rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Vetëvendosje për Palestinën

Boiken Abazi

E drejta e popullit Palestinez për vetëvendosje dhe drejtësi gjithashtu duhet njohur. Vendoseni veten në pozitën e tyre – shikojeni botën përmes syve të tyre. Nuk është e drejtë që një fëmijë Palestinez s’mund të rritet në një shtet të vetin, dhe jeton në praninë e një ushtrie të huaj që kontrollon lëvizjen e prindërve të saj për çdo ditë. Nuk ka drejtësi kur mbetet pa u ndëshkuar dhuna që kolonët e armatosur hebrej ushtrojnë mbi palestinezët. Nuk është e drejtë që t’ju ndalohet palestinezëve të merren me bujqësi në tokat e tyre; të kufizosh mundësinë e një studenti për të lëvizur në Bregun Perëndimor; apo të shpëngulësh familjet palestineze nga shtëpitë e tyre. As pushtimi e as shpërnguljet nuk janë përgjigjet e duhura. Ashtu si izraelitët ndërtuan një shtet në atdheun e tyre, palestinezët kanë të drejtën për të qenë një popull i lirë në tokën e tyre

Ky citim është shkëputur nga fjalimi që mbajti ca javë më parë presidenti i SHBA-ve, Obama, në Jeruzalem. Kjo ishte vizita e tij e parë si President në këte vend. Në të njëjtin fjalim Obama u kujtoi edhe një herë të gjithëve se SHBA-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë aleati dhe mbështetësi më i fortë, si dhe miku më i rëndësishëm i Izraelit që prej deklaratës së pavarësisë së Izraelit, që SHBA-ja ia njohu e para, 11 minuta pas shpalljes. Obama më tej shton se marrëdhëniet e sigurisë mes Izraelit dhe SHBA-ve janë më të forta se kurrë, qoftë në bashkëpunimin ushtarak qoftë në atë të inteligjencës. Në fjalim ai shprehet se Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga sulmet terroriste dhe sulmet me raketa që Hamasi lëshon nga Rripi i Gazës. Ai i quan shanse të humbura historike negociatat e mëparshme mes Izraelit dhe Palestinës, duke ia veshur përgjegjësinë liderëve palestinezë. Për më shumë Obama bën thirrje për paqe, nëpërmjet negociatave midis dy palëve që duhet të sjellin demarkimin e “kufinjve realë”. Fjalët e Obamës mund të krijojnë te lexuesi atë që në psikologji quhet disonancë konjitive – mbajtja e dy qëndrimeve me vlera të kundërta nga njëri-tjetri. Në një moment, duke demaskuar publikisht krimet e Izraelit ai duket se po bën një deklarim historik për çështjen e Palestinës, e në momentin tjetër ai e shtrembëron historinë duke na hutuar mbi të tashmen dhe duke bërë shumëkënd skeptikë mbi qëndrimet dhe veprimet e SHBA-së në të ardhmen. Si duket, edhe njëherë e vetmja rrugë që mbetet për Palestinën është rruga që kalon përmes vetëvendosjes.

Është e padrejtë dhe e palogjikshme që një krim i rëndë kundër njerëzimit, si shfarosja e miliona hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, të përdoret për justifikimin e një tjetër krimi kundër njerëzimit, siç është pushtimi, spastrimi etnik dhe kolonizimi i palestinezëve nga izraelitët. Shteti Izraelit është ngritur mbi këtë krim me mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe të plot shteteve të tjera Perëndimore. Sado të tmerrshme që janë, sulmet terroriste të organizuara nga fraksione të ndryshme të rezistencës së armatosur palestineze nuk mund të krahasohen me fushatat ushtarake të shfarosjes dhe shpërnguljes të palestinezëve të organizuara nga ushtria dhe policia e Izraelit. Për ta kuptuar këtë mjafton të ndjeksh lajmet dhe të numërosh kufomat e pafundme që ky pushtim prodhon çdo javë. Duhet sqaruar se në njërën anë ndodhet pushtuesi që ka në dispozicion një prej forcave ushtarake më të fuqishme në botë, e në anën tjetër ndodhet populli i pushtuar i Palestinës i cili është përpjekur t’i rezistojë këtij pushtimi me të gjitha metodat e mundshme, në demonstrata, bojkote dhe rezistencë të armatosur.

Vit pas viti komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të sjellë drejtësi për popullin e Palestinës. Me qindra janë rezolutat e OKB-së që janë përpjekur ta trajtojnë këtë çështje, dhe të gjitha sot kanë dështuar. Me dhjetra janë përpjekjet për negociata midis dy palëve që nuk kanë prodhuar as paqe e as drejtësi, sepse ato kanë qenë negociata pa kushte për pushtuesin, i cili ndryshe ka diskutuar e ndryshe ka vepruar ne terren. Në vitit 1993, në negociatat që u zhvilluan në Oslo midis Presidentit palestinez Jaser Arafat dhe Kryeministrit izraelit Jitzhak Rabin, u vendos që Bregu Perëndimor dhe Rripi i Gazës të trajtoheshin si një etnitet i unifikuar territorial. Por, gjatë kohës që zhvilloheshin këto negociata Izraeli nisi programin e tij për ta ndarë de facto Rripin e Gazës nga Bregu Perëndimor, duke e pamundësuar kështu arritjen e një marrëveshjeve – ama këtë Obama harron ta përmendë kur flet për përgjegjësinë që kanë liderët palestinez për “shanse historike të humbura” në negociata. Qartazi OKB-ja ka dështuar në vendosjen e drejtësisë dhe paqes në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe duket se Palestina e plot shtete të tjera duhet t’i bëjnë ballë padrejtësisë me forcat e tyre në një sistem ndërkombëtar ku i njëjti ligj vlen vetëm për  komb-shtetin më të dobët.

Është për të ardhur keq që qeveritë e vendeve si Palestina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, të dyja nga frika se po ta ndërmarrin një hap të tillë do të ndëshkohen nga “padronët” e tyre. Të dyja palët kërkojnë njohje ndërkombëtare bazuar mbi parimin e vetëvendosjes, ndërkohë që të dyja palët identikohen me etiketën sui generis që të tjerët ia kanë vendosur, duke shfaqur kështu shenja të një skizofrenie të theksuar. Në vend që popujt e shtypur të bashkohen në solidaritet me njëri-tjetrin, ata jo vetëm që ndahen por edhe tëhuajësohen nga vetvetja. Fundjafundit nuk ka si të ishte ndryshe për dy shtete që nuk kontrollojnë as kufijtë e as ekonominë e tyre, dhe nuk kanë një ushtri për ta mbrojtur veten nga pushtuesi. Ndërkohë, Izraeli dhe Serbia nuk e kanë patur shumë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët për ta vonuar ose ndaluar njohjen e Kosovës dhe Palestinës prej shumë shteteve të tjera.

Sidoqoftë, do të ishte vështirë që  t’i jepen popullit palestinez receta që do të çonin drejt çlirimit të Palestinës, sepse në fakt është ky popull që i ka dhënë një mësim gjithë botës mbi atë çka do të thotë të mos dorëzohesh në përpjekjen për liri. Populli palestinez meriton respekt dhe solidaritet të plotë në rrugën e tij drejt vetëvendosjes.

Themelimi i shtetit të Izraelit, shpërnguljet dhe ndryshimet në përbërjen e popullsisë

Në vitin 1922 organizata Lidhja e Kombeve miratoi mandatin e Mbretërisë së Bashkuar për të administruar territorin që kishte qenë më parë nën Perandorinë Osmane në pjesën jugore të saj. Ky territor përfshinte edhe atë që sot është Palestinë dhe Izrael. Praktikisht mandati i miratuar nga Lidhja e Kombeve i jepte Mbretërisë së Bashkuar të drejtën për të qeverisur në këto territore pas Luftës së Parë Botërore. Gjatë kohës që Mbretëria e Bashkuar i kishte këto territore nën kontroll ajo vendosi të çojë përpara planin për krijimin e një “shtëpie kombëtare për hebrenjtë” në formën e një shteti hebre të pavaruar në territorin e Palestinës. Kjo përpjekje e Britanisë së Madhe u justifikua nëpërmjet konstatimit se hebrenjtë nuk kishin një shtet të tyre dhe se për shkak të rritjes së antisemitizmit në Evropë, hebrenjtë do të duhet të vendoseshin në territorin rreth Jeruzalemit, duke u nisur nga historia e popullit hebre, por duke anashkaluar zhvillimet historike dhe historinë e popullit arab.

Pas holokaustit të Luftës së Dytë  Botërore, Britania e Madhe e solli në jetë këtë  plan në bashkëpunim me SHBA-në. Në vitin 1947 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 181 që propozonte ndarjen e territorit palestinez mes një shteti hebre dhe një shteti arab. Në atë kohë popullsia që banonte në atë territor kishte një përbërje 35% hebreje dhe 65% jo-hebreje, por rezoluta e OKB-së propozonte që shteti hebre të shtrihej në 56% të ish-territorit Palestinez, nën mandatin e Mbretërisë së Bashkuar. Shumica e hebrenjve që banonin në këtë territor ishin persona të lindur në Evropë, që kishin emigruar në këtë territor në fund të shekullit XIX-të dhe gjatë shekullit XX-të. Kjo rezolutë nuk u pranua nga vendet arabe. Në 14 maj të vitit 1948 Britanisë së Madhe i skadoi mandati për administrimin e këtij territori, dhe po në të njëjtën datë Izraeli shpalli pavarësinë në të gjithë territorin palestinez. Shpallja e pavarësisë provokoi menjëherë një luftë të hapur midis rezistencës arabe në palestinë të përkrahuar nga vendet arabe dhe shtetit të Izraelit të përkrahur nga vendet perëndimore. Lufta u mbyll brenda vitit 1948, pasi shteti i ri i Izraelit vendosi nën kontrollin e vetë jo vetëm territorin e propozuar në Rezolutën e OKB-së, por edhe shumicën e territorit që kjo rezolutë ia kishte caktuar shtetit arab në Palestinë. Gjatë luftës më shumë se 700,000 arabë (gjysma e popullsisë arabe në Palestinë) u shpërngulën nga Palestina me dhunë, ndërkohë që rreth 700,000 hebrenj emigruan dhe u vendosën si kolonë në shtetin e ri të Izraelit.

Rezistenca e armatosur në Palestinë

Organizatat e armatosura politike janë të  shumta në Palestinë dhe ndonjëherë kanë luftuar edhe njëra-tjetrën, për shkak të dallimeve ideologjike, kontrollit mbi territorin, dhe presionit e ndërhyrjeve nga jashtë. Sidoqoftë, ekzistojnë dy organizata kryesore të rezistencës së armatosur palestineze: al-Fatahu (Fitorja) dhe Hamasi (Entuziazmi). Al-Fatahu është themeluar në vitin 1959 nga Jaser Arafati në bashkëpunim me diasporën palestineze, mbi idenë e nacionalizmit çlirimtar arab për themelimin e shtetit laik të pavarur të Palestinës. Në vitin 1964, al-Fatahu bashkë me një sërë organizatash revolucionare të armatosura të spektrit të majtë politik – Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, Fronti Demokratik Popullor për Çlirimin e Palestinës, Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, etj. – me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e Lidhjes Arabe, themeluan Organizatën për Çlirimin e Palestinës (OÇP).

Në fund të viteve 60, OÇP-ja u shkëput nga kontrolli i Lidhjes Arabe dhe u bë një organizatë krejtësisht e pavarur e cila krijoi Këshillin Kombëtar Palestinez të përbërë nga diaspora dhe delegatë të Parlamentit të Palestinës (një organ legjislativ i zgjedhur nga populli palestinez). Në këtë kohë al-Fatahu fitoi epërsinë brenda OÇP-së, dhe Jaser Arafati u bë kryetari i Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate në vitin 1969. OÇP-ja fillimisht adoptoi një politik për çlirimin e të gjithë territorit të pushtuar të Palestinës, që nënkuptonte shkatërrimin e shtetit Izraelit, i cili ishte ndërtuar me dhunë mbi tokë arabe. Përpjekja e OÇP-së në këtë drejtim pëfshiu luftë frontale ushtarake dhe luftë guerrilase ndaj forcave izraelite, si dhe akte terroriste. Por, kjo përpjekje dështoi pasi Izraeli pati mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe shumë shteteve Perëndimore. Më vonë OÇP-ja i përqëndroi përpjekjet e saj në njohjen ndërkombëtare të çështjes së Palestinës si dhe ndryshoi qëndrim në lidhje me Izraelin duke pranuar zgjidhjen me dy shtete. Në vitin 1988 Këshilli Kombëtar Palestinez miratoi Deklaratën e Pavarësisë së shtetit të Palestinës, ndërsa në vitin 1996 ky Këshill votoi me shumicë dërrmuese për t’ia njohur shtetit të Izraelit të drejtën për të ekzistuar. Pas vdekjes së Presidentit Arafat në vitin 2004, në krye të OÇP-së u zgjodh Mahmud Abasi të cilit legjitimiteti i është vënë në pikëpyetje që prej zgjedhjeve të vitit 2006 kur Hamasi fitoi shumicën e vendeve në Parlamentin e Palestinës.

Hamasi u themelua në vitin 1987 me ndihmën e Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit dhe gjatë shpërthimit të intifadës së parë. Intifada ishte një kryengitje e popullit palestinez që u ndez nga një numër vrasjesh të civilëve. Kjo kryengritje përfshiu bojkote dhe demonstrata masive që brenda pak ditësh u përhapën nëpër gjithë Palestinën. OÇP-ja u kap në befasi nga kjo kryengritje dhe u përpoq të merrte kontrollin e saj, por një pjesë të kontrollit në terren e fitoi edhe Hamasi me një ideologji të bazuar mbi islamin politik. Megjithatë, zanafilla e Hamasit gjindet shumë më mbrapa në kohë gjatë asaj që ndodhi në Palestinë pas luftës së vitit 1967, e njohur edhe si “lufta gjashtëditëshe”. Në këtë luftë, Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës, Gadishullin Sinai të Egjiptit si dhe pjesë të territorit Sirian. Në këtë periudhë të Luftës së Ftohtë Egjipti dhe Siria kanë qenë aleatë të Bashkimit Sovjetik, ndëra Izraeli ka patur si aleat kryesor SHBA-në dhe shtetet perëndimore. Më vonë, Gadishulli i Sinait iu kthye Egjiptit, si dhe territori i pushtuar në veri iu kthye Sirisë, por Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor mbetën të pushtuar duke e rritur me rreth 30% më shumë territorin e shtetit të Izraelit. Pas këtij pushtimi, Izraeli nisi një fushatë eliminimi të nacionalistëve të OÇP-së dhe lejoi, dhe ndonjëherë edhe mbështeti drejtpërdrejt, aktivizmin bazuar mbi islamin politik, si kundërpeshë ndaj OÇP-së. Deri para themelimit të Hamasit, aktivistët islamikë kishin marrëdhënie të mira me shtetin e Izraelit, dhe shpesh herë kanë e sulmuar al-Fatahun dhe organizatat e majta të OÇP-së. Por, me t’u themeluar, gjatë intifadës së parë, Hamasi u deklarua si një organizatë me qëllim shkatërrimin e Izraelit dhe për themelimin e shtetit të pavaruar islamik që do të përfshinte territorin e sotëm të shtetit të Izraelit dhe Palestinës bashkë. Në vitin 2004, Izraeli vrau njëri pas tjetrit dy themeluesit e Hamasit, Sheikun Ahmed Jasini dhe Abdel Aziz al-Rantisin, dhe kështu në krye të Hamasit vendoset Khaled Mashali. Edhe pse e shpallur organizatë terroriste, pas fitores elektorale të vitit 2006, Hamasi ka filluar të marrë pjesë gjithnjë e më shumë në negociatat ndërkombëtare dhe marrëveshjet mbi Palestinën. Se fundmi, edhe udhëheqësit e Hamasit janë deklaruar për një paqe të përkohshme me Izraelin që kalon përmes zgjidhjes me dy shtete të pavarura: Izraelit dhe Palestinës.

Pas zgjedhjeve të vitit 2006 marrëdhëniet al-Fatah – Hamas janë karakterizuara nga konflikti i armatosur midis dy palëve e deri në formimin e qeverive të unitetit kombëtar të Palestinës, të cilat janë rrëzuar menjëherë pas formimit të tyre. Për momentin, marrëdhëniet midis dy palëve nuk janë përmirësuar. Hamasi kontrollon Rripin e Gazës ndërsa al-Fatahu kontrollon Bregun Perëndimor, dhe dy palët nuk ia njohin legjitimitetin njëra-tjetrës dhe nuk kanë arritur dot në një marrëveshje për zgjedhje të reja.

Shpallja e pavarësisë dhe njohjet

Këshilli Kombëtar i Palestinës, i drejtuar nga OÇP-ja me në krye Jaser Arafatin, miratoi deklaratën e pavarësisë  së Palestinës në datën 15 nëntor 1988. Brenda një  viti shteti i ri Palestinez u njoh nga afër 100 shtete të botës. Sot, shteti i Palestinës njihet nga 131 prej 192 shteteve anëtare të OKB-së. Megjithatë, Izraeli, SHBA-ja dhe shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur shtetin e Palestinës, edhe pse një pjesë e këtyre shteteve kanë vendosur raporte diplomatike me Palestinën. Republika e Shqipërisë e ka njohur menjëherë shtetin e Palestinës pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa Republika e Kosovës dhe Palestina nuk e njohin njëra-tjetrën.  Deklarata e pavarësisë së shtetit të Palestinës i ka lënë të paqartë kufijtë e këtij shteti, por ka hapur rrugën për njohje të dyanshme midis Izraelit dhe Palestinës, duke iu referuar Rezolutës 181 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për ndarjen e territorit të Palestinës që kishte qenë nën kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1948.

Palestina dhe OKB

Në datën 23 shtator 2011, Palestina kishte dorëzuar pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për herë të parë aplikimin për t’u anëtarësuar si shtet me të drejta të plota në OKB, pavarësisht kundërshtimit të fort nga ana e SHBA-ve. Kërkesa e Palestinës nuk u hodh asnjëherë në votim në Këshillin e Sigurimit, pasi SHBA-ja kërcënoi me përdorimin e vetos, kështu që shqyrtimi i këtij aplikimi në Këshillin e Sigurimit është shtyrë për një të ardhme të mundshme. Ka patur raste, si për shembull Koreja e Veirut dhe Koreja e Jugut, kur shqyrtimi i aplikimit të një shteti për anëtarësim në OKB është shtyrë deri në 42 vjet (1949 – 1991) pas dorëzimi të aplikimit, si dhe duhet patur parasysh që Këshilli i Sigurimit nuk e ka të detyrueshme ta shqyrtojë rastin dhe të marrë vendim përfundimtar mbi një aplikim. Kërkesa e Palestinës që në Asamblenë e Përgjithshme të votohej për të fituar statusin e shtetit observues jo-anëtar, erdhi si kompromisi i radhës i autoriteteve Palestineze të cilët kuptuan që aplikimi i tyre si shtet anëtar do të qëndronte pezull për një kohë të papërcaktuar në Këshillin e Sigurimit.

Historiku i Rezolutave të OKB-së:

Këshilli i Sigurimit ka miratuar mbi 84 rezoluta që lidhen me çështjen e Palestinës dhe Izraelit.

Shumica e rezolutave të Këshillit të  Sigurimit lidhen me respektime marrëveshjesh armëpushimi midis palëve, dënime verbale ndaj Izraelit për dhunën e ushtruar ndaj palestinezëve, dënime verbale ndaj Izraelit për shpërnguljen e palestinezëve nga tokat e tyre, kërkesa ndaj Izraelit për të marrë masa për çarmatimin e kolonëve izraelit të vendosur në tokat e okupuara të Palestinës, çështje humanitare që kanë lidhje me refugjatët palestinez dhe kushtet e jetesën në Palestinë, kërkesa për të respektuar të drejtat e njeriut, ngritjen e komisioneve për verifikimin e krimeve të kryera, si dhe u bëjnë thirrje verbale palëve për të arritur një marrëveshje për njohje reciproke të dy shteteve, etj.

Asambleja e Përgjithshme (AP) ka miratuar mbi 100 rezoluta për çështjen e Palestinës dhe Izraelit, por në vijim do të vendosim vetëm ato më të rëndësishmet që kanë lidhje me statusin, duke patur parasysh që vendimet e AP-së nuk janë të detyrueshme për shtetet anëtare:

  • 1947, Rezoluta 181, miratoi planin për ndarjen e territorit palestinez në dy shtete: një shtet hebre dhe një shtet arab, duke favorizuar dukshëm shtetin hebre.
  • 1988, Rezoluta 43/177, miratoi “deklaratën e shtetit të Palestinës” dhe vendosi që “emërtimi ‘Palestinë’ duhej vendosur në vend të ‘OÇP’, pa paragjykime mbi statusin observues dhe funksionin e OÇP-së” si dhe “në përputhje me rezolutat e mëhershme dhe praktikat e OKB-së”
  • 1998, Rezoluta 52/250, miratoi mgritjen e statusit të Palestinës në OKB nga një status të mëparshëm sui generis në një nivel sui generis më të lart se statusi i observuesit dhe më të ulët se status i një shteti, duke i dhënë të drejtën të japë edhe propozime edhe të ketë një ulse në disa prej agjencive të OKB-së.
  • 29 nëntor 2012, Rezoluta 69/19, e cila e ngre statusin e Palestinës nga status i një etniteti observues në statusin e një shteti observues jo-anëtar, duke ia njohur shtetësinë dhe të drejtën për vetëvendosje por jo edhe të drejtën për anëtarësim si shtet sovran në OKB. Kjo rezolutë e fundit e Këshillit të Sigurimit u miratua me 138 vota për, 9 kundër (mes këtyre shteteve edhe SHBA-ja dhe Izraeli) dhe 41 abstenim (përfshirë Republikën e Shqipërisë, megjithëse e ka njohur pavarësinë).

 Muri ndarës: Ngrihu mbi të dhe kalo përtej

Muri ka nisur të ndërtohet nga Izraeli që prej vitit 1994 gjatë kohës që po zhvilloheshin negociatat Izrael – Palestinë për marrëveshjen e Oslos, e cila në fund dështoi të çonte deri në njohjen reciproke midis dy vendeve. Muri ka për qëllim të ndajë fizikisht të gjithë Bregun Perëndimor nga pjesa tjetër e territorit Izraelit, dhe parashikohet të jetë rreth 700 km i gjatë. Një pjesë e murit është me pllaka betoni 8m të larta, ndërsa pjesa tjetër është me rrjetë teli me shumë shtresa dhe me kanale që pengojnë kalimin e automjeteve dhe të njerëzve. Muri ishte menduar të ndërtohej përgjatë “Vijës së gjelbër” ndarëse të vendosur në vitin 1949, por ai s’e ka ndjekur këtë vijë dhe kështu është ndërtuar edhe brenda territorit të Bregut Perëndimor, duke u futur në disa raste deri në 20 km. brenda këtij territori. Muri ka ndarë tashmë familje nga njëra-tjetra, ka ndarë fshatarët nga tokat e tyre, ka prerë burime ujore për shumë fshatra palestinezë, si dhe ka kufizuar tregtinë dhe lëvizjen e qytetarëve. Kalimi nga njëra anë në anën tjetër të murit është i kufizuar dhe bëhet vetëm në vendkalimet e ruajtura nga ushtria dhe policia izraelite. Po bëhen gati 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në OKB mori vendimin për ta  shpallur ndërtimin e këtij muri si diçka që bie në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, si dhe që shteti i Izraelit të marrë masa për ndërprerjen e ndërtimit, për heqjen e ketij muri, si dhe për dëmshpërblimin e pronarëve të shpronësuar. Për më shumë, GJND-ja i ka bërë thirrje OKB-së të marrë masa për zbatimin e këtij vendimi. Por, meqenëse vendimet e GJND-së nuk janë të detyrueshme për shtetet anëtare të OKB-së, dhe meqenëse në Këshilli i Sigurimit (KS) SHBA-të mbajnë anën e Izraelit, KS nuk ka ndërmarrë asnjë masë për shkatërrimin e këtij muri. Izraeli ka vazhduar me planin e tij për ta ndërtuar deri në fund këtë mur. Sot, muri është i mbushur me grafiti me mesazhe politike për çlirimin e Palestinës dhe për rezistencë, me shpresën që një ditë do të shembet.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 3, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: