rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Gratë në Kosovë: Papunësi e pabarazi

Teutë Rrusta, Adonis Tahiri, Arlind Manxhuka

Papunësia mbetet përherë ndalesë në realizimin shoqëror e individual. Në Kosovë kemi një papunësi prej 45%, dhe në mesin e tyre 56% janë gra. Pjesëmarrja e grave në forcat e punës në vite është ulur nga 30 në 29% për gratë dhe nga 68 në 67% për burrat. Mohimi i së drejtës për punë, që sa vjen e rritet, ka rezultuar me më shumë shtypje. Ky mohim bëhet më i dukshëm kur vjen puna tek gratë, pasi që në mesin e të papunëve, gratë janë ato që pësojnë më së shumti probleme. Këtë e tregojnë edhe të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë, enti statistikor i Kosovës dhe hulumtimet e ndryshme. Megjithatë, ka mungesa të të dhënave më të hollësishme, si statistikore ashtu edhe analitike.

Në mënyrë të pashmangshme, dallimet gjinore shfaqen edhe në strukturën e profesioneve. Profesionet që zakonisht ushtrohen nga gratë janë të nivelit teknik, shërbyes e profesional, ndërsa burrat kryejnë pothuajse të gjitha llojet e profesioneve.

Gratë janë të punësuara më shumë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, tregtisë dhe në sektorët e Administratë Publike. Në shumicën e rasteve ato nuk kanë role udhëheqëse në punët që bëjnë. Një mostër përfaqësuese na e jep Qendra Klinike Universitare e Kosovës: Në 14 vite të pasluftës asnjëherë nuk ka qenë ndonjë grua në rolin udhëheqës. Sot, nga 30 drejtorë, vetëm 6 janë gra. Edhe në Universitetin e Prishtinës nga 1,023 profesorë ligjërues, vetëm 292 janë gra, apo 29 % e stafit. Kurse, në Universitetin e Prizrenit, nga 109 profesorë ligjërues, vetëm 18 janë gra, apo 17% e stafit. Këto të dhëna mbështeten nga raporti “Gratë dhe Burrat në Kosovë”, Enti i Statistikave të Kosovës, 2010.

Edhe më qartë shihet diskriminimi gjinor aty ku profesionet janë ngjyrosur me stereotipa; Gratë në strukturat e mbrojtjes dhe të rendit, nga gjithsej 2 026 persona të punësuar, prej tyre 93 apo 4 % janë gra. Kurse në Policinë e Kosovës, në raportin që i referohet vitit 2009, vetëm 15% e stafit janë gra.

Gratë kryefamiljare, pronaret e shtëpive, në vitin 2007 ishin 7%, kurse në vitin 2008 dhe 2009 kemi një rritje për 1%. Kjo flet për hapat e ngecur në vend të institucioneve përkatëse në përparimin e vendit. Si dëshmi të neglizhencës kemi orientimin buxhetor të Qeverisë Thaçi, ku shpenzimet që i dedikohen rendit dhe ligjit përfshijnë vetëm 10%; shëndetësisë 8.85%; dhe mirëqenies sociale vetëm 18.4%. Për këtë çështje pati reaguar edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës. Sipas tyre, planifikimi buxhetor i paraparë për vitin 2013 nuk ndan mjete të mjaftueshme për programe kyçe drejt përmirësimit të mirëqenies së grave e vajzave, si dhe të qytetarëve. Gjithashtu, ato shtojnë se ky buxhet është vetëm përsëritje e vitit 2012, duke lënë të paadresuara ligjet dhe programet për barazi gjinore, përfshi Programin dhe Planin e Veprimit Kosovar Kundër Dhunës në Familje, si dhe duke mos i përfillur rekomandimet e bëra nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Shteti i Kosovës nuk mbështet financiarisht sipërmarrjet e grave. Ligjet dhe aktet nënligjore fiskale nuk kanë dispozita të posaçme për nxitjen dhe lehtësimin e sipërmarrjeve të grave e vajzave. Ato detyrohen të gjejnë rrugë alternative të financimit, por shumë në të shumtën e rasteve nuk mund ta vazhdojnë dot veprimtarin e planifikuar. Punësimi, nga të dhënat nga Strehimorja ne Gjilan, del të jetë ndër elementet kryesore në pavarësimin e grave.

Por, cili është shkaktari kryesor në thellimin e mjerimit ekonomik e shoqëror? Nëse hedhim një vështrim, vërejmë margjinat që mbajnë të përputhur tërë këtë mozaik; shitja e publikes, shpronësimi i qytetarëve nga pasuria e tyre. Pasojat e tij nuk do t’i gjejmë vetëm në të ardhmen, pasojat e tij po i vuajmë sot. Privatizimi la pa punë 76 mijë punëtorë të Kosovës, e së paku po aq familje janë varfëruar nga ky proces. Marrë parasysh numrin edhe ashtu te vogël të grave të punësuara, i bie që, në këtë heqje të dhunshme nga puna, grave dhe vajzave u mohohet e drejta për punë në masë edhe më të madhe. Në fabrikat si ajo e miellit në Fushë Kosovë, fabrika e bukës në Gjilan, Tjerrtorja në Gjakovë, etj., kanë qenë punëtoret ato që kanë përbërë shumicën e stafit punues.

Mbyllja e fabrikave është reflektuar me mbylljen e gruas në shtëpi. Puna nuk është vetëm përfitim material, ajo përfshin dhe angazhimin në jetën publike dhe politike.

Gjithashtu, mbyllja e fabrikave dëmtoi industrinë e vendit, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Për pasojë, teksa kalojnë vitet pa u ndryshuar politikat sociale e ato ekonomike, rritet papunësia, rritet dhuna në familje, prostitucioni, e shumë dukuri të tjera të cilat na shfaqen si simptoma të një pushteti të dhunshëm e shtypës.

Pa shtet

Trafikimi i qenieve njerëzore në të shumtën e rasteve prek gratë dhe fëmijët. Kjo paraqitet si veprimtari ilegale, edhe pse gjithnjë zhvillohet nën sytë e shtetit, që bën sikur nuk sheh apo sikur nuk di. Vetëm ne rajonin e Ferizajt gjenden dhjetëra “shtëpi publike”, ku gratë e trafikuara nga rajoni dhe vendi shfrytëzohen seksualisht. Në këtë rajon lulëzimi i këtij biznesi të paligjshëm lidhet edhe me përqendrimin e ushtarëve të huaj në bazat e mëdha ushtarake që ndodhen në rrethina të qytetit. Sipas të dhënave nga Raporti i Policisë në vitin 2012 sipas grupmoshës janë identifikuar këto viktima të trafikimit: 14 – 17 vjeç, 12 raste; 18 – 22 vjeç, 19 raste; 23 – 25 vjeç, 9 raste; 26 – 30 vjeç, 9 raste; 31 – 35 vjeç, 3 raste; 36 – 40 vjeç, 1 rast,  41 – 50, 1 rast. Këto raste fatkeqësisht publikohen vetëm nëpër raporte vjetore, duke u mbajtur të heshtura për opinionin publik. Nga ana tjetër, kemi të drejtë të shtrojmë pyetjen legjitime: Ndaj cilit trafikant apo shtëpie publike janë ndërmarrë masa?

Strehim nga dhuna

Qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve “Liria” në Gjilan është vend strehimi për gratë dhe fëmijët e 10 komunave, sa përfshin gjithsej regjioni i Anamoravës. Në një vjetar (2012), të nxjerrë nga kjo Qendër, 94 raste kanë kërkuar strehim. Sipas zyrtares ndërlidhëse me koalicionin e strehimoreve Ibadete Mustafa, në të shumtën e rasteve, pre e dhunës në familje janë gratë të cilat janë të papuna dhe me nivel të ulët të arsimimit, në rastin më të mirë janë me shkollë të mesme. Kjo e bën edhe më të vështirë punësimin e tyre, që do të rezultonte me ndërprerje të varësisë ekonomike nga familja. Yllka Krasniqi, menaxhere e projekteve në strehimore, ka treguar se në rastet kur kjo Qendër ka arritur që të siguroj punësim për gratë e strehuara, gratë kanë fituar pavarësi dhe vetëbesim.

Por evidentimi shifror i këtyre rasteve është i mangët për shkak të mungesës së monitorimit sistematik nga organet komunale, sipas një raporti nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2012 numri i grave të punësuara ka qenë 16 gjithsej. Kjo tregon përçmimin e shtetit ndaj kësaj kategorie shoqërore. Pengesë e përhershme mbetet mosraportimi; dhe ky fenomen na tregon shumë për shoqërinë tonë, se në çfarë errësire është thelluar shtypja.

Sipas Imrane Ramadanit, psikologe e strehimores, në shumicën e rasteve faktorët që ndikojnë në mosraportimin e dhunës nga gratë janë: “bindja se zbulimi i dhunës në familje njollos familjen; mungesa e përkrahjes nga familja e origjinës; mungesa e pronësisë mbi pasurinë e familjes; humbja e të drejtës mbi fëmijët; frika nga hakmarrja, meqë dënimi që pason është shumë i ulët, për më keq, raportimi nuk është gjithmonë siguri për ndëshkimin e dhunuesit“.

Gratë nga zonat rurale janë ato më  të shtypurat nga ky lloj i dhunës. Strehimorja në Gjilan raporton: nga 44 raste, 16 vijnë nga zonat urbane ndërsa 28 nga zonat rurale.

Megjithëse Qendrat e strehimit janë të domosdoshme për evakuim, zgjidhja assesi nuk qëndron aty. Shumica e grave, pas një kohe të caktuar, kthehen në familjen e burrit apo atë të origjinës. Edhe pse strehimi ndërpret dhunën, ai është i përkohshëm. Vetëm angazhimi për zhdukjen e kushteve që mbajnë gruan të shtypur e të nënshtruar është mundësi për përparim shoqëror.

8% pronare

Vetëm 8% e grave në Kosovë kanë biznese private. Gruaja në Kosovë, në shumicën e rasteve, nuk është pronare dhe nuk trashëgon pasuri nga familja. Kjo paraqet pengesë të madhe në fillimin e veprimtarisë private, duke limituar mundësitë për zhvillim vetanak, problem të cilin nuk e kanë burrat që trashëgojnë pasurinë e familjes. Kjo mban shumë gra të varura financiarisht nga familja, të sforcuara të mbesin në shtëpi.

26.45% në pushtet lokal

Struktura gjinore në administratën lokale përbëhet nga 4.751 burra, ndërsa gra janë 1.709 apo vetëm 26.45%. Gratë nëpër komunat e Kosovës janë më të shtypura sesa gratë e kryeqytetit, mirëpo shtypja ekziston në të gjitha strukturat e shoqërisë sonë. Megjithatë, niveli lokal është vetëm pasqyrim i së vërtetës së pushtetit qendror, ndërsa diskriminimi gjinor nëpër komuna paraqet skajin e pabarazisë sociale që nis në kulm të hierarkisë së pushtetit ekonomik, politik e simbolik që mban më këmbë regjimin.

82% e vajzave pa punë

Dallimi mes shkallës së papunësisë sipas grupmoshës dhe gjinisë tregon se niveli më i lartë i papunësisë është në mesin e të rinjve, ku papunësia për gratë është 82%, ndërsa për burrat 69%. Popullata e re në moshë që dominon tek ne është pasuri dhe mundësi për zhvillim shoqëror, kulturor dhe ekonomik. Por, siç duket ky potencial po hidhet dëm duke e neglizhuar arsimin edhe punësimin e tyre . Rinia e Kosovës sot bredh poshtë e lart për punën që s’e gjen dot.

0 gra në ASHAK

Nga 86 anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës – përfshirë ata të rregullt, korrespodentë, të jashtëm dhe të nderit – asnjë nuk është grua. Kjo, bazuar në hulumtimin e Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike të datës 29 shkurt 2012. Mes tjerash, vërejnë se ASHAK nuk ka publikuar asnjë punim të ndonjë gruaje akademike, nga vendi apo jashtë vendit. Për më tepër, ASHAK asnjëherë nuk ka pasur si temë studimi çështjet gjinore.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 6, 2013 nga te Gjinore, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: