rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Seksi dhe Republika

Gent Carrabregu

Në kohën kur Republika—vetë gjëja e interesit të përgjithshëm publik—është privatizuar pamëshirshëm nga Hashim Thaçi dhe klani i tij, ndërmarrësit moralistë liberal-humanitarë të shoqërisë civile në Kosovë vendosën të përgjigjen duke pranuar Thaçizmin si hegjemonik dhe duke e dërguar atë edhe një hap më tutje. Meqë Republika është privatizuar, gjykuan këta, ta shndërrojmë në publike, me qëllim skandalizimi dhe jo edukimi, atë që rëndom mbrohet si sferë private e ekzistencës së njeriut (jo vetëm tek shqiptarët!): seksin dhe tabunë historike rreth tij. Për të qenë edhe më ironike e gjithë kjo punë, liberal humanitarianët kosovarë u kujdesën që dënimin e dhunës nga ana e Hashim Thaçit disa ditë më pas të na e paraqisnin si gjest qytetar për t’u vlerësuar, i ndërmarrë përtej kalkulimeve elektorale, duke harruar me këtë rast që ky ka kohë që nuk bën kalkulime të tilla sepse votat i vjedhë industrialisht. Paradoksalisht (ndonëse vetëm në shikim të parë, siç do të shohim më poshtë), në anën tjetër, nga po të njëjtët, u kritikua Lëvizja Vetëvendosje për dënim “të pamjaftueshëm” të dhunës së shfaqur më 14 dhjetor, lëvizje politike kjo që punon me përkushtim për drejtësi, barazi dhe liri shoqërore për të gjithë, pa dallim. Mendja e shëndoshë nuk ka si të mos pyesë: si ka mundësi?

Kjo shfaqje nuk është pa dirigjentë dhe këta dirigjentë janë gjithçka përpos do veprimtarë të interesuar sinqerisht dhe kuptimësisht në betejën për emancipim të përgjithshëm shoqëror. Po të ishin të tillë, do të kishin mësuar të paktën mësimin më të famshëm hegelian, i cili thotë, “absolutja nuk mund të gjuhet si plumbi prej pistolete.” Çfarë do të thotë kjo fjali në dukje mjaft e mistershme? Me absoluten Hegeli nënkupton dijen konceptuale (filozofike) apo stadin më të lartë të vetëdijes njërëzore, vetëdijes që e njeh veten si të tillë. Në paçim mësuar vetëm një gjë nga Fenomenologjia e Frymës, kjo është që rruga deri tek kjo absolute është e ngadalshme, e lodhshme, dhe madje edhe e përgjakshme sepse, siç thotë Hegeli në një tjetër formulim në dukje të mistershëm, “vetëm vetëdija njerëzore mund të pësojë dhunë në duart e veta”; është rruga e edukimit të vetëdijes njerëzore, pra, ajo që s’mund të gjuhet si plumbi prej pistolete; apo, për ta vënë në terma të filozofisë politike, duke qenë që për Hegelin mendimi dhe qenia përfaqësojnë një unitet të pandashëm, është rruga drejt lirisë ajo që nuk gjuhet dot prej pistolete. Prandaj, në leximin hegelian, sfidimi në Perëndim, nga vitet ’70 e këndej, i normës së ndarjes së pabarabrtë gjinore të punëve shtëpiake nuk është një zbulim arsyet në favor të të cilit prisnin të nxirreshin nga sirtari; aq më pak prej do farë ndërmarrësish moralistë si këta të Kosovo 2.0, të cilët, për më keq, të pozicionuar rehat në një shtresë të mesme që për mungesë prodhimi vendor është më shumë me vetëdije statusore sesa klasore, Kosovën e shohin jo rrallë si të ishte një Prishtinë e vockël që fillon e përfundon tek lagjja e kafeneve, ku këta pijnë sëbashku makiatot e famshme që zëvendësministri i punëve të jashtme Selimi i ka bërë pjesë të fushatës lobuese për shtim njohjesh.[1] Si sfidimi i ndarjes së pabarabartë të punëve shtëpiake, ashtu edhe sfidimi i secilës normë të padrejtë shoqërore, kudo dhe kurdo, mund të kuptohen vetëm si arritje tërësisht historike dhe shoqërore të vetëdijes kolektive; arritje këto që mund të vijnë vetëm përmes një procesi të gjatë, të ngadalshëm e të lodhshëm të betejës për emancipim shoqëror të udhëhequr e artikuluar nga lëvizje të ndryshme shoqërore që duke besuar në barazinë e mendjeve i thërrasin racionalitetit të popullit përmes forcës së argumentit më të mirë.

Ndërmarrësit moralizues të revistës Kosovo 2.0 dëshmuan që këtë mësim elementar hegelian ose e kanë huqur ose nuk duan ta pranojnë sepse nuk u shkon për shtati. Jam i prirur të besoj që e dyta është më e vërtetë sesa e para; dhe kjo për dy arsye objektive: 1) këta janë njerëz me kapital kulturor të mjaftueshëm për të ditur ca gjëra, dhe 2) si shtresë e mesme statusore dhe jo klasore, këta janë domosdoshmërisht kundër punës së vështirë, të ngadalshme e të lodhshme emancipuese për edukimin e vetëdijes kolektive (si ajo, për shembull, në të cilën angazhohen çdo ditë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje). Duke qenë mjaftueshëm të edukuar, këta nuk kanë si të mos e kenë mësuar fabulën e mësimit hegelian dikund përgjatë shkollimit të tyre sepse vërtetë që nuk është e domosdoshme të kesh lexuar Hegelin për të ditur që edukimi i vetëdijes njerëzore, si asaj individuale ashtu edhe asaj kolektive, është vetë historia e përgjakshme e njerëzimit në drejtim të lirisë dhe barazisë, të cilën e kemi mësuar që nga shkolla fillore e tutje. Prandaj, dështimi i tyre në këtë rast mund të shpjegohet vetëm objektivisht dhe strukturalisht. Duke qenë shtresë e mesme me vetëdije statusore këta nuk kanë llogari të angazhohen në betejën e vështirë për emancipim të përgjithshëm shoqëror sepse buka dhe makiatoja e tyre vjen nga axhenda vetëpromovuese mediale e cila beson në barazinë e opinioneve, por kurrsesi të mendjeve; prandaj organizojnë ngjarje sensacionale qëllimi i vetëm i së cilave është provokimi i publikut dhe promovimi i vetës së tyre si opinionistë të dallueshëm dhe jo komunikimi mes të barabartëve. Në vend të tribunës, këta jo rastësisht organizojnë evente. Tribuna postulon barazinë e mendjeve dhe për kriter gjykimi mban racionalitetin; eventi postulon barazinë e opinioneve dhe për kriter gjykimi mban krenarinë për dallueshmërinë e thjeshtë të opinionit—sa më i dallueshëm aq më mirë!

Kosovo 2.0 u përkujdes të vinte në skenë aktin e dytë (2.0) të ngjarjes skandaloze që me të drejtë shqetësoi qytetarët (1.0)—përmbajtja e përgjimeve, të qarkulluara publikisht, të bisedave të Thaçit me klanin e tij, e cila ndër të tjera ishte mjaft trazuese edhe për faktin e bujarisë me të cilin shaheshin nënat e protagonistëve. Akti i dytë i kësaj tragjedie, siç na mëson historia, s’kishte si të vinte ndryshe pos si farsë—më saktë, si përpjekje për falsifikim të betejës së emancipimit shoqëror përmes protagonizmit vetëpromovues të ndërmarrësve moralizues liberal-humanitarë. Skandali i vërtetë u zëvendësua kështu me skandalin falso dhe kjo ofroi domosdoshmërisht edhe skenën për rehabilitimin e vetë kryeministrit skandaloz, i cili tash u duartrokit nga liberal-humanitarianët për guximin qytetar në dënimin e dhunës së 14 dhjetorit! Prandaj, vetëm në shikim të parë duket paradoksale që moralizuesit liberal-humanitarë të shoqërisë civile vunë në shënjestër të kritikës së tyre, pothuajse njëkohësisht me dhunuesit që prishën eventin—e të cilët është triviale t’i dënosh verbalisht sepse nuk ke si të mos i dënosh—edhe Lëvizjen Vetëvendosje, respektivisht “dënimin e pamjaftueshëm” të saj. Nëse asgjë tjetër, falsifikuesit vetëpromovues të paktën thirrjen autentike për vetëvendosje mund dhe duhet ta dallojnë qartë.

 

 


[1] Vështruar nga ky kënd, neoliberalizmi i egër Thaçist mund të kuptohet edhe si përmbysje e politikës ekonomike tradicionaliste Rugoviste (gjithnjë duke supozuar që ky e kishte vërtetë seriozisht!) që theksonte prodhimin vendor (madje atë bujqësor dhe blegtoral)—dardhat, djathin, specat turshi, qenin e Sharrit—dhe zëvendësimin e saj me një mall tregtar, sikurse makiatoja, që nuk ka kurrfarë lidhje me prodhimin vendor. Metafizika neoliberale e Thacit e artikuluar përmes makiatos së Selimit është, në këtë pikë, mjaft konsistente me pjesën tjetër të politikës ekonomike të qeverisë së tij—privatizimin plackitës të pronës publike.

Advertisements

9 komente te “Seksi dhe Republika

  1. Pingback: Seksi dhe Republika « Vita Contemplativa

  2. For the trush
    Dhjetor 25, 2012

    Nji analize e mire e personave qe kane organizu eventin, po lidhja e saj me Thaqin e me Vetvendosjen – pak e pa vend. Tjetra, personat ne fjale s’e quajn veten liberal e edhe ma pak humanist.

  3. Agon Maliqi (@AgonMaliqi)
    Dhjetor 25, 2012

    Me duken goxha problematike perpjekjet per ta trajtuar betejen per emancipim shoqeror permes nje qasjeje te tille historiciste – qasje e cila, e veshur me ate arrogancen epistemike qe i shkon per shtati vetem shkencave ekzakte, i trajton proceset shoqerore dhe politike sikur te ishin formula matematike, me ndryshore lehtesisht te zbulueshme permes thellimit ne “dije” dhe dogme. A eshte e mundur qe na qenka kaq lineare dhe njedimensionale trajektorja e betejes per emancipim shoqeror, duke pasur si personazhe pozitive vetem “kaloresit epik” qe po e zoterokan “te verteten absolute”, dhe si personazhe negative kedo qe shpreh ndonje lloj mospajtimi ?

    Ne gjithe kete mesele po e shoh nje perpjekje te padrejte te llojit te se majtes te cilen ti e perfaqeson per ta monopolizuar betejen per emancipim shoqeror. Jane tre probleme kryesore:

    a) Mbi premisa shume te ngushta ideologjike po definohen nocionet e emancipimit dhe te shoqerise se drejte te synuar (ne fakt, nuk e di nese mund te kete dicka me kontradiktore me emancipimin, lirine dhe mireqenien e njeriut sesa insistimi ne nocionin e absolutes);

    b) Mbi bazen e ketyre nocioneve te monopolizuara po zberthehen arbitrarisht hierarkite e prioriteteve dhe strategjia politike drejt emancipimit.

    c) Krejt ne fund po identifikohet dhe izolohet nje (dhe vetem nje) force si shtytese e vertete drejt emancipimit, dhe po trajtohen me qasje patronizuese te gjitha forcat e tjera progresive si dofare reaksionaresh qe i jane nenshtruar me vetedije “hegjemonise” dhe qe nuk synojne asgje me teper sesa ruajtjen e pozicionit te tyre te rehatise. Ne kete pike, para se t’i paragjykosh dhe percmosh njerezit qe kane bindje te tjera, te ftoj ta vertetosh me mjete empirike se sa rehat ndihen ata me jeten ne Kosove. Te ftoj vecanerisht te flasesh me ata qe para disa ditesh u rrahen, leviznin me mbrojtje policore dhe u kercenohej jeta – dhe e bene gjithe kete, natyrisht, vetem per t’ia turbulluar ujerat “rezistences se vertete”, sepse po te mos terhiqej vemendja prej skandaleve, qeveria do te rrezohej menjehere, ashtu sic ka rene shume here deri tash (me vajtime qaramane ne Facebook).

    Per fund: a mos po flirton pak si shume kjo “forca perfaqesuese” e “absolutes se emancipimit”, per motivet e saja politike, me mbeshtetesit e asaj absolutes tjeter te erresires (islamin politik), apo edhe me gjithe ato elemente absolutisht ksenofobe dhe urrejtese ndaj cfaredo forme te diversitetit? Sado qe nga kuti im pragmatist keto flirte hipokrite ndonjehere edhe mund te duken si strategji legjitime politike ne rrugen drejt pushtetit, ato megjithate ia humbin VV-se dhe mbeshtetesve te saj cfaredo te drejte morale per t’i gjykuar dhe percmuar ata qe bindjet dhe strategjite e tyre progresive i shtyejne permes qasjeve te ngjashme pragmatike.

    Pra, pozicionimi kalkulues i VV-se ne rastin e fundit me Kosovo 2.0 kundermon moralisht jo pse mua me duket keshtu. Por, ne menyre krejt ironike dhe paradoksale, ky pozicionim kundermon moralisht pikerisht kur shihet permes standardeve te moralit politk te percaktuara nga vete VV-ja, ku si kriter themelor eshte vendosur lufta e pakompromis per ideale dhe percmimi i cfaredo kalkulimi me motive realpolitike. Me fjale te tjera: ne rastin e fundit, ashtu si edhe ne shume raste te tjera, VV-ja e beri pikerisht ate qe ajo dhe mbeshtetesit e saj – duke te perfshire ketu edhe ty me kete shkrimin tend – e konsiderojne si te pamoralshme te te tjeret.

    Te pershendes.

  4. Gent Carrabregu
    Dhjetor 25, 2012

    Agon, faleminderit per vemendjen dhe reagimin. Ke ngrit shume ceshtje ketu, te gjitha meritore per nje diskutim qe shpresoj do te na le te dyve me te qartesuar karshi njeri tjetrit. Fundja, nese nuk kemi arritur tek nje dialog i mirefillte, atehere nuk kemi bere asgje, as une as ti. Ne frymen tende te ngritjes se ketyre pyetjeve te vlefshme, po mundohem qe edhe une me poshte te jap dy-tre sqarime qe shpresoj te vlejne dicka.

    Po filloj me kete dyshimin tend–qe e kane edhe shume te tjere per shkak te nje gjoja “arrogance filozofike” te sistemit filozofik te Hegelit–se prapa kuptimit Hegelian te emancipimit shoqeror fshihet njefare lloj dogmatizmi epistemik qe rrugen e shoqerise drejt lirise e sheh si njedrejtimshe dhe lineare. Shume njerez do te pajtoheshin me kete kritike dhe pergjate historise se leximit te veprave te tij shume komentatore dhe studiues te tij kane perfunduar ne te njejtin pozicion. Por ama, te gjithe keta, qe e kane quajtur dogmat historicist, sic po ben edhe ti, asnjehere nuk e kane pare metedologjine e tij si matematikore a si te ngjashme me shkencat natyrore. Nese ka dicka ne te cilen si lexuesit admirues ashtu edhe ata kritike te Hegelit do te pajtoheshin eshte qe ky matematiken, perkatesisht deduksionin formal, dhe shkencat natyrore, perkatesisht empiricizmin analitik, i sheh si metoda fundamentalisht te paafta per te pershkruar shoqerine njerezore dhe historine e saj. Per Hegelin, duke qene qenie me besime dhe vetedije, me kapacitet per marrje dhe dhenie te arsyeve, njerezit dhe historia e tyre mund te shpjegohen vetem permes nje metode dialektike e cila kontraditkat shoqerore nuk i kupton si kontradikta matematikore, por si antagonizma produktiv: pra te afte per te na cuar perpara ne nje faze me te avancuar te vetedijes apo te praktikes se marrjes dhe dhenies se arsyeve. Kjo e ben Hegelin fundmentalisht anti-Nietzschean (nese me lejohet kjo shprehje anakronike) jo pse Hegeli eshte matematikor; perkundrazi si Hegeli si Nietzschja kane te perbashket qasjen teresisht historike ndaj ndryshimit shoqeror. Dallimi qendron tek ajo se per Hegelin pergjate historise njerezore mund te gjejme nje grimce arsye e cila prej fillimeve te njerezimit e deri ne modernitet ka shkuar duke u shpalosur–jo njetrajtesisht dhe jo pa beteja te pergjakshme–e duke prodhuar me shume liri kolektive dhe individuale per qenien njerezore. Ne anen tjeter per Nietzschen, historia nuk mund te shpjegohet racionalisht–ajo eshte thjesht “one-damn-thing-after-another.” Pra s’ka kurrefare grimce arsye ne historine njerezore: gjithcka eshte kontingjence e paster ose vullnet per pushtet. Ky demaskim i arsyes pastaj behet yll udherrefyes per Foucault e te tjere ne kampin post-modern qe edhe sot e kesaj dite vazhdojne te besojne ne projektin nietzschean te demaskimit te arsyes.

    Mes ketyre dyve, Hegelit dhe Nietzsches, padyshim, une jam hegelian, por para se te kercesh tek akuza, te mundohemi te kuptojme ne cka bashkohen ne cka ndahen keta te dy. Duke qene qe e di qe admiron neo-pragmatistet si Richard Rorty, do te marre lirine te te rekomandoj esete e tij mbi Hegelin sidomos tek libri i tij Philosophy and Social Hope, per ta pare se edhe neo-pragmatistet amerikane i kane kaluar paragjykimet e tyre mbi Hegelin dhe shume prej tyre edhe kane gjetur heroin e tyre tek ai, madje, si per shembull Robert Brandom (student i Rorty-t) dhe Robert Pippin. Te njejtet kane bere pune shume te mire edhe ne qartesimin e marredhenies Hegel-Nietzsche dhe gjithcka qe ndodh filozofikisht ne autostraden mes tyre.

    Po filloj tash me pikat e reagimit tend, ashtu si i shtrove ti. Shpresoj qe paranteza e deritanishme te kete ndihmuar ne pergjigjet e mia.

    Shko pertej terminologjise ne dukje arrogante te Hegelit. Absolutja nuk eshte asgje me shume sesa vetedija njerezore ne nivel konceptual, ashtu sic kristalizohet ne filozofi. Nuk eshte kurrefare entiteti metafizik qe dirigjon historine prapa shpines tone.

    Hierarkite hegeliane ne filozofi politike jane edhe keto dialektikisht te artikuluara. Per Hegelin, tre jane institucionet me te rendesishme te jetes moderne: 1) familja, 2) shoqeria civile, dhe 3) shteti kombetar dhe ligjor. Sipas kuptimit Hegelian, ndonese familja dhe shoqeria civile jane historikisht para shtetit, konceptualisht shteti vjen i pari sepse pa te nuk mund te kete qytetar autonom.

    Une mendoj qe beteja per barazi ne cdo sfere eshte e domosdoshme dhe nuk mendoj qe mund te shtypet nje grup me kerkesen e tyre per barazi me arsyetimin qe le te duroje edhe pak derisa te fitojme beteja me te rendesishme. Kete nuk e besoj dhe une mendoj qe kete nuk e beson as Levizja Vetevendosje. Ajo qe une kam dashur te them, por mendoj edhe Levizja Vetevendosje ne reagimin e saj (gjithnje ne interpretimin tim), eshte qe keto beteja nuk mund te fitohen pa beteje autentike, te gjate dhe te lodhshme, e cila eshte pak e veshtire te besoj qe filloje me eventin e Kosovo 2.0. E dyta qe dua te them eshte qe nuk mund te jemi indiferente ndaj asaj qe quhet “skriptim” i ngjarjes. Kjo ngjarje e organizuar nga Kosovo 2.0 u skriptua ne favor te do fare rehabilitimesh krejt te pandershme: Hashim Thaci na doli qytetar i guximshem. Vete ti tek muri jot ne FB i bere levdate denimit te tij. Po ashtu levdate i bere edhe shkrimit te Arben Idrizit, i cili vetem mjegull dhe genjeshtra shqiptonte aty ne kolumnen e vet. Gjithe ky skriptim mendoj une nuk ishte i rastesishem dhe se pse nuk ishte i rastesishem jam munduar te shpjegoj permes shkrimit tim.

    Mbetem krejtesisht i deshperuar dhe i pabindur me leximin qe ti dhe te tjere i keni bere reagimit te Levizjes Vetevendosje ndaj dhunes se 14 dhjetorit. Ajo qe LVV e beri me sukses eshte denimi i dhunes ne kontekst, por juve si duket nuk po ju pelqen ose spo ju konvenon kontekstualizimi i probleme shoqerore, per c’arsye po perfundoni me kerkesa abstrakte per liri seksuale ne Kosove. Flirtimet per te cilat po flet ketu jane vertete krijime te imagjinates. Une s’po shoh askund flirtime te tilla.

    Me t’mira
    Genti

  5. Fru
    Dhjetor 25, 2012

    Me mbetet te shtoj qe edhe ju si autor flisni prej pozites shume te rehatshme te nje burri te bardhe e te klases se mesme [te larte], qe mundet pa dyshim te besoje ne shpalosjen e arsyes permes dialektikes, e ne Frymen, per gjersa s’te bie hise te jetosh cdo dite as ne trup te demarkuar te femres, as te homoseksualit…

  6. Agon Maliqi (@AgonMaliqi)
    Dhjetor 25, 2012

    Gent, te faleminderit per pergjigjen. Gjithsesi, s’do te lodhesha per te hyre ne kete debat nese do te dyshoja ne sinqeritetin e motiveve tua dhe nese nuk do te kisha respekt per perkushtimin qe e ke ndaj botes se ideve, ndonese mospajtimet tona nisin qysh ne gjera shume themelore dhe vazhdojne e thellohen tek ceshtjet specifike.

    Sa i perket filozofise: duke qene i bindur se historia mbetet pikerisht nje “one-damn-thing-after-another” – pra, varg absurd kontigjencash – dhe duke e ditur se qysh neser planetin tone mund ta shkaterroje nje meteor i cili do te nxirte sheshit absurditetin e perpjekeve tona per te gjetur arsye ne histori – perpjekje keto qe burojne nga po e njejta nevoje per shpjegim e cila i ushqen edhe bindjet fetare – mbetem skeptik ndaj cdo sistemi filozofik i cili pretendon ta zbuloje kete arsye dhe te na flase ne terma determinist per trajektoren dhe dinamikat e saja.

    Nuk pretendoj se e njoh mire sistemin hegelian – pra, kam njohuri siperfaqesore dhe thelbin e kritikes sime e bazova pergjithesisht tek interpretimet e Hegelit qe m’u kujtuan prej veprave te Isaiah Berlin dhe Karl Popper. Duke qene se je me shume i lexuar ne kete drejtim, po e pranoj argumentin se Hegeli nuk i sheh kontradiktat shoqerore si matematikore por si antagonizma produktiv. Por edhe nese analogjia ime me matematiken nuk ishte me e sakta, i qendroj prapa argumentit kryesor te cilin doja te percoja permes kesja analogjie: se eshte skajshmerisht arrogante bindja se arseyja, historia dhe trajektorja e saj jane “te njohshme”. Mbase me se miri e thote Nietzsche: “Once upon a time… there was a star upon which clever beasts invented knowing. That was the most arrogant and mendacious minute of “world history”.

    Sikur diskutimet per teori te tilla spekulative te mbeteshin te kufizuara neper qarqe akademike dhe te perbenin nje hobi trivial, kjo do te ishte krejt ne rregull. Por meqe mbi themele te tilla thellesisht iluzore po vazhdojne te ndertohen teori dhe strategji politike, kjo per mua perben problem shume shqetesues per shkak te pasojave qe kjo mund t’i shkaktoje betejes per emancipim.

    Pa shtetin dhe lirine kolektive nuk mund te kete qytetar autonom, por ama vetem individet me nje nivel elementar te vetedijes dhe te lire nga kufizimet (“negative liberty”) jane ne gjendje ta krijoje nje shtet ne te cilin ia vlen te jetohet si dhe t’i frenojne tendencat e lirise kolektive per t’u kthyer ne shtypese te lirise individuale duke legjitimuar autokraci dhe diktatura ne emer te ndonje ideje fondamentale (kombi, feja) apo te interesave klanore.

    Per kete arsye me duket shume e rendesishme qe ne kete moment, paralelisht me betejat e tjera qe zhvillohen, te kundershtohet me ngulm cfaredo lloj force e cila perpiqet t’i kufozoje te drejtat dhe lirite individuale dhe qe rendesia e ketyre te drejtave dhe lirive te internalizohet si vlere shoqerore. Njekohesisht, meqe jemi duke e bere tranzicionin e nderlikuar prej nje demokracie formale tek nje demokraci liberale, me duket prioritet pertej priorieteve forcimi ne shoqeri i logjikes se shtetit ligjor, si stad elementar i emancipimit i cili i lejon antagonizmat te zhvillohen brenda binareve civilizues. Dhe drejt ketyre synimeve progresive dhe emancipuese per mua aleat mund te jene me veprat e tyre edhe Albin Kurti, por edhe Hashim Thaci.

    Sic the edhe vete, ketu po preken shume tema njeheresh dhe ky eshte nje debat teper i gjere qe mbase do te mund ta tjerrnim deri ne pafundesi. Por vetem desha te shtoj dicka per flirtimet, meqe mbetem i bindur se nuk behet fjale per ndonje krijim te imagjinates. Askush nuk po thote se VV-ja, e as lidershipi i saj, ka filluar te perqafoje bindje te islamit politik. Ama, per qe po heziton t’i kundervihet hapur dhe qarte nje force ne rritje e cila eshte ne thelb fashiste dhe e rrezikshme – e jo vec nje “distraction” – kjo besoj se mund te shihet nga te gjithe ata qe nuk hezitojne t’i hapin syte.

    Mbetsh me te mira dhe urime festat !

    Agoni.

  7. Gent Carrabregu
    Dhjetor 26, 2012

    Agon,

    Po filloj me pranimin nga ana jote se burimet e tua themelore mbi Hegelin jane Karl Popperi dhe Isaiah Berlin. Dhe po mjaftohem t’i pergjigjem kesaj duke thene qe te thuash qe keta te dy i ke burime mbi Hegelin eshte si t’i thuash dikujt te interesuar per te mesuar me shume per Levizjen Vetevendosje (cfare ben? cfare jane idealet e saj? si eshte e organizuar? etj.) shko pyete Kamishin. Kjo vlen ne vecanti per Karl Popperin, po jo me pak edhe per Isaiah Berlin Asnjeri prej tyre nuk futet ne listen e studiuesve qe e kane njohur mire e thelle Hegelin; shume me shume kane qene te interesuar ta refuzojne duke e karikaturuar si jo me keq. Kjo nuk eshte per te thene qe studiues te mire te Hegelit jane vetem ata qe pajtohen me te. Perkundrazi, e tera qe po them eshte qe duhet te kesh specializuar ne vepren e tij dhe ta kesh sinqerisht perpjekjen per ta kuptuar ate; ka plote te atille qe edhe nese nuk jane pajtuar me te, kane prodhuar vepra mjaft te vyeshme mbi Hegelin.

    Per sa i perket Nietzsches dhe nietzscheanve si ti qe duan te mbesin besimtar konsistent ne refuzimin nietzschean te cfaredo arsyeje, lirie, a morali ne historine njerezore, kam vetem nje pergjigje: per te mbetur ne pajtim te plote dhe perfundimtar me refuzimin nietzschean te arsyes duhet te perfundosh ne ate qe ne filozofi njihet si “kontradikte performative.” Cfare eshte kontradikta performative? Shume thjesht, ajo qe ndodh nese une, ne kete moment, vendos te bej kete deklarate: “Deklaroj me kete rast qe une nuk ekzistoj.” Kjo do me vinte ne kontradikte performative per shkak se ajo qe po them eshte ne kundershtim me ate qe po bej. Te refuzosh arsyen ne menyre konsistente do te thote te perfundosh ne poziten ku nuk mund te shpjegosh se pse ti si qenie njerezore cdo dite ngrihesh nga gjumi dhe shkon ne pune, perfill normat e komunikacionit kur je ne trafik, respekton prinderit e tu, je besnik ndaj te dashures tende, ji i sinqerte me veten dhe te tjeret, e te tjera e te tjera aktivitete e gjera ne te cilat angazhohesh per cdo dite e te cilat jane te qeverisuara nga disa norma racionale.

    Ti do doje, thua, qe keto debatet teorike akademike te mbeteshin impotente: ceshtje hobish triviale pa kurrefare efekti ne realitetin e besimeve dhe aktiviteteve njerezore. Une them qe bota eshte me mire per faktin qe deshira jote nuk eshte e realizueshme. Kjo qe deshiron ti eshte jo vetem e demshme, por eshte edhe e pamundshme per shkak te faktit qe ne jemi edhe homo sapiens dhe jo vetem homo sentiens—pra jemi edhe krijesa te ditura (te arsyeshme) dhe jo vetem krijesa emocionale. Prandaj, per te mire a per te keq, mendimet dhe toerite tona domosdoshmerisht do te ndikojne veprimin tone.

    Nuk e di ku e sheh reagimin e dobet te VV. Une mendoj, per arsye te analizes se thuket shoqerore qe permban ai reagim, se reagimi i VV ndaj dhunes se 14 dhejtorit ishte reagimi me kuptimplote dhe konsekuencial qe u be.

    Ne fund, nuk jam kunder betejave te tjera dhe te shumellojshme per barazi. Jam kunder falsifikimit te tyre. Pse nuk po angazhohen keta te KOSOVO 2.0 (ose aleatet e tyre) qe te ngjizin luften e tyre ne aksion, te shkojne neper fshatra e qytete, shkolla e mehalla, per te folur e per te edukuar njerez? Pse po importojne zhargon amerikan, ne vend qe ta ngjizin aparatin e tyre autentik teorik ne lufte per vetedijesimin e shoqerise kosovare per ceshtje seksuale? Ky eshte problemi im me ta, jo besimi i tyre qe ceshtjet seksuale dhe edukimi seksual jane te rendesishem per shoqerine.

    Urime festat edhe ty!
    Genti

  8. Agon Maliqi (@AgonMaliqi)
    Dhjetor 26, 2012

    Gent, ne paragrafin e pare m’u duk sikur shume me teper u more me “guilt by association”, duke u perqendruar te zhvleresimi i Berlinit dhe Popperit si studiues, sesa me argumentin te cilin une u perpoqa ta percoj permes tyre, por edhe permes Nietzsches – pra, absurditetin e historicizmit racionalist si dhe rreziqet qe burojne prej levizjeve te bazuara ne sisteme fondamnetale te te menduarit. Ndaj ketyre dy te pareve, e sidomos ndaj Popperit, mund te kem verejtje edhe une, por te pakten per Berlinin nuk mund te thuash se nuk e njeh Hegelin. Sidomos nuk kane vend analogjite me figura si Kamishi, sepse ne rastin e Berlinit behet fjale per nje prej studiuesve me te mprehte te ideve politike.

    E kuptoj rendesine qe e ka Hegeli per historine e filozofise dhe, ne rast se do t’i futesha nje karriere akademike si ti, sigurisht se nuk do t’i ikja leximit te tij. Por jam i bindur se kete lexim do ta perjetoja me shume si nje shuarje e kurreshtjes (kryerje e adetit) sesa si ndonje iluminim i cili do te m’i shkundte pikepamjet mbi boten. Per kete arsye me e eshte dukur strategjikisht i logjikshem leximi i Hegelit nga burime sekondare dhe perkushtimi i energjive mendore diku tjeter.

    Ne kete drejtim, me duket qesharake dhe ne thelb jointelektuale perpjekja, e cila duket qarte edhe ne shkrimet tua, per t’ia dhene filozofise – e sidomos filozofise se tille spekulative – statusin suprem te njohurise dhe si rrjedhoje njefare legjitimiteti intelektual per t’a udhezuar jeten tone te perditshme. Nuk besoj se eshte ne rregull qe te deifikohet Hegeli si dikush qe duhet njohur ne thellesi (si Kuran i cdo intelektuali) dhe qe njekohesisht te trajtohen si “te injorueshme” gjithe ato fusha te tjera shkencore qe shpeshere jane shume me ilumunuese per jeten e perditshme dhe politiken sesa filozofia spekulative. Me shume mund te mesohet per natyren njerezore dhe politiken nga fusha si psikologjia kognitive (psh. Daniel Kahneman) apo edhe nga biologjia e evolucionit sesa nga Hegeli. Ne strategjite e leximit e praktikoj nje qasje te cilen do t’ua rekomandoja edhe te tjereve: “Me mire pak me ceket por gjere, sesa shume thelle dhe ngushte.”

    Perkunder keqleximit qe ia bere pozicionit tim si refuzues i cdo gjeje, une me kete rast ne fakt “deklaroj se ekzistoj”, por them se per kete ekzistence nuk me duhen arsye dhe shpjegime (do te mbetem thjesht kurioz derisa të vdes). Njesoj nuk me duhen arsye dhe shpjegime per t’u sjelle mire dhe per t’iu bindur ca rregullave morale, per shkak se miresia ndaj te tjereve dhe jetesa brenda komuniteteve dhe rregullave morale eshte tipar themelor i natyres njerezore (ta rekomandoj leximin e Johnathan Haidt, “The Righteous Mind”). Mendoj se ky çlirim prej nevojes ekzistenciale per shpjegim eshte parakusht per perparimin e levizjes humaniste dhe perben nje beteje te paperfunduar te epokes se iluminizmit, ndonese ne anen tjeter e pranoj se “shpjegimet” ne disa raste edhe kane luajtur rol pozitiv emancipues (askush nuk po e mohon rendesine, psh., qe ka luajtur ligjerimi mahnites i Martin Luther King, i ndertuar mbi “shpjegime” fetare).

    Mendoj se ky segment prej nje pjese te Brehtit eshte i vlefshem edhe per ta shpjeguar nevojen e filozofeve per “shpjegim”:

    ” A man asked Mr. K. whether there is a God. Mr. K. said: “I advise you to consider whether, depending on the answer, your behavior would change. If it would not change, then we can drop the question. If it would change, then I can at least be of help to the extent that I can say, you have already decided: you need a God.”

    Krejt per fund: nuk jam avokat dhe as pjese e Kosovo 2.0, por me sa di une ky medium ka trajtuar shume tema te ndryshme gjate dy viteve te fundit (perfshi ketu nje numer te tere kushtuar korrupsionit) dhe se botimi i fundit nuk kishte kurrefare synimimi qe te provokoje per hir te ndonje vetekenaqesie snobiste (eshte interesante se si njerezit po bien ne gracken e interpretimit qe i bene ngjarjes vandalet). Synimi ishte qe te trajtohet ne menyre kritike nje teme te caktuar (dhe ketu gjithsesi mund te diskutojme nese permbajtja eshte e mire ose e keqe). Ne anen tjeter, me duhet absurde ideja se nje organizim i tille mund ta kete si parakusht moral nje organizim tjeter – pra, ajo qe the ti per aktivitetetet emancipuese neper fshatera – ne nje kohe kur Kosovo 2.0 eshte qartazi nje medium me mandat te kufizuar per te sherbyer si platforme per shkembim idesh mes rretheve bashkmendimtare brenda Kosoves dhe botes se jashtme. Prandaj, argumente te tipit, “pse e bene kete e nuk e bene kete gjene tjeter” nuk besoj se jane te ndershme dhe jane kretesisht te palogjikshme ne kete kontekst. Me shume se ckado tjeter, ato tregojne prezence paragjyimesh (nese do t’a beja nje diagnoze pak me shkencore do te thosha se ky gjykimi yt vuan prej asaj qe njihet si “availability heuristic”).

    Me t’mira edhe njehere ! 🙂

  9. Gent Carrabregu
    Dhjetor 26, 2012

    Agon,

    Nuk fajesova askend permes asociimit une. As nuk thashe qe nuk duhet t’i lexojme Popperin e Berlinin. Perkundrazi, duhet t’i lexojme te dyte, te parin per te pare formulimin me te avancuar filozofik te pozitivizmit (edhepse nuk pajtohem me te), e te dytin per te mesuar gjera te pergjithshme per historine e ideve (edhepse edhe me kete shume here nuk pajtohem). I pari, Popperi, ka qene filozof; i dyti nuk ka qene filozof, por historian i ideve.

    Cila ishte verejtja ime ndaj teje atehere? Verejtja ime ishte kjo: keta te dy nuk jane burime te besueshme nese do me mesu dicka ne lidhje me Hegelin! Kjo behet sidomos problematike nese, sic the ti, keta jane dy burimet e tua kryesore a te vetme mbi Hegelin, te cilin per me teper, ti nuk do te lodhesh duke e lexuar vete (gje qe eshte nje condicio sine qua non nese do ta kuptosh vertete jo vetem Hegelin po cilindo filozof tjeter). Keta nuk jane burime te besueshme sepse kane qene politikisht kunder ideve filozofike hegeliane dhe kjo i ka bere qe, ne vend se t’i kuptojne para se t’i kritikojne, te ndjekin rrugen e lehte te refuzimit dembel. Ne kete sens, thashe, dhe e perseris, t’i thuash dikujt qe eshte sinqerisht i interesuar te mesoje dicka per Hegelin, shko lexoje Popperin e Berlinin, eshte si t’i thuash dikujt sinqerisht te interesuar per te mesuar dicka mbi Levizjen Vetevendosje, shko pyete Kamishin (ne kete sens, perpos Kamishit, ne kete liste do te mund te perfshinim edhe Berat Buzhalen, Petrit Selimin, Ilir Mirenen, Shkelqen Maliqin, Blerim Shalen).

    Filozofia per mua eshte nje tradite e gjate e ballafaqimit te argumenteve me te mira nga mendjet me te ditura. Si e tille ajo eshte shume e vyeshme sepse na meson dicka ne lidhje me ate se cilat argumente jane te mundshme, nuk jane te mundshme, jane provuar por kane deshtuar, e keshtu me radhe. Ne qe e studiojme kete tradite, ashtu sikurse kimisti qe mund te tregoje cilat perzierje mes elementesh jane te mundshme, cilat jo, e keshtu me radhe, mund te tregojme dicka per ate se cila eshte historia e ketyre argumenteve, cilat kane fituar, cilat argumente jane tejkaluar, e keshtu me radhe. Ne nuk pretendojme qe kemi dije absolute ne sensin vulgar te fjales, ashtu sic ti e kupton absoluten. E tera qe them une eshte qe dije filozofike ka nje avantazh qe eshte shume i vyeshem per kedo qe eshte i interesuar jo vetem te dije, por edhe te veproje drejte, ne politike, apo ne jeten e perditshme ne pergjithesi. Avantazhi i saj me i madh eshte historia e pasur e argumenteve filozofike si dhe fakti qe duke mbetur ligjerim i paspecializuar—gjithnje ne krahasim me ultraspecializimin e fushave te tjera te dijes—filozofia eshte e vetmja fushe e dijes qe mund te sherbeje si ndermjetesues produktiv i komunikimit mes jetes se perditshme—morale e politike—dhe kulturave te ekspertizes (jurisprudenca, shkencat natyrore e teknologjike, etj) qe jane shkeputur krejt nga jeta e perditshme dhe me kete rast kane humbur kapacitetin e komunikimit me jeten e perditshme. Prandaj, mos u mundo te me keqkuptosh me dashje; jam duke ta sqaruar qe nuk ka kurrefare arrogance, sidomos jo te atij lloji qe ia atribuon ti, ne dijen filozofike.

    Sa here qe une flas per arsye, moral dhe liri, keto i kuptoj ashtu sic i kane kuptuar Kanti dhe Hegeli. Per dallim prej teje qe normat shoqerore do me i reduktu ne ceshtje “shprehie”—arsyeja se pse i ndjekim, sipas teje, eshte thjesht shprehia, pra nuk ka kurrefare argumenti racional qe na ben te jemi besnik ndaj disa normave e jo ndaj disa te tjerave—une mendoj dhe besoj qe normat jane te shpagueshme argumentativisht dhe ne momentin kur nje sistem normativ shoqeror deshton, sic kane deshtuar shume pergjate historise, ne mund te tregojme nje storie racionale, bazuar ne argumente, se pse u desh te deshtonte. Pra per njerezit, sipas meje, edhe deshtimi eshte i shpjegueshem dhe kjo na dallon prej kafsheve. Deshtimi per njerezit eshte i shpjegueshem dhe shpagueshem ne valuten e arsyeve.

    Ne fund, per sa i perket Kosovo 2.0, e perseris qe jane duke falsifikuar betejen e emancipimit shoqeror sepse po duan me i fole kosovarit me zhargon amerikan te studimeve LGBT. Kjo eshte dembeli. E mbeshtes plotesisht kauzen e edukimit te vetedijes kolektive edhe per ceshtje te marredhenieve gjinore dhe seksuale, por nuk do ta mbeshtes asnjehere falsifikimin e kesaj beteje, sidomos kur ky falsifikim pastaj ofron skenen per rehabilitime te pandershme te klanit mafioz ne pushtet aktualisht ne Kosove.

    Tung,
    Genti

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 24, 2012 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: