rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Liberalizmi dhe mangësitë e tij

Autori: Slavoj Žižek

Përkthyes: Arbër Zaimi

 

Për liberalizmin, së paku në formatin e tij më radikal, dëshira për t’i bërë njerëzit subjekte të një ideali politik – që shihet si universal, pra që të lidh universalisht – është nëna e çdo krimi, është “krimi që përmban gjithë krimet” sepse nënkupton që këndvështrimi i dikujt të imponohet brutalisht tek të tjerët, duke u bërë kështu shkak rrënjësor për prishjen e rendit civil. Kjo është arsyeja se pse – pretendojnë liberalët – nëse dikush dëshiron të stabilizohet rendi civil dhe toleranca, parakushti i parë është që të heqësh qafe çdo tundim moral: politika duhet të shpëlahet tejetej prej çdo ideali moral dhe të bëhet “realiste”, t’i shohë njerëzit ashtu si janë, duke u marrë me natyren e vërtetë të tyre, e jo me leksione moralizuese.

Paradigma këtu, në shumë mënyra është e njëjtë me funksionimin e tregut: natyra njerëzore është egoiste, dhe nuk paska mënyrë për ta ndryshuar, kështu që ajo çka nevojitet është një mekanizëm që do të mund t’i vendoste veset private në funksion të së mirës së përbashkët. Nga kjo rrjedh se një liberal që është tërësisht i vetëdijshëm duhet ta kufizojë qëllimisht gatishmërinë e tij altruiste e cila i thotë ta sakrifikojë të mirën e vet për atë të të tjerëve, sepse është i ndërgjegjshëm që mënyra më efikase për të punuar për të mirën e përbashkët është që të ndjekësh egoizmin privat. Këtu dalim tek e kundërta logjike e motos “ves privat, përfitim publik” – e cila na shfaqet në këtë formë “mirësi private, rrënim publik”.

Te liberalizmi, që prej fillimeve të veta, ekziston një tension mes lirisë individuale dhe mekanizmave objektivë që e rregullojnë sjelljen e turmës, siç ka vënë re tashmë Benjamin Constant, i cili e ka artikuluar qartë këtë tension: gjithçka është morale tek individët, por gjithçka është fizike tek turmat; gjithkush është i lirë si individ, ama në turmë secili s’është gjë tjetër veçse një ingranazh në një makineri.

Dy fytyrat e liberalizmit 

Tensioni i brendshëm i këtij projekti është i gjurmueshëm në dy aspekte të liberalizmit: liberalizmi i tregut dhe liberalizmi politik. Siç shkon dhe argumentimi i shkëlqyeshëm i Jean-Claude Micheas, këto dy aspekte të liberalizmit lidhen me dy kuptime politike të “së Djathtës”: e Djathta politike që insiston në ekonominë e tregut dhe e Majta politikisht korrekte, që insiston në mbrojtjen e të drejtave të njeriut – të cilat shpesh janë e vetmja raison d’etre që i mbetet.

Edhe pse tensioni mes këtyre dy aspekteve të liberalizmit nuk mund të thjeshtohet, këto aspekte janë gjithsesi të mpleksura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën, si dy anë të së njëjtës monedhë. E kështu sot kuptimi i termit “liberalizëm” lëkundet midis dy poleve, liberalizmit ekonomik (individualizmi i tregut të lirë, kundërshtimi i rregullimit të fortë shtetëror etj.) e nga ana tjetër liberalizmi politik apo libertarianizmi (që e vë theksin tek barazia, solidariteti social, lejueshmëria etj.).

Çështja është se, ndërkohë që askush s’mund të vendosë përmes ndonjë analize të përpiktë se cili prej liberalizmave është ai “i vërteti”, askush nuk mundet ta zgjidhë këtë lëmsh as duke u përpjekur të propozojë një sintezë “më të lartë” të të dyve, e aq më pak duke bërë ndonjë dallim sqarues mes dy kuptimeve të termit. Tensioni mes dy kuptimeve është inherent i vetë përmbajtjes që “liberalizmi” rreket të përcjellë: ky ambiguitet larg prej të qenit sinjalizues i kufijve të kuptueshmërisë sonë, na tregon “të vërtetën” më thelbësore të vetë nocionit të liberalizmit.

Tradicionalisht secila “fytyrë” e liberalizmit e do puna që të shfaqet si e kundërta e anës tjetër: mbrojtësit liberalë të tolerancës multikulturaliste, si rregull, e luftojnë liberalizmin ekonomik dhe përpiqen të mbrojnë më të rrezikuarit prej tallazeve të forcave të pakontrolluara të tregut, ndërkohë që liberalët e tregut të lirë, si rregull mbrojnë vlerat familjare konservative.

Pra mbërrijmë në një paradoks të dyfishtë: e Djathta tradicionale mbështet ekonominë e tregut ndërkohë që me egërsi kundërshton kulturën dhe moret që lindin prej kësaj ekonomie; ndërsa e anasjellta e saj, e Majta multukulturaliste lufton kundër tregut (edhe pse kohët e fundit gjithnjë e më pak, siç vë re Michea), ndërsa me entuziazëm imponon ideologjinë që lind nga po ai treg. (Sot, duhet thënë, duket se po hyjmë në një epokë të re, ku mund të kombinohen të dyja aspektet: figura si Bill Gates pozojnë si radikalë të tregut dhe si humanitarë multikulturalistë).

Ana e errët e moralizmit liberal

Këtu përballemi me paradoksin themelor të liberalizmit. Mu në zemër të vizionit liberal qëndron i gdhendur një qëndrim anti-ideologjik dhe anti-utopik: liberalizmi e koncepton vetveten si “një politikë e së ligës më të vogël”, ambicia e tij është që të mbërrijë në “shoqërinë më pak të ligë të mundshme” pra të parandalojë të këqijat më të mëdha meqenëse secili propozim direkt i një të Mire pozitive konsiderohet si burim përfundimtar i çdo të lige.

Kunji i Churchillit mbi demokracinë që na qenka më e liga e gjithë sistemeve politike me përjashtim të gjithë sistemeve të tjera i qëndron fort mirë dhe liberalizmit. Ky këndvështrim e gjen mbështetjen në një pesimizëm të thellë sa i takon natyrës njerëzore: njeriu është një kafshë egoiste dhe ziliqare e nëse dikush ndërton një sistem që thirret te mirësia dhe altruizmi i njeriut, si rezultat do të vijë terrori i llojit më të lig (le të kujtojmë këtu se si Jakobinët ashtu edhe Stalinistët e mbanin si premisë të vërtetë virtytin njerëzor).

Kritika liberale ndaj “tiranisë të së Mirës” e ka një çmim: sa më shumë që programi i saj përthithet nga shoqëria, aq më shumë ajo shndërrohet në të kundërtën e vet. Pretendimi që s’po mëtohet asgjë tjetër pos së ligës më të vogël, pasi shpallet si princip i rendit të ri botëror, gradualisht nis të shfaqë të njëjtat karakteristika të armikut të cilit i kundërvihet. Në fakt rendi liberal botëror qartësisht e shpall veten si bota më e mirë e mundshme: mohimi modest i çdo utopie përfundon me imponimin e utopisë së tregut liberal e cila do të mund të bëhet realitet vetëm kur t’ia nënshtrojmë veten mekanizmave të tregut dhe të drejtave universale të njeriut.

Por, siç e di mirë cilido vëzhgues i qorrsokakëve të korrektesës politike, ndarja mes drejtësisë ligjore dhe mirësisë morale – e cila duhet të relativizohet dhe të historicizohet – përfundon në një moralizëm klaustrofobik dhe shtypës, të mbushur cit me fyerje. Nëse mungon një substancë sociale “organike” që të vendosë standardin e asaj çka George Orwell në miratim e quante “njerëzillëku i zakonshëm” (common decency), programi minimalist i ligjeve që shumë pak synime ka, përtej parandalimit të individëve që të mos shkelin mbi njëri-tjetrin (të mos e bezdisin apo “kërcënojnë” njëri-tjetrin) shndërrohet në një shpërthim rregullash ligjore e morale, një pafundësi procesesh legalizimi e moralizimi, të paraqitura si “lufta kundër çdo forme të diskriminimit”. Nëse nuk ka more të përbashkëta të fuqishme aq sa ta influencojnë ligjin, por vetëm faktet lakuriqe të subjekteve që “kërcënojnë” subjektet e tjera, atëherë çfarë – në mungesë të këtyre moreve – e vendos se çka njihet si “kërcënim” e çka jo?

Përshembull, në Francë ka shoqata të njerëzve obezë që kërkojnë të ndalohen të gjitha fushatat publike kundër obezitetit dhe pro zakoneve të shëndetshme të të ushqyerit, meqenëse këto fushata lëndojnë vetëvlerësimin e personave obezë. Militantët e Veggie Pride dënojnë “specizmin” e atyre që hanë mish (të cilët diskriminojnë kafshët e tjera duke privilegjuar kafshën njerëzore – e kjo për ta është një formë veçanërisht e pështirë e “fashizmit”) dhe kërkojnë që “vegjetofobia” të trajtohet njësoj si ksenofobia dhe të shpallet krim. E kështu me radhë mund ta tjerrim gjersa të përfshijmë në këtë argumentim edhe ata që luftojnë për të drejtat e martesës-incest, vrasjes konsensuale, kanibalizmit e kështu me radhë.

Problemi këtu është arbitrariteti i dukshëm i këtyre rregullave gjithnjë-të-reja. Le të shohim seksualitetin e fëmijëve psh.: dikush mund të argumentojë se kriminalizimi i tij është një diskriminim që s’jep kurrfarë garancie, po dikush tjetër mund të argumentojë gjithashtu se fëmijët duhet të mbrohen prej ngacmimeve seksuale nga an’e të rriturve. E kështu me radhë: të njëjtët njerëz që mbrojnë legalizimin e drogave të lehta përgjithësisht mbështesin ndalimin e duhanit në ambiente publike; të njëjtët njerëz që protestojnbë kundër abuzimit patriarkal të fëmijëve të vegjël në shoqëritë tona shqetësohen kur dikush i dënon pikërisht për këtë faj pjesëtarët e kulturave të tjera që rrojnë mes nesh, duke shpallur se ky qenka rast kur përzihemi me të tjera “mënyra jetese”.

Pra, për arsye strukturalisht të nevojshme kjo “luftë kundër diskriminimit” është një proces i pafundmë që pafundësisht e shtyn për më tej pikësynimin e saj: shoqërinë e çliruar prej gjithë paragjykimeve morale e cila, siç e thotë Jean-Claude Mircea, “do të jetë pikërisht për këtë shkak një shoqëri e dënuar të shohë krime gjithandej”.

Koordinatat ideologjike të këtij multikulturalizmi liberal përcaktohen nga dy karakteristika të zeitgeistit tonë “postmodern”: historicizmi multikulturalist i universalizuar (gjithë vlerat e të drejtat janë historikisht specifike, çdo lartësim i tyre në nocione universale që i duhen imponuar të tjerëve përbën rastin më të dhunshëm të imperializmit kulturor) dhe universalizimi i “hermeneutikës së pandehmës” (gjithë motivet “e larta” etike lindin dhe mbështeten prej motiveve “të ulëta” të zilisë e të smirës – përshembull thirrja për të sakrifikuar jetën për një Çështje të lartë na qenka ose një maskë manipuluese e atyre që kanë nevojë për luftë që të ruajnë pushtetin dhe pasurinë, ose një shprehje patologjike e mazohizmit).

Lidhjet e besimit dhe të borxhit 

Por ky vizion liberal ka një problem, për të cilin është i ndërgjegjshëm çdo antropolog, psikanalist apo edhe vëzhgues e kritik social për të qenë, si Francis Fukuyama psh.: ai nuk mund të rrijë mbi këmbët e veta, gjithnjë paraziton mbi ndonjë formë paraprake të asaj që përgjithësisht referohet si “socializim”, formë të cilën njëherazi e rrënon, duke prerë pra degën mbi të cilën rri.

Në treg – e më përgjithësisht në shkëmbimin social që bazohet në tregti – individët e takojnë njëri-tjetrin si subjekte të lirë e të arsyeshëm, mirëpo të tillë subjekte janë rezultat i një procesi të komplikuar paraprak, i cili ka të bëjë me borxhin simbolik, me autoritetin e mbi të gjitha me besimin. Me fjalë të tjera, sfera e shkëmbimeve nuk është kurrë simetrike: është një kusht a priori për secilin pjesëmarrës që të japë diçka pa marrë gjë në shkëmbim, në mënyrë që të marrë pjesë në lojën ta dhashë – ta mora.

Sigurisht, tregu është sfera e mashtrimit dhe e hilesë egoiste; gjithsesi, siç na ka mësuar Jacques Lacan, që gënjeshtra të funksionojë ajo duhet të shpallet dhe të merret si e vërtetë – që do të thotë se dimensionet e së Vërtetës duhet të jenë të vendosura paraprakisht. Tek Kanti mungon nevoja për rregulla të pashkruara, të mohuara ama të nevojshme për çdo strukturë ligjore – por janë vetëm rregullat e tilla që e përbëjnë “substancën” mbi të cilat ligjet mund të funksionojnë siç duhet. Një rast shembullor i efikasitetit të këtyre rregullave të pashkruara është rasti i famshëm i “potlatch”-it.

Në shkëmbimin tregtar ngjasin njëkohësisht dy akte komplementare (paguan dhe merr atë për çka ke paguar), në mënyrë që akti i shkëmbimit të mos çojë në një lidhje të qëndrueshme sociale por vetëm në një shkëmbim momental midis individëve të atomizuar që menjëherë më pas kthehen në vetmitë e tyre. Në rastin e potlatch-it ama koha që kalon mes çastit kur unë e jap dhuratën dhe çastit kur pala tjetër e kthen këtë dhuratë krijon një lidhje shoqërore që zgjat (së paku për një farë kohe): pra jemi të gjithë të lidhur me lidhëset e borxhit. Nga ky këndvështrim paraja mund të përkufizohet si mjeti që na mundëson të kemi kontakt me të tjerët pa hyrë në marrëdhënie të mirëfillta me ta.

Kjo shoqëri e atomizuar, në të cilën ne kemi kontakt me të tjerët por nuk hyjmë në marrëdhënie të mirëfillta me ta është premisa e liberalizmit.

 

Advertisements

Një koment te “Liberalizmi dhe mangësitë e tij

  1. HBjr
    Tetor 30, 2012

    “kulturën dhe moret”?

    Nuk kisha per ta keqkuptu’ edhe po ta perktheje “kultura dhe zakonet”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: