rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Pse Obama është më tepër se një “Bush me fytyrë njerëzore”

Sllavoj Zhizhek: – botuar tek The Guardian, 13 nëntor 2012

Si ndodhi që Barak Obama i fitoi rishtaz zgjedhjet? Filozofi Zhan-Klod Milner kohët e fundit ka propozuar nocionin e “klasës stabilizuese”: që s’është njësoj me nocionin e vjetër të klasës sunduese, por përfshin gjithë ata që janë të përkushtuar ndaj stabilitetit dhe vijueshmërisë së rendit ekzistues social, ekonomik dhe politik – klasa e atyre që edhe kur thërrasin për ndonjë ndryshim, e bëjnë këtë vetëm për t’u siguruar që asgjë nuk do të ndryshojë me të vërtetë. Kyçi i suksesit elektoral në shtetet e zhvilluara të kohëve të sotme është të fitosh ndaj kësaj klase. Larg prej të qenit i perceptuar si ndonjë transformues radikal, Obama i fitoi ata, prandaj u rizgjodh. Shumica që votoi për Obamën u tremb nga ndryshimet radikale që mbështeste tregu Republikan dhe fondamentalistët fetarë.

Mirëpo a mjafton kjo në perspektivë afatgjatë? Tek “Shënime drejt një përkufizimi të Kulturës” konservatori madhështor britanik T.S. Eliot theksonte se ka ca çaste kur e vetmja zgjedhje që mund të bëhet është mes herezisë dhe mosbesimit, kur e vetmja mënyrë për ta mbajtur gjallë një fé është pikërisht duke nxjerrë një sekt prej kufomës së saj. Diç e tillë nevojitet për të dalë prej krizës ligështuese të shoqërive perëndimore – e në këtë pikë Obama qartësisht nuk ia ka dalë mbanë. Shumë, të zhgënjyer prej presidencës së tij, i nxorën kundër pikërisht faktin se thelbi i “shpresës” së tij aq shumë të reklamuar u vërtetua se ishte vetëm shpresa që sistemi mundet të mbijetojë me ca ndryshime modeste.

Pra, a duhet t’ia heqim vizën Obamës? A s’është ai asgjë më shumë se një Bush me fytyrë njeriu? Ka shenja që të çojnë përtej këtij këndvështrimi pesimist. Edhe pse reformat e tij për shërbimin shëndetësor u përbaltën prej aq shumë kompromiseve me kompanitë sa që thuajse u shndërruan në hiç, debati që ato nxitën pati goxha rëndësi. Një prej arteve madhështore të politikës është që të ngulësh këmbë në një kërkesë të veçantë e cila, edhe pse tërësisht realiste, e mundshme dhe legjitime, e turbullon vetë thelbin e ideologjisë hegjemone. Reformat e shërbimit shëndetësor ishin një hap në këtë drejtim – se si mund të shpjegohet ndryshe paniku e tërbimi që ato ngjallën në kampin Republikan? Ato prekën një nerv në zemër të ndërtesës ideologjike të Amerikës: lirinë e zgjedhjes.

Reformat e Obamës për shërbimin shëndetësor efektivisht e shpëtojnë një pjesë të madhe të popullatës nga “liria” e dyshimtë për t’u shqetësuar mbi atë se cili do të mbulojë shpenzimet në sëmundjet e tyre. Të kesh mundësinë që ta supozosh të sigurt shërbimin shëndetësor, ta kesh të siguruar njësoj siç ke të siguruar ujin apo rrymën elektrike pa u shqetësuar për të zgjedhur furnitorin, kjo do të thotë thjesht që populli të fitojë më shumë kohë dhe energji për t’ia dedikuar jetët e tyre sendeve të tjera. Mësimi që duhet nxjerrë nga kjo është që liria e zgjedhjes funksionon vetëm nëse një rrjet kompleks i konditave legale, edukative, etike, ekonomike etj. është i pranishëm si një themel i padukshëm për ushtrimin e lirisë sonë. Kjo është arsyeja pse si kundërshembull ndaj ideologjisë së zgjedhjes së lirë duhet të nxirren për model vende si Norvegjia: edhe pse të gjithë agjentët kryesorë respektojnë një marrëveshje shoqërore themelore, dhe projekte të mëdha shoqërore marrin jetë në emër të një fryme solidare, prodhueshmëria sociale dhe dinamizmi janë në nivele të shkëlqyeshme, duke kundërshtuar kështu urtësinë popullore që na thotë se shoqëri të tilla do të duhet të ishin në stagnacion.

Në Evropë kati përdhes i një ndërtese numërohet si zero, kati sipër tij numërohet si kat i parë, ndërsa në SHBA kati i parë është kati përdhes. Ky dallim i parëndësishëm rrëfen një hendek ideologjik shumë të thellë: Evropianët janë të vetëdijshëm se, para se t’ia fillojë numërimi – pra para se të merren vendime apo zgjedhje – duhet me qenë një themel i traditës, një kat zero, i cili është gjithnjë i sigurt e për këtë arsye s’ka pse numërohet. Ndërsa në SHBA, në këtë vend pa ndonjë traditë të mirëfilltë historike, supozohet se dikush mund t’ia nisë menjëherë me lirinë e vetë-rregulluar – e shkuara asgjësohet. Ajo çka duhet të mësojë SHBA është se duhet të marrë parasysh themelin e “lirisë së zgjedhjes”.

Obama shpeshherë akuzohet se po e ndan popullin amerikan në vend që ta bashkojë atë për të gjetur zgjidhje dypartiake – po çka vallë nëse bash kjo është e mira e tij? Në situata krizash nevojitet urgjentisht një ndarje midis atyre që duan të zvarriten me parametrat e vjetër, dhe atyre që janë të ndërgjegjshëm për ndryshimin e domosdoshëm. Kjo ndarje, e jo kompromiset oportuniste, janë e vetmja rrugë drejt bashkimit të vërtetë. Kur e pyetën Margaret Theçërin se cila ka qenë arritja e saj më e madhe, ajo menjëherë u përgjigj: “Laburistët e Rinj”. Dhe kishte të drejtë: triumfi i saj qe pikërisht që edhe armiqtë e saj u përshtatën me politikat e saj bazike ekonomike. Fitorja e vërtetë ndaj armikut tënd ndodh kur ata nisin të përdorin gjuhën tënde, atëherë idetë e tua përbëjnë nënshtratin për gjithë terrenin. Sot, kur hegjemonia neoliberale po rrëgjohet dukshëm, e vetmja zgjidhje është të përsërisësh gjestin e Theçërit, në drejtimin e kundërt.

Yurodivy është versioni rus-ortodoks i marrokut të shenjtëruar që shtiret si i çmendur që të jetë në gjendje të përcjellë një mesazh aq të rrezikshëm ndaj atyre në pushtet sa që po ta jepte drejtpërdrejt do të shkaktonte reagim brutal. A s’ngjajnë tëeetsat paszgjedhorë të Donald Trampit pikërisht si kërcënime prej marroku? “Le të luftojmë skëterrshëm e le ta ndalim këtë padrejtësi të shpifur! Këto zgjedhje janë totalisht mashtrim e shpërfytyrim. Ne s’jemi demokraci! Ne s’mund ta lëmë këtë të ndodhë. Duhet të marshojmë në Uashington dhe ta ndalojmë këtë shpërfytyrim. Na duhet një revolucion në këtë vend!”.

Edhe pse Trampi në asnjë mënyrë nuk është ndonjë radikal i majtë, është e lehtë të dallosh në tëeetsat e tij dyshimin ndaj “demokracisë formale borgjeze”, që në përgjithësi i atribuohet së majtës radikale: liri sipërfaqësore që maskojnë pushtetin e elitave të cilat e imponojnë vullnetin e tyre përmes kontrollit dhe manipulimeve mediatike. Ka një grimë të së vërtetës në të gjithë këtë – demokracia jonë duhet rishpikur përnjëmend. Çdo çelje duhet të shfrytëzohet për të na çuar edhe më pranë këtij qëllimi, qofshin këto edhe krisje të vockla prej nga ndritën ca rreze drite gjatë mandatit të parë të Obamës. Synimi ynë në mandatin e tij të dytë është të ushtrojmë presion konstant që këto krisje të nisin të zgjerohen.

Përktheu: Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: