rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Aleancat në kohën e kolerës

Boiken Abazi

Në Republikën e Shqipërisë ka plasur kolera. Po kjo prej kohësh nuk përbën lajm për popullin dhe politikën zyrtare. Kolera godet fillimisht zorrët e barkut. Ajo është vdekjeprurëse, por nuk i vret të gjithë. Ka parti politike si PD-ja, dhe partitë e koalicioneve të saj, që jo vetëm janë infektuar herët por edhe e kanë përhapur të parat këtë sëmundje me të cilën janë mësuar, e pa të cilën nuk bëjnë dot. Parti të tilla justifikojnë veten duke treguar me gisht simptomat e kolerës që shfaqen rregullisht edhe tek PS-ja dhe satelitët e saj. Këta të fundit mburren njëzëri duke argumentuar se nuk u janë qelbëzuar zorrët deri në fund, nuk dalin bark çdo ditë, nuk vjellin helm për natë dhe nuk u kanë dalë aq shumë njolla surratit sa partive në qeveri që i ka shplarë kolera. Mes këtyre dy grupimeve të mëdha, ka edhe parti si LSI-ja që janë edhe pasojë edhe shkak i përhapjes së sëmundjes nëpër të gjitha organet shtetërore. Së fundmi, janë formuar edhe parti si AK-ja që drejtohen nga një kryetar për të cilin dyshohet se ende nuk e ka marrë veten nga infektimi në KQZ-në kolerike të vitit 1996. Ndërkohë, zgjedhjet në kohën e kolerës afrohen, aleancat e vjetra prishen, të rejat formohen dhe populli zemërohet dhe hutohet.

Kjo sëmundje e partive aktuale politike nuk mund të luftohet pa gjetur zanafillën e saj dhe kushtet që e mbajnë në jetë. Që në vitin 1993 RSH iu fut rrugës së programeve të rregullimit strukturor të caktuara nga FMN-ja, dhe të mbështetura fillimisht nga PD-ja e më pas nga të gjitha partitë kryesore të vendit. Këto programe ia mohuan njëherë e mirë RSH mundësinë për të patur një tranzicion më të lehtë duke prerë në mënyrë drastike të gjitha shpenzimet publike, duke shkatërruar arsimin dhe shëndetësinë, duke shitur e privatizuar “për pesë pare spec” të gjitha asetet kryesore dhe duke pëhapur në vend kolerën neoliberale. Nga njëra anë ekonomia e humbi potencialin e saj, dhe nga ana tjetër në politikë u krijua një prej specieve më të egra që ka parë njerëzimi: pushtetarët që biznesin e kanë ngritur përmes politikës dhe politikën e kanë kthyer në biznes, e thënë ndryshe ‘pushtnesmenët’. Këta të fundit janë agjentët kryesor të përhapjes dhe mbajtjes në jetë të epidemisë së kolerës në vendin tonë.

Nuk ka dyshim që Berisha, si nalt-pushtnesmeni, dhe PD-ja duhen larguar me të gjitha mënyrat e mundshme. Pas 97-së, pas kapjes së të gjitha institucioneve shtetërore me ardhjen në pushtet në vitin 2005, pas privatizimeve të egra (si kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike: OSSH-ja) dhe shkatërrimit të ekonomisë, pas shpërthimit dhe viktimave në Gërdec, pas vrasjes së protestuesve në 21 janar, pas vdekjes për çdo muaj të një minatori, pas ligjit të plehrave, pasi njerëzit që pretendon se përfaqëson, dogjën veten nga dëshpërimi në mes të Tiranës, pas kriminalizimit të të gjithë aparatit shtetëror, pas nëpërkëmbjes dhe përdhosjes që i ka bërë çështjes kombëtare, Berisha dhe pushtnesmenët që i vijnë rrotull jo vetëm që duhet të largohen, por duhet edhe të gjykohen dhe të dënohen. Nuk ka si të ketë ende dyshime për këtë. Zgjidhja e problemit ndërlikohet vetëm nga fakti që edhe opozita ka shfaqur rregullisht simptomat e sëmundjes.

Ka momente kur edhe aleancat e përkohshme me armiq të përbetuar janë të justifikueshme. Por a është edhe aleanca e fundit Rama-Meta një marrëveshje ku mjeti justifikon qëllimin: largimin e PD-së? Çështja e aleancës Rama–Meta nuk duhet gjykuar sipërfaqësisht thjesht si formë, por pikësëpari duke analizuar përmbajtësisht PS-në për të kuptuar edhe se cili është qëllimi i kësaj partie përtej largimit të Berishës.

PS-ja synimet e programit të saj politik i ka në rastin më të mirë të ngjashme me “mënyrën e tretë” të Anthony Giddens, që funksionon në nivelin ekonomiko-politik krejtësisht brenda neoliberalizmit dhe e sheh me skepticizëm qoftë edhe një mekanizëm fiskal si tatimi progresiv. PS-ja ka pushtnesmenë që janë vendosur anembanë në krye të komunave dhe bashkive të vendit, në parlament, dhe rreth e rrotull partisë. Edhe tek disa prurje të reja që ka sjell Rama dallohen njollat e kolerës në fytyrë. Me shterpësinë e Giddensit në mendje dhe me pushtnesmenët mbi krye, PS-ja as nuk ka guxuar të vendos në programin e saj politik normat e taksës progresive që ajo vetë propozoi, taksë kjo që do t’ia kalonte një pjesë të barrës pushtnesmenëve. Partia Socialiste nuk shërohet nga kjo sëmundje. Për më keq, përmes atdhedashurisë së tij, Rama ka vendosur të mbështesë negociatat kolonialiste Serbi-Kosovë që bëhen për çështje të brendshme të Kosovës pa një kusht të vetëm për Serbinë. Pra, thelbi i problemit qëndron tek fakti që PS-ja pikësëpari nuk ofron zgjidhje të vërteta, sepse i mungojnë parimet bazë të shëndosha, dhe nga që virusi i ka depërtuar në shumë prej organeve jetësore.

Aleanca me LSI-në nuk mund të jetë asgjë më shumë se një aleancë kolerike që lidh pushtnesmenët e të dyja palëve. Është absurde të mendohet se pas një fitoreje të mundshme të kësaj aleance në betejën elektorale kundër Berishës, Meta do të pendohet e do të vendosë me vullnet të lirë të pranojë dënimin e merituar për gjithë vjedhjet që ka bërë. Si dhe është e pritshme që Meta pikërisht nëpërmjet kësaj aleance do të sigurojë mbrojtjen për veten dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Por edhe pse kjo është e qartë, problemi Berisha mbetet, bashkë me pyetjen se si duhet të veprojmë.

Vështirë të mendohen më shumë se tre mundësi për popullin që përballet me këtë epidemi neoliberale. Mundësia e parë merr dy forma – infektimin me paramendim dhe indiferencën – që japin në fund të njëtin rezultat: përhapjen më të gjerë të sëmundjes. Mundësia e dytë është që në këto zgjedhje të votohet për aleancat kolero-politike të shumë prej subjekteve opozitare që mund të realizojnë rotacionin e pushtetit duke e çoroditur për pak kohë sëmundjen, dhe duke e dobësuar sado pak PD-në. Mundësia e tretë është kanalizimi i zemërimit drejt angazhimit për themelimin e një subjekti të ri politik në Republikën e Shqipërisë, që do të hapte një territor politik të çliruar nga ku mund të nisë lufta e vërtetë kundër kolerës. Në mungesë të një subjekti të tillë emacipues të mirëorganizuar, angazhimi që ndërthur parimin me strategjinë duke ruajtur synimet do duhej të përfshinte ndërthurjen e të dyja mundësive të fundit njëkohësisht. Ata që zgjedhin koalicionet e kolerës, pa u përgatitur edhe për shkatërrimin në një të ardhme të afërt të partive që i kanë ngjizur këto koalicione, bëjnë pjesë ose në grupin e atyre që me këtë sëmundje janë mësuar e nuk i bën më përshtypje, ose në grupin e të infektuarëve të pavetëdijshëm për sëmundjen që kanë.

Në romanit të tij Dashuri në kohën e kolerës, Gabriel Garsia Markez e ka përdorur fjalën “cólera” si një homonim që në spanjisht merr edhe kuptimin e sëmundjes së kolerës të përhapur masivisht në vendin ku zhvillohet narrative e librit, edhe kuptimin e zemëratës së popullit ndaj shtypjes neo-kolonialiste. Në kohën e neoliberalizmit në Republikën e Shqipërsië, ajo që mund t’i kundërvihet aleancave të kolerës është aleanca mes të zemëruarëve ndaj padrejtësisë. Kjo aleancë duhet kultivuar përmes dashurisë për kombin tonë, për kushtetimin e një organizimi të ri që ia kthen popullit besimin tek angazhimi politik. Për intelektualët angazhimi drejt këtij subjekti do të nisë nga mendja, si domosdoshmëri për ta çliruar imagjinatën dhe për ta lidhur mendimin me aksionin politik. Ndërsa për të varfërit ky angazhim do të nisë aty ku godet fillimisht edhe sëmundja e kolerës: nga zorrët e barkut. Zemërimi që lind nga zorrët e mbyllura të barkut nuk duhet nënvlerësuar kurrë. Ky zemërim shumë shpejt mund të transformohet në një zemëratë kolektive të papërmbajtshme. Ky është zemërimi i barktharëve dhe i kokëpalarëve që të organizuar e fitojnë fuqinë për t’i ndëshkuar pushtnesmenët. Kjo është zemërata që mbart me vete të gjithë potencialin për të kthyer një betëjë për bukë, në një përpjekje për drejtësi dhe barazi.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 22, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: