rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Parashikime maja-kovskiane

Arlind Qori

Pasi të mbarojnë bakllavanë e bërë me miell hua, të falur a të rrëmbyer fluturimthi në festa të stisura për fakirët, në ditët e para të janarit të varfrit e qyteteve e fshatrave do të rimarrin rrugën e rrugëve, do të shkelin trotuare e buzërrugë, herë ulur galiç, herë me duart lart e herë me kryet ulur dhe do të ripështyjnë tokën ku fati i hodhi të lindin e të zhgërryhen…ç’meriton më shumë kjo tokë?!

Janari është si e hëna, e trishtë, e pangjyrë. Një ditë shkurti, ashtu si papritur, disa punëtorë ngritën krye në një humbëtirë minerare. Thonë se i pari refuzoi të hynte në vrimën për në ferr. U tha shokëve: le të hyjë një herë ky barkderri që tund zinxhirët dhe kërkon ta falënderojmë vetëm sepse një herë në muaj na jep pagë sa për bukë. Thonë që u mblodhën së bashku, shumë e më shumë bashkë, dhe ngritën grushtet. Thonë edhe se barkderri i zinxhirosur u bë meit dhe vrapoi për herë të parë pas sa e sa vitesh. Hajvani, kujtoi se me të vërtetë armiku ishte ai! Armiku ishte ai që i mundëson atij dhe sibarkaxhinjve si ai të fryhen me frymën e tjetërkujt. Ashtu duarlidhur, por tashmë jo pas trupit si skllevër apo të pashpresë, por dorë më dorë si shokë, si bashkëndarës së bukës së shpresës, u nisën fillimisht rrugëve të qytezës së tyre, e më pas rrugës nacionale për në qytetin fqinj, për të përhapur lajmin e mirë.

Në qytetin fqinj, u morr vesh se prej qytezës minerare nuk vinin më vetëm karafila mikroborgjezë për të fituar ndonjë zemër për Shën Valentin, por një turmë burrash, të rropatur e shpresëplotë. Ishte mars. Punëtoret e fasonerive pëshpëritin mes tyre. Për Shën Valentin pronari elegant u kishte dhuruar nga një trëndafil secilës. Fshehtas, larg syve të rrezikshëm, shumë prej tyre e kishin hedhur e shkelur plot duf. Trëndafilin jepja sat shoqeje – ja briti njëra. Ne na mjafton siguracioni. Kështu i zuri marsi shoqet mes tyre, dhe ashtu hodhën tej përparëset, trembën pak të sapopispillosurin zotëri, dhe morën rrugën dorë për dore, e kur duart u qulleshin së mbajturi ngjitur, i ngrinin lart, në formë grushti, siç i mësonte më e vjetra prej tyre, dikur mësuese në fshat.

U hap lajmi kudo se prej qyteteve të humbura po vinin turma njerëzish. Nuk kërkonin nuse, as gjak, as tokë me zënë, as i kish paguar njeri se mjeshtrit e pagesave ishin edhe më të paditur e të tronditur se të tjerët. Flitej se ngrinin grushtet lart, por hajt se mbase është çapkënllëku i radhës për 1 prill. Ama në datë 2, lajmi ngarendej, aq sa pëshpëritej se në qytetin tjetër po zienin studentët. Dikush si me shaka kishte grisur një poster të lapërdharë diskoje për ardhjen e pranverës dhe për provokim kishte vendosur një trakt bardhezi. Ishin mbledhur të shumtët, e lexonin në grup, e shpërndanin dorë më dorë. Kërkonin kushte më ta mira, klasa, bibliotekë, zhdukje tarifash, pjesëmarrje në vendimmarrje, e mbi të gjitha drejtësi për veten dhe mbarë shoqërinë. Gumëzhinin klasat, mblidheshin asamble, shpalleshin qëllime, dilnin heronj të panjohur që gëzonin famë veç për pak se menjëherë dikush tjetër shquhej për vendosmëri. Dhe ashtu, dorë për dore, dhe kur sikletoseshin, me duart grusht lart, morën rrugën e trimërisë, në prillin e trimërisë.

Lasgushianët prisnin që pas prillit të trimërisë t’ia behte maji i dashurisë. Mirëpo këto s’ishin kohëra për Lasgushin. Lasgushi i përket së ardhmes. Tash është koha e Majakovskit, barrikadave në qytete, poezisë që mbërthen trupat dhe i rreshton në marshe drejt emancipimit, çlirimit, barazisë. U dëgjua zëri edhe në fshatrat përreth. Disa gra, më fatlumet nga druri bashkëshortor, megjithëse po aq kurrizdala sa shoqet e tyre, u flisnin të tjerave. U thoshin që s’duhet duruar më. Boll me minibejlerët shtëpiakë që kërkojnë t’u jemi mirënjohës kur s’na zhdëpin apo na lejojnë të hamë në një tryezë me ta. Po po, ata zotërucët e oikosit, që me të dalë rrugëve të polisit bëjnë gara lakejsh se kush i përkëdhel më shumë sedrën horrit të fshatit, atij që thonë se e ka kushëririn peco gros në qytet, që për zgjedhje vjen me një zogori qensh nga pas dhe shpërndan miell e kërcënime lart e poshtë. Ja ashtu, pa hequr përparësen, me buzëkuqin demode të vënë si mos më keq, ama me zemrën gjak nga zjarri, me duart lidhur bashkë, me hapa gjithnjë e më pak të ndrojtur nisen rrugës së qytetit.

Është qershor. Tashmë kanë mbërritur të gjithë te portat e qytetit të madh. Aty thonë se bëhet nami. Aty nginjen të fuqishmit, padronët, zotërinjtë, këngëtarët, prostitutat e regjimit, mikroborgjezët, të deklasuarit e rënë nga fiku dhe që shohin ëndrra sikur janë në majë të fikut. Thuhet se aty bëhen zgjedhjet. Portat e qytetit të madh ua hap një grup veteranësh, ish-korrierë partizanë, trup-e-shpirt të helmatisur. Në maj kishin parë për herë të fundit pllakat mortore të Qemalit, Margaritës, Vasilit…por tash, përtej portave të qytetit të madh po u dukeshin të ringjallur, edhe më largpamës se Qemali, edhe më të bukura e shpresëplota se Margarita, edhe më të guximshëm se Vasili. Ashtu, herë dorë më dorë, e herë me duart grusht, minatorët, punëtoret, studentët, fshataret, veteranët, lypësit e qytetit, romët…populli po marshonte frikshëm për në sheshin e madh. Kush nuk ishte në rrugë, përgjonte pas dritareve, ca me frikë reale për ato ç’kishin kurdisur për dekada në kurriz të marshueseve, e ca të tjerë nga frika që ka çdo kafshë servile nga ndryshimet e befta dhe të pakontrolluara të situatës.

Gëzuar 2013! Mos u merakosni se jetojmë ende në kohërat barbare ku më të afërta duken parashikimet e majave sesa kumtet majakovskiane.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 31, 2012 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: