rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Qeveria “e luftës” harron mësuesit e viteve ‘90

Marigonë Drevinja, Kushtrim Avdimetaj, Kreshnik Ahmeti

Dita e mësuesit, 7 Marsi, kaloi si gjithnjë me përkujtime e me festa e me fjalë të bukura. Menjëherë më pas vijon përditshmëria e vështirë për trupën e madhe të mësuesve aktivë por edhe e atyre që kanë dalë në pension. Një përditshmëri e shenjuar nga varfëria, e cila jo rrallë i thyen e i fyen këta qytetarë dinjitozë – pa sakrificën e të cilëve sot kushedi ç’gjuhë do të flisnim. E megjithatë, kujtohemi t’i falënderojmë vetëm në 7 Mars.

Por historia e 7 Marsit është historia e vazhdueshme e sakrificës së mësuesve shqiptarë në rezistencë e në aksion përkundër regjimeve pushtuese apo përndjekëse, një histori që na kërkon përditë ta përkujtojmë. Është vetë gjendja e arsimit të sotëm e cila nuk të lë shteg tjetër për të ndjekur, përveç rezistencës dhe këmbënguljes për rikthimin e dinjitetit në shkolla dhe për trajtimin e mësuesve siç u takon. Po të vazhdojë kjo gjendje e mjerë e arsimit, do të detyrohemi të rikthehemi vazhdimisht tek 7 Marsi, jo si festë, po si ftesë për t’iu bashkangjitur përpjekjes së mësuesve të shkollës shqipe, si nevojë për të sakrifikuar gjer edhe veten, në emër të arsimit shqip.

7 Marsi, arsimi si armë për çlirim

7 marsi 1887 është data kur është hapur shkolla e parë laike në gjuhën shqipe (sepse ka fakte se shkolla e parë në gjuhën shqipe daton që nga fund i shekullit XVI dhe në fillim të shek. XVII me karakter teologjik të krishterë) në qytetin e Korçës me mësues Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Nuçi Naçin, Thoma Avramin, motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi etj. Hapja e shkollës së parë  shqipe shënon një nga momentet më kulminante të rezistencës intelektuale të Rilindjes Kombëtare ndaj pushtuesit osman. Nuk ishte thjesht një arritje arsimore, por ishte një  akt politik. Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për çlirim. Meqë shqiptarët ishin të pushtuar, shkollat shqipe mbylleshin me dhunë nga pushtuesit, por përpjekja e popullit për arsimim nuk u ndal asnjëherë, duke e vazhduar mësimin nëpër shtëpi-shkolla në mënyrë të  fshehtë.

Ajo çfarë ndodhi përgjatë shekujve nën pushtimin osman, vazhdoi gjer vonë në Kosovë, ku pushtuesi osman u zëvendësua prej pushtuesit serb. Kulmi i shtypjes u shënua në vitet ’90 të shekullit të kaluar, ku pothuajse të gjithë shqiptarët u larguan nga puna, u ndalua mësimi në shqip dhe një numër shumë i madh u detyra të shpërngulej nga Kosova.

Me gjithë rrezikun për jetë, një kategori e veçantë e popullit shqiptar nuk u dorëzua përballë represionit serb. Mësimdhënësit shqiptarë të asaj kohe, pas largimit të dhunshëm nga objektet shkollore dhe pas ndalimit të mësimit në shqip, organizuan sistemin paralel të  arsimit në shqip. Mësimi në të gjitha nivelet, që nga shkolla fillore e deri te studimet universitare u mbajt fshehurazi nëpër shtëpi e bodrume, për thuajse dhjetë vjet.

Shumë mësues, arsimtarë e profesorë  shqiptarë janë përndjekur, rrahur e torturuar nga pushtuesi serb për veprimtarinë e tyre të fshehtë. Me shumë mund, vullnet dhe sakrificë ata mësimdhënës dhanë shumëçka për t’i rezistuar intelektualisht pushtuesit, duke luftuar analfabetizmin, duke e ruajtur dhe përcjellë gjuhën shqipe tek brezat e rinj.

Punën e atëhershme të mësuesve, në sistemin paralel të arsimit në shqip e njihte Republika e Kosovës, e shpallur në 1993. Të gjitha librezat e dëftesat që shpërndanin këta mësues, bartin mbishkrimin “Republika e Kosovës”.

Ç’ndodh sot me këta mësues dhe gjithë ato vite sakrificë?

Tani, gati 14 vite pas luftës, sistemi aktual politik i cili mburret nëpër media e nëpër ditë festash duke u përpjekur të monopolizojë simbolikisht vlerat e luftës e të kapitalizojë pushtet e para përmes tyre (ndërkohë që konfirmon varësinë e Kosovës nga Serbia, përmes marrëveshjeve ku Kosova hyn si palë minore e pësore), në fakt nuk po ua njeh si stazh pune mësuesve vitet kur kanë punuar nëpër shtëpi-shkolla.

Sot mësimdhënësit e pensionuar marrin vetëm pensionin bazë ose ndihmë sociale nga institucionet, e nuk u llogariten si vite pune ata vjet të vështirë, kur nën shtypjen më të egër mbërritën të mbajnë gjallë arsimin shqip.

Edhe pse ekziston një vendim i Qeverisë së Kosovës për njohjen e këtyre viteve si stazh pune, vendimi i 2/20 i majit të vitit 2008, ai nuk po gjen ende zbatim. Draft-ligji për pensionet nuk e specifikon njohjen e viteve të punës gjatë ’90-’99. Neni 8, pika 1.2 thotë  se të drejtën në pesnsion kontributpagues të moshës e realizojnë të gjithë përsonat që kanë  së paku pesëmbëdhjetë vite stazh pensional para datës 01.01.1999, prej të cilave 7 vite e 7 muaj duhet të jenë  stazh pune në Kosovë, por nuk thuhet që këtu hyjnë  edhe vitet e punës në ’90. Pos të tjerash, në bazë  të këtij përkufizimi, të drejtë pensioni do të  mund të gëzojnë njësoj edhe policët serbë të cilët kanë rrahur e torturuar shqiptarët.

Mësimdhënësit e pakënaqur me këtë, së  bashku me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit të Kosovës kanë mbledhur mbi 12 mijë nënshkrime përmes të cilave kërkojnë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që: të vlerësojë validitetin e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99; Të zgjidhë statusin e të punësuarve në sistemin arsimor shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (të mësimdhënësve, të personelit udhëheqës dhe personelit tjetër të punësuar në shkolla, të punësuarve në sekretariatet-këshilla komunale të arsimit, ente pedagogjike komunale dhe republikane si dhe në Ministri të Arsimit të Republikës së Kosovës, të pronarëve të shtëpive shkolla dhe të punësuarve në këshillat e financimit dhe ato shëndetësore); Që statusi i të punësuarve në arsimin shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 të barazohet me statusin e personave të merituar në rezistencën kundër pushtuesit serb, ky status të rregullohet me ligj.

Trajtimi që pushteti aktual në Kosovë  po ia bën kësaj kategorie, është i papranueshëm. Lufta e tyre nuk përfundoi me mbarimin e luftës. Ata sot janë të detyruar të vazhdojnë të luftojnë për njohjen e punës së tyre dhe për ruajtjen e dijnitetit të tyre. Kudo në botë akti i tyre heroik do të kishte merituar përkujtim e shpërblim të veçantë, ndërsa në Kosovë pushteti politik kërkon që të harrohet rezistenca. E po u harrua rezistenca, në kujtesë mbetet vetëm poshtërimi. Për sa kohë qeveria zgjedh të harrojë kontributin e tyre, mbetet detyrë e gjithë shoqërisë sonë që t’i mbështesë këta mësues në betejën për të fituar të drejtën e pensionit edhe për vitet e ilegalitetit, e për të fituar një trajtim dinjitoz e të drejtë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 27, 2013 nga te Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: