rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Qasja e Privilegjuar si Themel Autoriteti

Gent Carrabregu

Debatet në lidhje me bashkimin kombëtar që u zhvilluan nëpër ekranet shqiptare përgjatë ditëve të festave të nëntorit më  tërhoqën vëmendjen, në mes tjerash, edhe për një dukuri problematike që nuk më kishte tërhequr aq shumë vëmendjen më parë — prirjen e disa prej bashkëbiseduesve, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, për t’u thirrur në qasjen e privilegjuar prej vuajtësi të Shqipërisë komuniste, respektivisht Jugosllavisë komuniste, si mënyrë për t’i dhënë fund autoritativ diskutimit në lidhje me bashkimin kombëtar e për ta legjitimuar ngjizjen e kombit kosovar. Kjo thirrje në vuajtjet e ndryshme të shqiptarëve në të dy anët e kufirit përgjatë periudhës komuniste shërbente si themel autoriteti për t’ia mbyllur gojën bashkëbiseduesve të tjerë, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, që akoma besojnë tek bashkimi kombëtar si interesi më i madh i përgjithshëm i shqiptarëve. Autoriteti që lindte me këtë rast bëhej i pasfidueshëm nga argumentet sepse shqiptari nga Kosova vërtet që nuk ka përjetuar regjimin e Enver Hoxhës, ashtu sikundër që shqiptari nga Shqipëria vërtet që nuk ka jetuar nën regjimin jugosllav. Qasja e privilegjuar në një përvojë historike shndërrohej kështu në themel autoriteti normativ qëllimi i së cilit, përgjatë gjithë bisedës, ishte që të dobësohej autoriteti i Shqipërisë si një ide emancipuese politiko-shoqërore për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Përvoja tipike që  garanton këtë lloj autoriteti është dhimbja. Për shembull, për sa më përket mua, kur një tjetër është në dhimbje — ta zëmë, po i dhemb dhëmbi — ai edhe mund të mos ishte në dhimbje fare. Natyra e dhimbjes është aq private sa të jetë e pashpagueshme në gjuhën e argumenteve, gjë që e bën fare të pamundur për të patur qasje njohëse në dhimbjen e një tjetri; edhe pse sigurisht që nuk mund të jemi indiferentë karshi shprehjeve eksplicite (jogjuhësore) të vuajtjes së tjetrit nga dhimbja. Dhimbja është, pra, njëfarë kufiri i ligjërimit gjuhësor; ajo nuk bëhet dot eksplicite përmes shprehjes gjuhësore, për ç’arsye shprehjet vokale a jovokale (ofshamë, piskamë, nxjerrje flokësh, etj.) bëhen mjet më i përshtatshëm shprehës. Kjo lloj përvoje krejt private mundëson, pastaj, një lloj autoriteti final që subjekti vuajtës mund t’i thërras në ndihmë sa herë që një tjetër do ta problematizojë gjuhësisht dhimbjen e tij — ”Si mund të bësh atë pyetje? Kollaj e ke ti, nuk e di ti çfarë dhimbje kam unë!” Jo rrallë mund ta gjejmë vetën duke u qortuar në këtë mënyrë edhe atëherë kur në fakt jemi duke kërkuar të ndihmojmë tjetrin që po vuan nga një dhimbje duke e pyetur për masën, vendin, apo ndjesinë specifike të dhimbjes; çfarëdo lloj komunikimi bëhet i pamundur në këtë situatë dhe ndërkohë që vuajtësi ndjehet i fyer, tjetri që donte të ndihmonte ndjehet fajtor. Dhimbja, pra, të privon jo vetëm nga mirëqenia, por edhe nga komunikimi normal me të tjerët. Karakteristikë definuese e dhimbjes është pakomunikueshmëria. Qasja e privilegjuar e subjektit në dhimbjen e tij mundëson autoritet të pakontestueshëm nga të tjerët. Kjo e bën këtë lloj autoriteti në thelb jo vetëm jopolitik, por më shumë se aq, antipolitik.

Pikërisht kjo natyrë antipolitike e saj e bën thirrjen në përvojën e dhimbjes aq më shumë të dobishme politikisht. Thirrja në përvojat ku subjekti ka qasje të privilegjuar është mënyra më e kollajshme për të mbyllur diskutimin me një lloj autoriteti gati përfundimtar. Autoriteti i bazuar tek kjo thirrje është shumë tundues për t’u përdorur në mënyrë që t’i parandalohet tjetrit hyrja në ligjërim, apo në praktitkën e marrjes dhe dhënies së argumenteve. Kështu mbyllet përfundimisht diskutimi sepse palët sikur bien dakord që duke qenë që bëhet fjalë për një përvojë, qasja në të cilën është privilegj ekskluziv i njërit prej bashkëbiseduesve, është e udhës që të mos vazhdohet diskutimi mbi të — e vërteta e një përvoje shumë subjektive është, për nga natyra, e pashpagueshme me ligjëratë argumentative. Prandaj, nëse vazhdojmë të këmbëngulim në ligjërim racional bazuar në argumente, në rastin më të mirë, mund të dukemi arrogantë dhe naivë që i japim të drejtë vetes të marrim në pyetje një fushë përvoje mbi të cilën nuk mundemi kurrë të jemi më autoritativ sesa vetë bashkëbiseduesi vuajtës, e në rastin më të keq, rrezikojmë ta ofendojmë vuajtësin duke problematizuar përvoja që ai i konsideron shumë private për t’u marrë në pyetje nga të tjerët.

Në ligjërimin romantik kombëtarist, jo vetëm tek shqiptarët (por sidomos tek ata), kombi është jo vetëm emri i lavdisë kolektive, por edhe i dhimbjes kolektive, një plage të madhe që gjendet në thelb të përvojës historike të kombit. Kjo dhimbje është e komunikueshme brenda kolektivitetit kombëtar të caktuar. Shqiptarët e kuptojnë dhimbjen e tyre që është në thelb të festimit të çdo përvjetori të 28 Nëntorit 1912 dhe brenda tyre kjo është një dhimbje e komunikueshme; është dhimbja që vjen nga plaga që u hap nga copëtimi i trojeve shqiptare pas shpalljes së pavarësisë. Por, ashtu sikur edhe dhimbja fiziologjike individuale, që është e pakomunikueshme, këtë dhimbje kolektive në thelb të përvojës historike të kombit shqiptar nuk mund ta kuptojnë kombet e tjera; ose, të paktën nuk mund ta kuptojnë kurrë ashtu sikurse e kuptojmë ne, si pjesëmarrës të impenjuar subjektivisht. Duhet të jesh shqiptar që të ndjesh e kuptosh këtë dhimbje. Të tjerëve nuk ua komunikojmë dot dhimbjen nga plaga jonë kolektive sepse ajo është karakteristikisht e jona, në thelb të ngjizjes tonë historike si komb politik.

Fatkeqësia e copëtimit të trojeve shqiptare, dhimbja e përbashkët e jona, siç po dëshmojnë debatet e sotme mes elitave kulturore e politike shqiptare, është zbehur dhe zëvendësuar me dhimbjet më të freskëta, ato të vuajtjes nën regjimin e Enver Hoxhës (për shqiptarët nga Shqipëria), respektivisht ato të vuajtjes nën regjimin jugosllav (për shqiptarët nga Kosova). Kështu, dhimbja e përbashkët pothuaj e njëkohëshme me përurimin e subjektit kolektiv shqiptar është zëvendësuar me dhimbje të ndryshme më të freskëta, gjë që për publicistë si Fatos Lubonja e Halil Matoshi është arsye e mjaftueshme për ngjizje të një kombi të ri kosovar të dallueshëm nga ai shqiptar. Ne të tjerët, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, që duam të jemi besnik ndaj projektit të 28 Nëntorit 1912, ndeshemi sot, ndër të tjera, edhe me sfidën e rifreskimit të memories kolektive përmes artikulimit të vazhdimësisë së dhimbjes së përbashkët njëqind vjeçare. Vështruar nga kjo perspektivë, pyetja që vetështrohet është: si duhet rishqiptuar dhimbjen që na bashkon duke integruar sedrat e publicistëve e politikanëve që kanë bërë e bëjnë karriera nga dhimbjet që na ndajnë? Jo se sedrat e tyre kanë ndonjë vlerë për mirëqenien kolektive. Përkundrazi, ato duhet akomoduar sepse, pikërisht duke qenë interesa private të pauniversalizueshme, janë shumë tërheqëse për shoqërinë e tregut të lirë të ideve (shoqëria mediatike), ku shumë shpesh mburrja protagoniste e bazuar në dallueshmëri vulgare, dhe jo arsyeja apo e vërteta, janë garantuese të vëmendshmërisë dhe pranimit nga publiku.

Prandaj, për ta rishtruar pyetjen me ndihmën e Hegelit, si t’i akomodojmë paragjykimet orientuese të këtyre sedrave si të vërteta të pjesshme, ashtu që të mund t’i tejkalojmë përfundimisht? Hegeli e ka teorizuar këtë problem si kalimi nga arsyeja (liria e zgjedhjes individuale) që është në thelb të shoqërisë civile, e kuptuar si sistem për plotësim nevojash (das System der Bedürfnisse), tek arsyeja politike (autonomia qytetare) në thelb të ekzistencës së shtetit kombëtar, i kuptuar si arritja më e madhe objektive e shoqërisë politike; e para duhet të integrohet si e vërtetë e pjesshme në të vërtetën e plotë të shtetit kombëtar, e cila duke arritur unitet më të avancuar shoqëror, në fakt e siguron edhe ekzistencën e shoqërisë civile, me të gjitha të drejtat e obligimet specifike të saj. A nuk është, atëherë, anarkia që mbretëron sot në shoqërinë civile  shqiptare (liri e zgjedhjes pa autonomi qytetare) njëfarë vërtetimi retrospektiv i kësaj diagnoze hegeliane?

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 7, 2012 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: