rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Privatizimi – apo manuali për shkatërrim ekonomik!

Artan Abrashi

Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të  Sigurimit, më 10 qershor të vitit 1999 Kosova u vendos nën protektorat ndërkombëtar. Krahas misionit për ndërprerjen e luftës, operacioni ndërkombëtar në Kosovë në fokus kishte “ndërtimin e paqes”, koncept i cili në rrafshin filozofik dhe teorik mbështetet kryesisht në tezën e Kantit për paqen liberale (e quajtur shpesh edhe “demokratike” ose “perëndimore”), e cila pretendon që për shkak të normave, strukturave institucionale dhe ndërlidhjes, demokracitë liberale zor se mund të përfshihen në konflikte të dhunshme (M. W. Doyle: “Kant, Liberal Legacies, and Foreign Affairs”).

Rrjedhimisht, për modelin ekonomik që do të  aplikohej në Kosovë as që kishte dilemë. Institucionet më të larta liberale-perëndimore në botë edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta promovojnë një model ekonomik i cili është i bazuar në parimet neoliberale. Këtu vlen të përmendet receta “Washington Consensus”, e cila paraqet një set prej 10 politikash specifike ekonomike të cilat qeveria e SHBA-ve, Departamenti Amerikan i Thesarit, Banka Botërore, dhe FMN-ja (J.Willamson: What Washington Means by Policy Reform) ua rekomandojnë dhe imponojnë vendeve në krizë dhe vendeve në zhvillim si masa të domosdoshme për “rritjen e zhvillimit ekonomik”. E vendosur në sundim të rreptë ndërkombëtar dhe e dehur nga ideja e zhvillimit që dukej se po vinte si dhuratë nga jashtë, Kosova veçse ishte e përcaktuar ti ndiqte të gjitha politikat e paracaktuara për të. Njëra nga ato ishte edhe procesi i privatizimit.

Zyrtarisht privatizimi në Kosovë ka filluar më 13 qershor 2002 me nxjerrjen e Rregullores së UNMIK-ut 2002/12. Mbi bazën e kësaj rregulloreje është themeluar Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit (AKM), i cili vazhdoi mandatin e vetë deri në kohën e shpalljes e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Më pas, AKM u pasua nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP), i cili u themelua në bazë Ligjit të Kuvendit të Kosovës mbi AKP-në. Rrjedhimisht, procesin e privatizimit në Kosovë mund ta ndajmë në dy faza: Faza e parë (që fillon nga viti 2002 dhe zgjat deri më 2008) ku procesi është zhvilluar nga ndërkombëtarët dhe karakterizohet me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, dhe faza e dytë (që fillon në vitin 2008 dhe zgjat akoma) procesi zhvillohet nga vendorët dhe karakterizohet me privatizimin e ndërmarrjeve publike.

Për privatizimin e udhëhequr nga ndërkombëtarët dhe ndikimin ekonomik të tij, deri më tani nuk është bërë asnjë vlerësim gjithëpërfshirës. Por nëse gjykojmë duke i pasur parasysh objektivat e Shtyllës së IV të UNMIK-ut: rindërtimin dhe zhvillimi ekonomik, lirisht mund të konkludojmë se procesi i privatizimit në Kosovë ishte plotësisht i dëmshëm dhe me pasoja të rënda për ekonominë e vendit.

Ka dilema të shumta se sa do të mund të  funksiononin ndërmarrjet shoqërore pa iu nënshtruar privatizimit dhe sa do të ishin në gjendje të kontribuojnë  në rindërtimin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj. Por, në një anketë të realizuar nga RIINVEST gjatë periudhës Tetor – Nëntor 2000 me 192 nga gjithsej 350 ndërmarrje shoqërore (para se të vendoseshin nën administrimin e AKM-së), për një vit është vërejtur një rritje e aktivitetit ekonomik të këtyre ndërmarrjeve. Në vitin 1999, 55-60 % e ndërmarrjeve të anketuara ishin aktive, ndërsa në vitin 2000 numri i ndërmarrjeve aktive u rrit në 86 %; shfrytëzimi i kapaciteteve të këtyre ndërmarrjeve në vitin 1999 ishte 28%, ndërsa në vitin 2000, u rrit në 35%; numri i punëtorëve të regjistruar në vitin 1999 ishte 36.023, ndërsa në vitin 2000 ky numër arriti në 42,581. Pra, pavarësisht mungesës së kapitalit financiar, teknologjisë jokonkurruese, dëmtimet nga menaxhimi i dhunshëm dhe lufta, aktiviteti ekonomik i këtyre ndërmarrjeve brenda një viti ishte dyfishuar (Riinvest, 2001: ‘Ndërmarrjet Shoqërore dhe transformimi / privatizimi i tyre), duke pasur edhe tendencë të rritjes së vazhdueshme.

Ndërsa në anën tjetër, procesi i privatizimit nuk është askund, sa i përket përmbushjes së objektivave të veta për “zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”. Sipas akademikut Bernhard Knoll, procesi i privatizimit në Kosovë përfaqëson natyrën tragjike të misionit “civilizues” (të vetëshpallur) të UNMIK-ut, duke hedhur dritë mbi “kufizimet në përdorimin e privatizimit për të nxitur mëkëmbjen ekonomike”(B.K, 2005: ‘From Benchmarking to Final Status? Kosovo and The Problem of an International Administration’s Open-Ended Mandate’). Forumi 2015, në vitin 2008 bëri një studim të 103 ndërmarrjeve të përzgjedhura që ishin privatizuar dhe erdhi në përfundim se 1/3 “nuk ishin duke funksionuar” fare, ndërsa të tjerat kishin “të hyra goxha më të vogla” se ndërmarrjet e krahasueshme në sektorin privat (Forum 2015, 2008: ‘Privatization and Post–Privatization in Kosova: Glass Half Empty of Half Full?’). Sindikata e punëtorëve kishte përllogaritur 70.000 punëtorë që kanë mbetur pa punë, pa pensione dhe pa asistencë sociale shkaku i privatizimit, ekspertët e pavarur procesin e privatizimit e quajnë “katastrofë”, “pothuajse një dështim i plotë”, “dështim ekonomik” si dhe shumë akuza të tjera për paaftësi, keqadministrim dhe akuza për korrupsion (R. A. Knudsen , Privatizimi në Kosovë: Projekti Ndërkombëtar 1999-2008). Me gjithë defektet, dështimet dhe manipulimet e vazhdueshme gjatë gjithë kohës së privatizimit të udhëhequr nga ndërkombëtarët, procesi megjithatë nuk është ndalur asnjëherë. Përkundrazi, presioni për vazhdimin e tij kishte marrë përmasat e një fushate gjithëpërfshirëse të faktorit ndërkombëtar dhe atij vendor.

Ndërmarrjet publike në Kosovë përbëjnë një sektor mjaft të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Pavarësisht problemeve të mëdha në menaxhim, ato në vazhdimësi kanë gjeneruar të ardhura të konsiderueshme për buxhetin shtetëror (Sipas AKP-së, në këto ndërmarrje janë të punësuar mbi 14.000 punëtorë). Përkrahësit e privatizimit të ndërmarrjeve publike thonë se privatizimi i operatorëve publik sjell vetëm të mira: më shumë investime, menaxhim më efikas, çmime më të volitshme për konsumatorët, të ardhura për shtetin në formë të taksave etj.

Ndërsa kundërshtarët e këtij procesi në  vazhdimësi argumentojnë se “menaxhimi i keq i këtyre ndërmarrjeve nuk është arsye e mjaftueshme për ndërrimin e pronësisë, sepse ekzistojnë zgjidhje për ta përmirësuar menaxhimin pa pasur nevojë ndërrimin e pronësisë; gjithashtu puna e çmimeve nuk qëndron, sepse në çmime ndikon konkurrenca dhe jo lloji i pronësisë; nëse privatizimi sjell të ardhura të mëdha për shtetin në formë të taksave, atëherë mund të merret me mend se sa i lartë mund të jetë fitimi privat. Ky është shkaku se pse shtetet më të zhvilluara akoma nuk kanë hequr dorë nga pronësia publike mbi fitimet.

Kur vjen puna tek operatorët publik, përvojat e vendeve të zhvilluara tërheqin vërejtjen për kujdes në privatizimin e sektorëve strategjik. Edhe në qoftë se paraqitet nevoja për ndërrimin e karakterit pronësor të tyre, ajo nuk duhet të bëhet pa ndonjë analizë serioze për të vërtetuar fillimisht se a) a ekziston arsyeja bindëse; b)nëse po, cili është momenti më i përshtatshëm; c) cila do të jetë metoda më e përshtatshëm për ta bërë atë… si dhe për çështjet e kësaj rëndësie, duhet të këtë pajtueshmëri politike në nivel vendi, duke i peshuar mirë të gjitha aspektet se saj (“Privatizimi i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës”, Tribuna LVV, 20 maj, 2010).

Për fund, privatizimi është konsideruar një  mjet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për zhvillim ekonomik, por në rastin e Kosovës ai është treguar si njëri ndër shkaktarët kryesor për katandisjen e vendit tonë në mjerim. Të gjitha të dhënat, analizat dhe hulumtimet e ndryshme na tregojnë se ky proces, deri më tani, përpos stagnimit ekonomik, papunësisë dhe krizës sociale asgjë tjetër nuk i solli Kosovës. Prandaj, ai duhet të ndalet me çdo kusht dhe si i tillë, duhet të rishikohet prej fillimit.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 13, 2013 nga te Ekonomi, Esse dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: