rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Në politikat tregtare duhet të prijë arsyeja, jo doktrina e “lirisë”

Visar Ymeri

Është retorikë tashmë e stërpërdorur, që tregtia e lirë  është garant i zhvillimit ekonomik.  Ky postulat doktrinar, nga vetë doktrinarët ideologjikë, shihet si imun ndaj rrethanave. Pra sipas tyre tregtia e lirë është e mirë pavarësisht se ku ndodh dhe mes kujt ndodh. Me këtë nënkuptojnë se pavarësisht rrethanave të tjera, madje edhe pavarësisht bilancit tregtar mes vendeve, gjithsesi tregtia e lirë (e papenguar me tarifa e barriera të tjera jo-tarifore) në afatgjatë sjell përfitime.

Natyrisht që tregtia sjell përfitime. Nuk do të kishte tregti po të mos kishte përfitime nga tregtia. Kjo është e vërtetë sikur, ta themi, një aksiomë matematikore. Por pyetja kryesore këtu është nëse ky përfitim është i dyanshëm. Duke u nisur nga fakti se këmbimi është i pamundshëm nëse në të nuk janë të përfshirë së paku dy palë, atëherë problematizimi më i drejtë dhe më i saktë i vërtetësisë së kësaj aksiome është trajtimi i reciprocitetit (apo mungesës së tij) karshi përfitimit. Kush përfiton nga përfitimi që sjell tregtia?

Ekonomisti koreano jugor, aktualisht ligjerues në  Universitetin e Cambridge, Ha-Joon Chang, konsideron se tregtia e lirë (mes shteteve) dhe idea e përfitimit afatgjatë për të gjitha palët, përveçse mit, është edhe retorikë boshe e pazbatuar dhe madje e pazbatueshme. Nuk ka tregti tamam të lirë, përveç në disa raste të vendeve të varfra dhe të paindustrializuara, të cilat detyrohen nga jashtë që t’i hapin tregjet dhe kështu ta shkatërrojnë pa kthim potencialin e tyre zhvillimor. Sipas Chang vendet e zhvilluara asnjëherë në histori, e veçanërisht jo në kohën e industrializimit, nuk i kanë pasur tregjet e tyre të hapura krejtësisht, apo të lira e të pakontrolluara për mallrat nga jashtë. Madje tarifat më të larta për import janë përdorur pikërisht nga vendet që sot më së shumti e proklamojnë tregtinë e lirë si ideologji (në Shekullin XVIII Britania e Madhe kishte vendosur tarifa deri në 50% për importin e prodhimeve industriale, veçanërisht tekstilit). Edhe sot vendet e Evropës Perëndimore përdorin tarifa të ndryshme mbrojtëse si edhe mekanizma tjerë për prodhimet bujqësore e prodhimet tjera që vijnë nga jashtë BE-së. Por edhe subvencione, formë tjetër e mbrojtjes së tregut për prodhimet e brendshme. Në kohën e krizës, kthimi i politikës së vendeve të BE-së por edhe i ShBA-së kah ekonomia e vet dhe favorizimi i ekonomisë së brendshme ishte qartësisht në kundërshtim me postulatin ideologjik të proklamuar me aq zell nga të njëjtat shtete për tregti të papenguar, dhe lëvizje të lirë të kapitalit. P.sh. Qeveria e ShBA-së e kishte kushtëzuar ndihmën financiare për autoindustrinë e ShBA-ve me blerjen e çelikut të prodhuar në ShBA. Në këtë rast nuk flitej fare për tregtinë e lirë: shteti ishte i përqendruar në mbrojtjen e interesit të vet ekonomik, e jo në parimet ideologjike të përqafuara deri atëherë.

Çështja e dytë, njëlloj e rëndësishme për tregtinë e lirë, është edhe niveli i zhvillimit industrial të vendeve që hyjnë në kontratë të tregtisë së papenguar. Një vend i pazhvilluar që sapo ka nisur një proces të vështirë të ndërtimit të industrisë së vet mbrojtjen e tregut dhe industrive të veta e ka jetik. Nëse e hap tregun ndaj vendeve me industri më të zhvilluar, atëherë vetë potenciali i industrializimit i shkatërrohet. Sepse “industritë infantile” e kanë të pamundur të zhvillohen në konkurencë me industritë tashmë të stabilizuara. Ato si fillim nuk mund të jenë konkurrente me “prodhimin në shkallë” të vendeve të zhvilluara, nuk kanë gjasa të mbijetojnë karshi potencialit financiar, teknologjisë, e cilësisë së industrisë së stabilizuar. Prandaj, konkurrenca e hapur dhe e lirë, pa mbrojtjen e industrisë vendore, e shkatërron këtë të fundit që në zanafillë. Është sikur ta fusësh në ring një foshnjë 6 muajshe me një 18 vjeçar i cili i ka kaluar tashmë 8 vite në palestrën stërvitëse, dhe ta lësh konkurrencën e lirë mes këtyre dyve ta përcaktojë fituesin. Por në një situatë të tillë fituesin e dimë edhe pa filluar ndeshja.

Është tamam si rasti i Kosovës. Industria jonë e shkatërruar gjatë viteve të ’90-ta dhe luftës, goditja e fundit së cilës iu dha gjatë procesit të privatizimit, u vendos në një situatë të tillë nga priftërinjtë e tregtisë së lirë, ndërkombëtarë e vendorë. Ky parim ideologjik u materializua në Marrëveshjen CEFTA, në të cilën një pjesë e madhe e tregtisë u lirua nga tarifat mes vendeve anëtare (Kosova, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Moldavia). Shumica dërmuese e këtyre vendeve janë në një nivel shumë më të lartë të zhvillimit industrial se sa Kosova. Prandaj edhe përfunduam pasivisht si treg për këto vende, pa e pasur mundësinë reale të shesim produktet tona nëpër këto vende. (Madje në rastin e Serbisë dhe Bosnjes as mundësinë formale.)

Kosova ka hyrë në CEFTA në vitin 2007. Në atë vit deficiti tregtar ka qenë -1 miliard e 411 milionë euro. Për çdo vit të pastajmë  bilanci negativ tregtar ka shënuar rritje të vazhdueshme në  -1 miliard e 729 milionë në vitin 2008, për të vazhduar me -1 miliard e 770 milionë në vitin 2009, -1 miliard e 861 milionë në vitin 2010, -2 miliardë e 173 milionë në 2011, dhe për të arritur në 2 miliardë e 220 milionë në vitin 2012. Mjaftojnë këto të dhëna për ta kuptuar përfitimin që Kosova ka pasur me hyrjen në CEFTA. Natyrisht që në këto të dhëna tregtare hyn edhe tregtia me vendet tjera që nuk janë pjesë e CEFTA-s. Mirëpo duhet ta kemi parasysh se eksportuesit kryesorë në Kosovë janë pikërisht vendet e CEFTA-s. Në importin e gjithëmbarshëm të Kosovës BE-ja bën pjesë me diku rreth 38%, ndërkohë që vendet tjera që përbëjnë përqindje serioze të importit në Kosovë janë vendet e CEFTA-s (prej të cilave Maqedonia me rreth 19% dhe Serbia me 14-15%, sipas shifrave zyrtare), me përjashtim të Turqisë dhe Kinës.

Tash argumenti kryesor i ideologëve të tregtisë  së lirë është se frytet e këtij parimi vilen pas një kohe të gjatë, për shkak se efektet afatshkurta të  tij janë shtrembëruese. Por nuk është aspak e vërtetë.  E vërteta është se efektet afatshkurta të tregtisë së lirë madje edhe mund të jenë pozitive, në kuptimin që çmimet e konsumit për qytetarët bëhen më të ulëta për një farë kohe. Por në afatgjatë ky tregtim e dëmton ekonominë vendore, gjithashtu edhe atë familjare, për shkak të pamundësimit të zhvillimit industrial të vendit që sjellë vende të punës, rritje të fuqisë blerëse, rritje të mirëqenies, dhe rritje të cilësisë së produkteve vendore. Shkatërrimi i potencialit industrial të vendit e dëmton interesin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror, kështu që në afat të gjatë tregtia e lirë, si faktor që e kushtëzon këtë shkatërrim, nuk mund të jetë në dobi as të individëve. Dhe meqë po flasim për afatin e gjatë, Kosova pak a shumë ka përdorur mekanizma të plotë të tregtisë së lirë që nga viti 1999. Tash e 14 vite bilanci negativ tregtar vetëm sa ka shkuar duke u rritur. Që nënkupton se të tjerët kanë përfituar nga tregtimi i papenguar me ne, ndërkohë që ne kemi humbur nga ky tregtim.

Edhe vetë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila si parim themelor të vetin e ka tregtinë e lirë, kohëve të fundit e njohin domosdoshmërinë e mbrojtjes së pjesshme të tregut për industritë infantile, e veçanërisht për vendet e varfëra. Në anën tjetër rregulli bazë i marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve është se produktet e subvencionuara nuk lejohen të hyjnë pa tarifa në territorin e një vendi tjetër. Asnjë prej këtyre rregullave kur nuk është aplikuar nga qeveria e vendit (me përjashtim të disa masave sporadike të Ministrisë së Tregtisë, të cilat shpeshherë kanë ngritur dyshime të shumta për motivet dhe qëllimet e ministrisë).

Politikat tregtare, ashtu si ato industriale, duhet të  jenë  selektive, e jo të sheshta. Nuk mund ta trajtojme secilin sektor të ekonomisë njëjtë. Logjika e sheshtësisë është logjikë autarkike, pasi që me të shteti thotë se do ta zhvillojë prodhimin e secilit mall të mundshëm, drejt vetëmjaftueshmërisë. Kjo është absurde dhe e pamundshme. Selektiviteti na e mundëson zhvillimin e industrive të caktuara strategjike për vendin të cilat do ta mundësonin zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies, dhe në të cilat do të kishim mundësi eksporti.

Natyrisht që na duhen tregje më të  mëdha se sa i joni. Por integrimi në tregun global duhet të  jetë  gradual, i kujdesshëm dhe me përzgjedhje. Në këtë fazë prioritet duhet t’i japim vendeve me nivel të ngjashëm të zhvillimit industrial. Prandaj integrimi i parë tregtar duhet të jetë me Shqipërinë, duke qenë se ky unifikim i tregut do t’i leverdiste të dy vendeve, pra kombit në përgjithësi.

Tregtia është pjesë e politikës së jashtme, pra pjesë e marrëdhënieve me vendet tjera. Ne duhet të insistojmë  që në marrëdhëniet tona bilaterale por edhe multilaterale me vendet tjera të ketë përfitime reciproke. Kështu do të kemi marrëdhënie ne kushte barazie. Çfarëdo marrëveshje/kontratë që na vendos të pozicion të pabarazisë dhe eksploatimit nuk mund të jetë e drejtë e as e dobishme. Drejtësia dhe dobishmëria e një marrëveshjeje matet me përfitimet që kanë palët nga ajo. Aktualisht në rrafshin tregtar Kosova është vetëm duke humbur. E natyrisht dikush tjetër po përfiton.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 17, 2013 nga te Ekonomi dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: