur kur e kapa veten duke menduar se Ilir Meta, apo LSI-ja, mund të jenë një farë paraleli i yojimbos të Kurosawas apo i americanos të Leones. Vërtet që mes peripecive Meta ia ka dalë të “paguhet” mirë nga PD e tash edhe më mirë nga PS, vërtet që ka ditur të “shërbejë” si te partia konservatore ashtu dhe te partia thirdwayiste që (së paku në kohë fushate) duket se janë në luftë gjakësore me njëra-tjetrën. Po ashtu dihet që i ka shtënë në konflikte nga më të kotat, ku ato palë kanë humbur herë njëra e herë tjetra. Opinionistët kanë shkruar se LSI ka qenë një nga arsyet kryesore të rrëgjimit e rrënimit të PD-së. Ndonjë talent i veprave fiction, dmth. i atyre veprave që janë trillim – por gjithsesi mund të ndodhin (ndërtohen mbi të mundshmen), do të mund të thoshte se po njësoj ekziston mundësia që LSI mund të jetë arsye e rrëgjimit të PS-së nesër-pasnesër.

Por unë nuk mundem të besoj gjer në fund te ky skenar. Edhe pse Meta e ka dëshmuar veten si aktor i mirë në role që kërkojnë “grushta me dollarë”, kam përshtypjen se ky i joni nuk është i njëjti film. Për arsye konvencionale regjizorët Kurosawa e Leone kanë vendosur në skenar një lloj misioni fisnik për heroin, që zëvendëson në analizë të fundit të ligën me të mirën. Po kjo nuk është domosdoshmëri, sepse në atë lojë strategjiko-taktike personazhi i tretë i cili zotëron (dhe ushtron) çdo aftësi për të vrarë, për të rrëmbyer e për të mashtruar, do të mund t’ia dilte fare mirë të shkatërronte dy të parët edhe pa qenë aspak fisnik. Do të mundej fare mirë të uzurponte qytetin, e të vepronte njëjtë si klanet e mëhershme. Ose ta bastiste edhe të ikte. Për sa kohë që banorët e qytezës gjatë të dyja filmave vazhdojnë të jenë të nënshtruar, mjeshtër të lepe-peqes që s’lodhen duke u poshtëruar, s’ka asnjë garanci që i treti do të sjellë ndonjë farë përparimi. Skenarët e filmave të përmendur e veshin me shpresë personin e tretë jo si ndonjë përfundim logjik, po vetëm sepse e dinë që publiku e dashuron shpresën e s’mundet pa të.

Sidoqoftë, filmit tonë i mungon regjizori (dhe kjo është gjë e mirë). Mendoj se në kohët tona një vend, qoftë ky i madh apo qoftë edhe vendth si ky yni, nuk mund të çlirohet nga thundra e pushtetit shtypës përveçse përmes përfshirjes së gjerë të interesave qytetare në politikë – që do të prodhonte të tretën e vërtetë – aufhebungun që lë pas kundërshtinë mes dy të parave. Heroi, vëllai i tretë qeros që mund Katallanin, është simbolikë që s’i përket të sotmes, por mesjetës…

E meqë ra fjala te mesjeta, është interesante të shohim përbërjen e parlamentit të ri. Si kurrë më parë, parlamenti është i stërmbushur me biznesmenë të profileve nga më të ndryshmet. Gjithnjë ka patur në parlament ish-policë, ish-truproja, ish-sportistë, ish-artistë, ka dhe ky. Ka dhe persona me histori penalë, analfabetë e lloj-lloj gjindi. Po kjo nuk është diçka e re. E reja është që numri i biznesmenëve në parlament është disafishuar (pjesërisht edhe falë rezultatit të LSI-së). Mos kemi të bëjmë me një njësim të pushtetit politik me atë ekonomik?

Mendoj se’s është kjo e reja, pasi pushteti ekonomik gjithnjë ka qenë i njësuar me pushtetin politik në Shqipërinë e 20 viteve të fundit, e kjo madje është edhe arsyeja e diferencimit të thellë mes klasave shoqërore, dhe e zhdukjes së shtresës së mesme. Por mbipopullimi i parlamentit me pronarë biznesesh e ka një kuptim të vetin. Pikërisht këtu qëndron sipas meje rëndësia e 23 qershorit. Pushteti i përqendruar në një dorë, atë që ka patur për 13 vjet Berisha e për 8 vjet Nano, sot nuk është më. Jo se është demokratizuar, jo se ka shkuar në duar të shumësisë popullore pushteti. Pushteti, tashmë de facto edhe de jure, ka shkuar në duart e biznesmenëve të mëdhenj. Kjo klasë e krijuar pikërisht prej Nanos e Berishës në këto 21 vjet duket se ka vendosur të ngrejë krye, e lodhur me haraçin që i paguhet kryeshefit. Bëmat e Nanos, që luante roulette me paratë e tyre e nuk i shihte as në fytyrë që t’i mbante mend, i përkasin të shkuarës. Po ashtu, i përket të shkuarës prostrimi ndaj familjes së Berishës dhe firmës së tij të avokatisë që ofronte mbrojtjen e detyrueshme. Biznesmenët kërkojnë liri dhe pushtet për veten e tyre, e me sa tregon rezultati, e morën. Kjo është ngjarje, nuk është diçka e vogël. Është hap historik, i ngjashëm me atë momentin mesjetar kur baronët anglezë ia kufizojnë pushtetin absolut mbretit përmes Magna Carta-s, jo që të lirojnë popullin, po që të përfshihen vetë.

Kjo gjë e shpjegon rrënimin e PD-së, që ishte streha e fundit e “absolutizmit” të kryetarit (se Nano ka rënë me kohë – edhe aty ka patur gisht Meta). Kjo shpjegon edhe rritjen e paparashikuar të LSI-së, një parti-korporatë, që pranon si aksioner cilindo biznesmen dhe që shpërblen me pushtet sipas kontributit në para. Te kjo parti mbruhet si ideologji anti-intelektualizmi, anti-ideologjia, dhe “pragmatizmi” që është emri i gabuar që i vendosin oportunizmit banal. Votat blihen për një grusht lekë, dhe bash kështu i duhet biznesit i cili është lodhur së qeni klient i pushtetit, e tash do të jetë pronar i pushtetit që njësohet përfundimisht me tregun.

Në vendin tonë aktualisht kemi tre parti të djathta, dy “të mëdha” dhe një “të mesme”. Prej të mëdhave, e djathta koservatore u dënua rëndë në zgjedhjet e fundit. Ajo tash do kërkojë të ringrihet, përmes opozitës së zakonshme akuzuese, përmes rimarrjes së nacionalizmit, dhe përmes investimit në struktura klanore e klienteliste. Partia tjetër e madhe, ajo që fitoi përfaqëson liberal-centristët, rrugën e tretë të nisur nga Clinton e Blair, që hodhën themelet për krizën strukturore përmes reformave neoliberale. Partia e mesme, kingmaker tashmë i palëkundshëm, mban anën e biznesit të madh. Ku është e majta? Sigurisht që s’mund të lindë as prej “intelektualizmit” të dikujt, as prej dogmatizmit po vetëm prej punës organizative e strukturore në terren. Por për të majtën duhet folur në një tjetër artikull.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: