rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

S’ka kjo lidhje as me Zotin as me homoseksualitetin

Besnik Pula

Javën që shkoi Prishtina ishte dëshmitare e disa incidenteve të rënda, që erdhen pasi revista “Kosova 2.0” tentoi të organizonte lansimin e numrit të saj me temë seksin. Lansimi i revistës do të përcillej me një debat publik në të cilin do të flitej (dhe u fol) edhe për homoseksualitetin. Rastisi që ky eveniment të ndodhte në të njëjtën kohë që organizata për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT (ang. lesbian, gay, bisexual and transgender) “Libertas” po zhvillonte një fushatë për vetëdijësimin e shoqërisë mbi praninë e lesbikeve, gejëve, biseksualëve dhe transgjinorëve në mesin e tyre. Duket se kjo mjaftoi për të indinjuar disa lëvizje fetare islamiste, por edhe tifozët e “Plisave”, jo vetëm për të protestuar kundër mbajtjes së evenimentit të “Kosova 2.0”, por edhe për të nxitur një grup huliganësh që të sulmojnë dhe demolojnë sallën ku po mbahej debati. Jo vetëm kaq, por protestat jashtë sallës së Pallatit të Rinisë dhe kërcënimet e vazhdueshme detyruan organizatorët që të ndërpresin evenimentin, nga frika për sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve. Vetëm pas pak ditësh, një grup tjetër huliganësh sulmuan zyrën e “Libertas”, rrahën disa aktivistë dhe u futen brenda me dhunë duke shkatërruar inventarin.

Në një mënyrë, dështimi i evenimentit të organizuar nga “Kosova 2.0” ishte më i suksesshëm në ngritjen e disa çështjeve fundamentale shoqërore në Kosovë se sa vetë organizimi i debatit, që, duke i njohur debatet e tilla të OJQ-ve kosovare, e imagjinoj të bëhej si zakonisht, shterp dhe jointeresant. Na mbetet më shumë për të mësuar nga ky incident, por edhe të shohim rreziqet e thella që Kosova ka përpara si shoqëri, nëse vazhdon udhën e nisur të shtetit të dobët e të kriminalizuar, një shoqëri të cinizmit dhe të pashpresës, dhe të një ekonomie që funksionon (kryesisht në forma jo-legale) për një pakicë ndërsa përjashton shumicën.

E para është reagimi imediat ndaj zhvillimeve. Ndonëse në rrjetet sociale ka patur debat të madh rreth incidentit (ku ishte i përfshirë edhe autori i këtyre rreshtave), reagimi kryesor pritet në radhë të parë nga organet e policisë, të cilët duhet të zbulojnë jo vetëm sulmuesit, por edhe frymëzuesit e tyre të mundshëm. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe Kodi Penal i Kosovës, shprehimisht ndalon dhe bën krim të dënueshëm përhapjen e gjuhës së urrejtjes kundrejt cilitdo grup shoqëror, si dhe dhunën e ushtruar ndaj kategorive të caktuara shoqërore me motiv urrejtjen dhe mosdurimin. Ky është një test për Republikën e Kosovës që të dëshmohet në gatishmërinë e vet për t’i zbatuar këto ligje që e kërkojnë këto dy raste.

E dyta, ndonëse e drejta e protestës nuk bën t’i mohohet askujt, incidenti i sulmit huligan është shqetësues. Mbesim me shpresë se ky është rast i izoluar dhe nuk do të përsëritet më, mirëpo do të bëhet edhe më shqetësues pikërish nëse nuk ndalohet qysh në fillim dhe paraqet nisjen e një trendi të ri të dhunës kundër grupeve shoqërore dhe individëve që dikush vendos t’i shpallë “të rrezikshëm për moralin e shoqërisë”.

Për fat të keq, dhunën e grupeve të vogla të meshkujve të rinjë po shohim gjithnjë e më shumë në mbarë Evropën në epokën e krizës së përgjithshme ekonomike, që nga lëvizja “Jobbik” në Hungari deri tek “Agimi i Artë” në Greqi, për të mos folur për lëvizjet e ndryshme neo-fashiste që tashmë ekzistojnë në rajon. Në secilin rast, këto grupe njihen për urrejtje dhe dhunë kundër minoriteteve, imigrantëve, homoseksualëve, opozitarëve liberalë e të majtë – që, sikur huliganët e Prishtinës, besojnë se këto grupe po e “cenojnë dhe prishin moralin e shoqërisë” dhe janë fajtorë për shthurrjet ekonomike, shoqërore, morale e politike në të cilat po kalojnë vendet e tyre.

Në incidentet e ditëve të fundit është jashtëzakonisht shqetësuese edhe gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet që iu bënë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të evenimentit të “Kosova 2.0”, e të mos përmendin fare dhunën e drejtpërdrejtë që u ushtrua kundër aktivistëve të “Libertas”. Natyrisht, çështjet publike që lidhen me seksualitetin, dhe sidomos tolerancën dhe pranimin e orientimeve seksuale që dalin jashtë normave dominante heteroseksuale janë të ndjeshme në çdo shoqëri, por ato kalojnë në një rrafsh tjetër kur për ta “luftuar” diskutimin publik të çështjeve të tilla, ekzistojnë grupe që janë të gatshme të përdorin edhe dhunën, qoftë ajo edhe verbale – sikur turma e së premtës së kaluar që brohoriste, “jashtë pederat!”.

Megjithatë, unë shkaqet e kësaj dukurie nuk do t’i kërkoja vetëm tek besimet ose bindjet e individëve ose grupeve të caktuara. Duhet të shkojmë një hap më tej dhe të pyesim për origjinat shoqërore e ekonomike të rinisë kosovare që është kapluar nga radikalizmi dhe fanatizmi, qoftë ai fetar, nacionalist ose maskulinist.

Të nisemi nga disa shifra, që janë jashtëzakonisht shqetësuese: nga 256 mijë të regjistruar si të papunë nga Ministria për Punë dhe Çështje Sociale, 114 mijë, ose rreth 45%, janë të rinj midis moshës 15-39 vjeçare. Këta janë njerëz, në moshën më produktive të jetës, që janë “ndëshkuar” me përpjekje të vazhdueshme, por gjithnjë të dëshpruar, për të mbijetuar, për të gjetur veten dhe për të siguruar një të ardhme. Ç’është më e keqe, rreth 148 mijë, ose rreth 57 për qind e të gjithë të regjistruarve nuk kanë asnjë kualifikim, çka i bën gjithnjë e më tepër të “papunësueshëm” edhe në një treg normal të punës, një “papunësueshmëri” që rritet në mënyrë eksponenciale për individët që kalojnë nga të njëzetat e hershme në të tridhjetat e vona. Dhe këto janë vetëm shifrat zyrtare, pa përfshirë edhe dhjetëra mijëra të tjerë të papunë që nuk shohin asnjë vlerë që të regjistrohen pranë Zyrave për Punësim të MPÇS-së, e që do ta jepnin një pasqyrë edhe më alarmante të gjendjes së një pjese të konsiderueshme të rinisë së këtij vendi.

Kundrejt imazhit të të rinjve të kamur që qeveria i reklamon si “Young Europeans”, realiteti për një pjesë të madhe të rinisë (mashkullore) kosovare i ngjan më tepër ekzistencës si pjesëtarë të një nënklase (underclass) të papunësh dhe gjithnjë e më shumë të pashpresë. Barra e tyre nuk është vetëm personale dhe individuale, pasi që të papunët zakonisht nuk janë vetëm individualisht të papunë, por vijnë nga familje që janë kolektivisht të margjinalizuara në pikëpamje ekonomike. Me kalimin e kohës, kohë që gërryen shpresën, kohë që shton zhgënjimin me format “legale” dhe legjitime të mbijetësës ekonomike, kohë që ushqen cinizmin, kohë që lë, sidomos të rinjët, nën mëshirën e subkulturave maskuliniste të margjinalitetit urban (kundrejt disiplinës trupore dhe mendore që imponon, p.sh., puna në uzinë), kohë që duhet të plotësohet me aktivitete “joproduktive” si kalimi i ditës në sallonet e lojërave të fatit, tifozllëkut sportiv në kafiteri margjinale të qytetit, ndonjë pune të përkohshme që nxjerr ndonjë euro, dhe aktivitete të tjera që bëhen në shoqërinë e bashkëvuajtësve të tjerë të dënimit në jetë margjinaliteti. Kjo kohë disa i gjen t’i kthehen edhe aktiviteteve ilegale, duke filluar nga vjedhjet e imta njëherë, eventualisht në forma më të sofistikuara dhe të organizuara (dhe shumë më të shpërblyera) si trafikimi.

Mirëpo ajo është më esenciale është se në kushtet e margjinalitetit ekonomik të imponuar me vite, rezulton natyrshëm vobektësia ekzistenciale dhe shpirtërore, e cila, sidomos tek të rinjtë, si një lloj ngushllimi (dhe një lloj zhvendosje e problemit nga kontradiktat shoqëroro-ekonomike), plotësohet me radikalizëm ideologjik, qoftë ai fetar, nacionalist, maskulinist ose (siç është më shpesh sipas studimeve empirike) një çorbë ideologjike me elemente nga të gjitha këto. Mizogjinia, homofobia, shovenizmi etnik dhe fetar dhe urrejtja për “më të vegjlit” është produkt i drejtpërdrejtë i këtij vobektësimi social dhe margjinalizimi shoqëror. Të zhvlerësuar fare nga shoqëria, të rinjët radikalë valorizojnë veten si “mbrojtes të moralit”, një lloj pararoje shoqërore e shoqërisë që, ironikisht, i ka dëbuar vetë ata.

Mesazhi për fund është se, incidentet e “Kosovo 2.0” dhe të “Libertas” duhet t’i shohim si simptoma të drejtpërdrejta të dështimeve në rrafshin politik dhe ekonomik. Përgjegjësia imediate për dhunën i takon atyre që e zbatuan dhe e nxiten, por përgjegjësia shoqërore i takon atyre që po dëshmohen më të interesuar t’u ngasin interesave të tyre të ngushta parapolitike, partiake e korruptive se sa të ardhmes së rinisë së këtij vendi. Korrupsioni i gjithanshëm, një sistem arsimor i dështuar dhe i demoralizuar, krimi i organizuar që ka kapur shtetin dhe sistemin e drejtësisë, plaçkitjet dhe keqmenaxhimi i buxhetit dhe i resurseve të këtij vendi janë dëme që nuk llogariten vetëm në euro. Dëmi i pallogaritshëm është i jetërave të reja të shkatërruara dhe të humbura para se ta kenë mundësinë e lulëzimit, të të rinjve që nuk u jepet shansa për të realizuar potencialet dhe ëndrrat e tyre, për të bërë një jetë të dinjitetshme, për të ndërtuar veten, familjet dhe shoqërinë e tyre, dhe për të qenë bashkëpjesëmarrës të barabartë në një shoqëri demokratike, indvidë e qytetarë që kontribojnë në këtë shoqëri vlerat, idetë dhe besimet e tyre. Pyeteni vetën kështu: pavarësisht qëndrimeve shoqërore kundrejt homoseksualitetit dhe debateve të hapura për tema “tabu”, a mendoni se do të gjehej pranë një masë të rinjësh si ajo që protestoi kundër evenimentit të “Kosova 2.0”, sikur të kishim një rini të zënë në punë nëpër fabrika, laboratore e banka? Sigurisht se jo, që domethëne se në kushte dhe rrethana të tjera shoqërore, edhe kundërshtitë do të shpreheshin në forma tjera të organizuara dhe, nëse mund të shprehem kështu, më civile. Pra, le të gjykojmë incidentin, por le të mendojmë edhe për origjinat sociale, ekonomike e politike të rinisë së pezmatuar, le ta drejtojmë gishtin kah ajo udhëheqësi që në mënyrën më të paskrupullt dhe më të papërgjegjshme e kanë shndëruar një pjesë të madhe të rinisë së këtij vendi në viktima të privimit material e mjerimit shpirtëror, e që ua kanë vjedhur dhe në vazhdimësi po ua vjedhin të ardhmen.

Advertisements

Një koment te “S’ka kjo lidhje as me Zotin as me homoseksualitetin

  1. Leni
    Dhjetor 25, 2012

    Ndaj komunitetit LGTB : Më mirë pak ashpërsi se tolerancë e tepruar . Komuniteti LGTB përbëhet nga njerëz me standard të mirë që nuk i kan problem vizat . Le të shkojnë në vendet që i presin krahë hapur . Kosova akoma nuk është ambient i pështatshëm për ta . Eshtë mirë që s’është !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: