rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Koncepti liberal mbi vlerën – një kritikë nga e majta

Zgjim Hyseni

Si krijohet vlera? Çfarë e krijon vlerën? Ku krijohet ajo, në sferën e qarkullimit, apo në procesin e prodhimit? Është metamorfoza e mallrave si ndryshimi i vazhdueshëm i formës së vlerës, apo puna e papaguar e punëtorit? Janë këto pyetjet themelore që ndajnë dy rrymat kryesore të mendimit ekonomik. Nga përgjigjet e këtyre pyetjeve që siç do të shohim, veç premisave të analizës empirike, reflektojnë edhe pozicionime të ndryshme teorike e politike, lindin dy shpjegime kontradiktore mbi ekonominë: marksizmi dhe liberalizmi.

Për mendimin marksist ndarja themelore midis elementeve që hyjnë në procesin e prodhimit është ndarja midis kapitalit konstant dhe kapitalit të ndryshueshëm, apo thënë ndryshe midis faktorëve sendorë (objektivë) dhe njerëzorë (subjektivë) të procesit të prodhimit.

Në kapitalin konstant bëjnë pjesë elementet e ndryshme që hyjnë në procesin e prodhimit, siç janë: makinat (teknologjia), lënda e parë, gjysmëfabrikatet dhe mjetet e tjera të punës. Këto elemente në masën në të cilën harxhohen, ia kalojnë vlerën e tyre produktit final. Makinat i kalojnë vlerë atij në masën në të cilën janë amortizuar, ndërsa lëndët e para dhe gjysmëfabrikatet sasinë me të cilën i japin përmbajtje këtij produkti. Por, këto materiale, megjithëse disa prej tyre gjatë procesit të punës ndërrojnë formë, thjesht transferohen duke ia kaluar po të njejtën masë vlere produktit final.

Në anën tjetër, kemi kapitalin e ndryshueshëm i cili përbën fuqinë punëtore të kontraktuar paraprakisht nga kapitalisti. Kjo fuqi është e ndarë në dy pjesë: punën e paguar dhe punën e papaguar. Puna e paguar përbën pagën e punëtorit, pagë kjo që kryesisht përbën shprehjen në para për sasinë e domosdoshme të mjeteve për jetesën e punëtorit, pra edhe për riprodhimin e tij që është njëkohësisht edhe riprodhimi i punës që shfrytëzon vetë kapitalisti. Ndërkaq, puna e papaguar (mbipuna), është koha e punës që jep punëtori, punë kjo për të cilën ky i fundit nuk kompensohet përmes pagës. Megjithëse për të  kapitalisti nuk shpenzon asgjë, kjo punë është prodhuese njejtë sikurse puna nga e cila punëtori merr pagën. Prodhimi i arritur nga kjo punë e papaguar quhet mbiprodukt. Me shitjen e mallit, pjesa e tij që përbën mbiproduktin që tashmë është shndërruar në vlerë monetare quhet mbivlerë. Kjo vlerë e re nuk ishte pjesë përbërëse në fillimit të procesit. Ajo nuk bënte pjesë në shpenzimet e prodhimit. Puna pra, është vlera që krijon vlerë. Siç e thoshte Marksi: “Krijimi i vlerës buron nga këmbimi i vlerës me fuqi që krijon vlerë, nga shndërrimi i një madhësie konstante në një madhësi të ndryshueshme. Fuqia punëtore. (Kapitali II, libri 1, fq 296)

Ndryshe nis shpjegimi me ekonominë liberale. Ndarja kryesore sipas tyre qëndron midis kapitalit themelor dhe kapitalit qarkullues. Kriteri dallues midis kapitalit themelor dhe qarkullues është mënyra se si elementet e ndryshme që marrin pjesë në procesin e prodhimit ia kalojnë vlerën e tyre produktit final. Kapitali themelor i kalon vlerë produktit në masën në të cilin ai është amortizuar, por pa pasur nevojë (deri në amortizimin final) që të ndërrohen ekzemplarët e tij pas secilit proces prodhimi. Baza kryesore e elementëve të kapitalit themelor, pra struktura përbërëse mbetet brenda sferës së prodhimit, e palëvizshme. Në kapitalin themelor hyjnë: makinat, mjetet e punës, lokalet e punishteve ku zhvillohet prodhimi etj.

E kundërta ndodh me kapitalin qarkullues: elementët e këtij kapitali konsumohen plotësisht pas secilit proces prodhimi, edhe vlera e tyre tranferohet e tëra në produktin final. Për të siguruar vazhdimin e procesit të prodhimit, për këto elemente duhet avancuar kapital vazhdimisht, sepse ekzemplarët e rinj duhet rifutur pas secilit cikël prodhimi. Elementët e kapitalit qarkullues janë: lënda e parë, gjysmëfabrikatët, paga e punëtorit etj.

Konceptimi liberal mbi vlerën është trajtim i saj shikuar nga pozicioni i kapitalistit. Kur kapitalisti avancon kapitalin e tij, ashtu siç e paguan lëndën e parë dhe mjetet e punës, njejtë paguan edhe punëtorin me mëditje. Për kapitalistin puna e punëtorit është thjesht njëra nga shpenzimet e prodhimit. Ky shpenzim, zakonisht matet me harxhimet e domosdoshme që i kushtojnë punëtorit për jetesë. Por në procesin e prodhimit punëtori kontrakton pagën dhe jep fuqinë e tij punëtore të gjallë si krijuese vlere. E meqenëse krejt çfarë i intereson atij është fitimi në fund të këtij procesi, del sikur fitimi i tij vjen nga avancimi i kapitalit në përgjithësi. “Meqenëse në formimin e dukshëm të shpenzimeve të prodhimit nuk mund të zbulohet asnjë dallim midis kapitalit konstant dhe kapitalit të ndryshueshëm, ndryshimi i vlerës që bëhet gjatë procesit të prodhimit, lidhet në mënyrë të pashmangshme, jo me pjesën e ndryshueshme, por me tërë kapitalin. Meqenëse në njërin pol çmimi i fuqisë punëtore paraqitet në formën e shndërruar të pages, në polin e kundërt mbivlera paraqitet në formën e shndërruar të fitimit.”(Kapitali III, libri 1, fq 47).

Pas këtij citati të shkëputur nga analiza e Marksit, ja ku gjendemi tek nocionet e ndryshme që flasin edhe për konceptimet e ndryshme të së njejtës madhësi.Raporti midis mbivlerës dhe kapitalit të ndryshueshëm jep normën e mbivlerës, ndërkaq raporti midis mbivlerës dhe mbarë kapitalit të avancuar përbën normën e fitimit.

Një huqje tjetër që flet për një shpjegim të përciptë mbi formimin e vlerës paraqet edhe ngatërrimi që bën vetë Adam Smith midis elementëve prodhues (themelor e qarkullues) brenda procesit të prodhimit, gjegjësisht ndryshimin e formës fizike të elementëve të kapitalit prodhues teksa këta të fundit marrin formën e produktit final, me ndryshimin e formave të vlerës së mallit në sferën e qarkullimit, me metamorfozën që pëson malli kur ndryshon formë; është fjala për lëvizjet mall-para dhe para – mall. Gjejmë këtu rastin për të sjellur një nga kritikat që Marksi i bënte dikur Adam Smithit: “A Smith – “Një kapital qarkullues që jep mjetet për mbajtjen e punëtorëve që i prodhojnë ato (makinat)”. Adam Smithi i përcakton mjetet e jetesës së punëtorit si kapitali qarkullues përballë kapitalit themelor sepse ai kapitalin qarkullues në kundërshtim me kapitalin themelor e ngatërron me format e kapitalit që i përkasin sferës së qarkullimit. Prandaj ai e ngatërron kapitalin mall me pjesët përbërëse qarkulluese të kapitalit prodhues;…rrethana që kapitali i harxhuar për pagë i përket pjesës qarkulluese të kapitalit prodhues, dhe në kundërshtim me pjesët e tij themelore ka vetinë e fluiditetit, që për të është e përbashkët me pjesën e faktorëve material të formimit të produktit, dmth me lëndët e para etj – kjo rrethanë nuk ka absolutisht asnjë lidhje me rolin që luan në procesin e rritjes së vlerës kjo pjesë e ndryshueshme e kapitalit në kundërshtim me vlerën konstante….Por meqenëse pjesë përbërëse të kapitalit prodhues, konsiderojnë ashtu si Smithi, jo vlerën që është harxhuar për fuqi punëtore, por atë që është harxhuar për mjetet e jetesës të punëtorit, – për këtë shkak bëhet e pamundur të kuptohet ndryshimi që ekziston midis kapitalit të ndryshueshem dhe atij konstant, pra edhe të kuptohet procesi i prodhimit kapitalist në përgjithësi.

Mistifkimi i mbivlerës ka si shkak edhe përqendrimin deri në përhumbje tek sfera e qarkullimit, sferë kjo ku ndodh realizimi i mbivlerës. Meqenëse në fillim të procesit avancohet kapital i cili me t’u funksionalizuar në prodhim mbarset me mbivlerë, vetëm në procesin e qarkullimit, kjo mbivlerë vjen e realizohet. Nëse kur llogarisin shpenzimet e prodhimit, ekonomia libeale fuqinë punëtore e trajton si një madhësi konstante, pa potencialitetin e saj si krijuese vlere, kur mbërrijmë në fazën e fundit të ciklit, në sferën e qarkullimit, duket sikur teprica e vlerës vjen nga vetë procesi i këmbimit. Dehja nga vallja e qarkullimit të kapitalit ka bllokuar memorien. Efekti i rezultatit të arritur e ka fshirë rrugën që e ka sjellur deri aty.

Meqenëse kapitalizmi është një sistem i tërë marrëdhëniesh prodhimi, edhe fitimi që vjen nga puna e papaguar nivelizohet deri në normën mesatare të fitimit, normë kjo e llogaritur në nivel të prodhimit shoqëror. Së këndejmi, mbivlera që jep punëtori shumicën e rasteve nuk përvetësohet si e tillë, në gjithë madhësinë e saj nga kapitalisti i veçantë. Varësisht nga struktura organike e kapitalit, pra shikuar në përqindje ndarjen midis kapitalit konstant dhe të ndryshueshëm midis kapitaleve brenda një industrie prodhimi, por edhe pjesëmarrjes së kësaj të fundit në ekonominë kombëtare (këta faktorë përcaktojnë shkallën e shfrytëzimit të punës), rëndom ndodh që midis shpenzimeve të prodhimit dhe vlerës së mallit të kemi një sërë çmimesh që mundësojnë shitjen e mallit me fitim mbi nivelin e shpenzimeve të prodhimit, por jo me tërësinë e mbivlerës që ka dhënë punëtori konkret. Ky hendek është vetë hapësira e konkurrencës, e shpenzimet e prodhimit janë limiti i saj. “Nëqoftëse malli shitet me vlerën e tij, atëherë realizohet një fitim i barabartë me tepricën e vlerës së tij mbi shpenzimet e prodhimit të tij, pra, i barabartë me tërë mbivlerën që përmban vlera e mallit. Është e qartë se ndërmjet vlerës së mallit dhe shpenzimeve të prodhimit mund të ketë mund të ketë një varg të papërcaktuar çmimesh shitjeje. Sa më i madh të jetë elementi i vlerës së mallit që përbëhet nga mbivlera, aq më të mëdha janë në praktikë caqet e këtyre çmimeve të ndërmjetme. Ligji themelor i konkurrencës kapitaliste i parakuptuar deri më tani nga ekonomia politike, ligj që rregullon normën e përgjithshme të fitimit dhe të ashtuquajturat çmime të prodhimit që përcaktohen prej saj, mbështetet në këtë diferencë midis vlerës së mallit dhe shpenzimeve të prodhimit të tij dhe në mundësinë që buron prej saj për ta shitur mallin me fitim me një çmim më të ulët se vlera e tij. (Kapitali III, libri 1, fq 48, 49). Si të thuash, punëtori me mëditje edhe në punën e tij të veçantë është i shfrytëzuar nga klasa kapitaliste në përgjithësi. Shfrytëzimi ndjehet në lëkurën e punëtorit, por  mbivlera mbetet diçka abstrakte dhe e pashpjegueshme.

Vijmë kështu tek dallimi midis vlerës së mallit, çmimit të mallrave dhe shpenzimeve të prodhimit.

Vlera e mallit përbën gjithë kapitalin e avancuar bashkë me mbivlerën; këtu përfshihen dy llojet e kapitalit konstant (kapitalin themelor e qarkullues), bashkë me pagën e punëtorit dhe mbivlerën.

Çmimi i prodhimit përbën shumën e shpenzimeve nga kapitali i avancuar, bashkë me normën mesatare të fitimit.

Shpenzime të prodhimit janë vlera e shprehur në para për elementet që avancohen për procesin e prodhimit.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 19, 2013 nga te Dialektikë, Ekonomi dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: