rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Dy figurat e PDK – së

Zgjim Hyseni

Nuk janë Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi. Janë Sami Lushtaku dhe Petrit Selimi.

Nuk do te flasim per rivalitet protagonistësh, do te flasim për komplementaritetin e dy figurave shtypëse që janë dominuese në Kosovë. Figura këto që qendrën gravituese e kanë në PDK, por nuk kufizohen aty: krimineli dhe eksperti i arsyes instrumentale. Dy figura që vijnë nga histori, përvoja, formime e kultura të ndryshme, por i bashkon të konceptuarit e politikës si aktivitet ku avancohen interesat private e personale në dëm të publikut. Megjithëse të ndryshëm në partikularitetin e tyre, ata janë janë njësuar në zhvatjen dhe grabitjen e qytetarëve. I pari është zakonisht ish luftëtar i UÇK – së, komandant i zonës shpesh, por edhe pjesë e strukturave tjera udhëheqëse të luftës.

I mësuar me rregullat militare që imponon secila luftë, me karakter urdhëror e nevojë që të tjerët t’i binden, pa mundësinë më të vogël të reflektimit për dimensionin barazitar të luftës çlirimtare, komandanti i UÇK – së nuk denjoi të merret me shkaqet e motivet politike dhe ekonomike që sjellin kolonizimin. Ai thjesht i përgjigjet dhunës me dhunë. Lufta e tij në terren, gatishmëria për sakrificë janë për konsideratën më të lartë, ashtu siç është mallkim mungesa e përgatitjes politike. Mungesë kjo që rezultoi me kontrollin politik të luftës nga krahu oportunist i Zvicrrës. Por, mbi të gjitha, është ky faktor që me kalimin e kohës kushtëzoi metamorfozën e shndërrimit të çlirimtarit në okupues kriminal.

Spontane ishte nisja e luftës, dorëzim para spontanitetit është përfundimi i saj. A nuk është tregues për këtë themelimi i organizatës ushtarake para asaj politike, por edhe demilitarizimi i ushtrisë për të mbetur partia politike?! Komandanti i UÇK – së nuk u bë dot prijës politik. Ai i përgjigjet shypjes së okupatorit sa për të zënë vendin e tij.

Aq shumë identifikohej pushtimi me çizmen e ushtrisë vrastare, sa liria jonë ishte negative. Thjesht mungesa e ushtrisë serbe, pa u shoqëruar me kurrfarë hapësire që krijon mundësi të afirmimit kolektiv. Liria kolektive u zëvëndësua nga liritë liberale si liria e shprehjes, liria e lëvizjes e liria e zgjedhjes. Censura dhe mungesa e informacionit që kishim në kohën e Serbisë u zëvëndësua nga diskursi ideologjik i manipulimit, ashtu siç ishte lëvizja e lire, liria e zgjedhjes dhe ndërtimi i institucioneve në dëm të lirisë politike për të zgjedhur kuadrin prej nga do të niste bashkësia politike.

Nga shoqëria e mbyllur dhe e izoluar e viteve ‘90, e bazuar tek solidariteti i familjes dhe një shkallë asketizmi e privatësie që ishte pasoje e okupimit të gjithë sferës publike nga Serbia, qershori i vitit 1999 e zuri komandantin e UÇK – së, ashtu si shumicën e popullit të dehur nga iluzionet. Nga mbyllja në privaten familjare si distancim nga regjimi, tek tëhuajsimi i publikes si spektakël i kombinuar me eposin kreshnik që ndërton rrëfimin për bëmat e mëdha të protagonistëve, po ndërtohej ngadalë sakrifica si investim. Realizimi i qenies iu nënshtrua konsumerizmit sendëzues, e lavdia e luftës po i nënshtrohej modeleve të suksesit individual. Sakrifica u bë justifikimi i shtypjes.

Nga lufta për liri që frymëzon çelje dhe subjektivim, erdhëm tek shndërrimi i lirisë në dëshirë që dikton përmbushje automatike, duke mbyllur horizontet në qerthullin vetëpërsëritës. Lufta për çlirim u bë luftë për zotërim. Komandantët e zonave, tash kryetarë komunash, kryejnë funksionin disiplinues të popullit në bazë: kërcënojnë, rrahin, shantazhojnë, punësojnë e shpunësojnë. Ata kryejnë punën e policit.

Figura e dytë, është figura e ekspertit. Nëse i pari kryen punën ku shfaqet dhuna brutale e sistemit, i dyti bën lustrën maskuese. Një nga funksionet themelore të tij është mbyllja e imagjinatës dhe humbja e fuqisë abstraguese për të vlerësuar e vënë në pikëpyetje sistemin shfrytëzues.  Marrëdhëniet e rendit ekzistues na paraqiten si mënyra e vetme normale, madje e natyrshme për të trajtuar problemet. Detyrë e tij është ta shtrijë e ta bëjë të pranueshëm për  popullin dogmën e privatizimit total.

Eksperti është zakonisht i shkolluar jashtë. I pajisur me dijen e perandorisë, vlerat e të cilës janë përbrendësuar aq shumë, ai nuk ka nevojë të provojë as të argumentojë vërtetësinë e gjërave. Ato legjitimohen a priori nga burimi i prodhimit. Ai është bartësi direkt i synimeve tona. Fjalori i tij i rrallë, i kufizuar tek fjalët si integrim, investime të jashtme, imazh ndërkombëtar, është treguesi më i mirë se ekzistenca jonë i është detyruar një qendre jashtë nesh. Nuk është ndërmarrës kapitalist, nuk është as krijues, është vetëm kopjues. Ashtu si në shumicën e vendeve që dolën nga kolonializmi, këta shërbejnë si lidhje midis kapitalit global dhe tregut të brendshëm. Borgjezi compradore u thuhej dikur.

Se baza e përcakton superstrukturën e vërteton edhe rezultati i zgjedhjeve në PDK. Vendin tonë e karakterizon pasuria e krijuar në mënyrë të paligjshme. Kemi pasuri të grumbulluar përmes zhvatjeve e grabitjeve, dhe jo përmes akumulimit të kapitalit. Ne kemi klane mafioze më parë sesa klasë kaptalistësh. Nuk mund ta mendosh ndyshe, teksa e shikon televizorin dhe e sheh Blerand Stavilecin plot shend tek e shpall Kadri Veselin spiunin më të votuar në PDK.

Po kryetari ku është? Cilën figurë e përmbushë Hashim Thaçi? Ai është mjaftueshëm injorant e i pa kulturuar për të plotësuar finesat që kërkon eksperti. E folmja nga provinca është mallkimi i tij. E megjithatë, të qenit figurë përfaqësuese për një kohë të gjatë dhe kontaktet me mediat e “miqtë ndërkombëtarë” nuk e kanë lënë atë të pa ndikuar nga bota e medias dhe spektaklit. Hashim Thaçi është figura hibride që përmban të dy figurat për të mos përmbushur asnjëren tërësisht. Figura e tij, megjithatë, tregon shumë. Mundësinë e kriminelit për t’u bërë ekspert, por edhe potencialitetin kriminal të ekspertit.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 6, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: