rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Liberalizmi njëkahor

Po na shndërrojnë në minoritet edhe ekonomikisht përveçse politikisht. Në ekonominë dhe pasurinë e vendit tonë popullsia vendëse po marrin pjesë me përqindje përherë e më të vogël duke iu falënderuar këtij privatizimit të egër shpronësues e tjetërsues.

Privatizimi i nxjerr njerëzit prej politikës dhe publikes. Kur privatizohet prona publike, qytetarët jo vetëm që e humbin të përbashkëtën e tyre por rritet hendeku midis institucioneve politike dhe qytetarëve. Privatizimi është ekskluziv: prona dhe ndërmarrja është e dikujt dhe e askujt tjetër. S’ka çfarë të flitet aty – të tjerët janë të përjashtuar. Sa më shumë privatizim, aq më pak diskutim. Dhe, para privatizimit mund të kritikosh. Pas privatizimit mund veçse të ankohesh.

Prona publike është pronë që nuk është mall. Në momentin kur ke vendosur ta shesësh pronën publike, ajo mund të jetë publike deri sa të shitet, porse ajo nuk është më pronë.

Neoliberalizmi i djemve të shkollës së Çikagos instalohej në vende si Kili e Argjentina ku sundonin regjime fashiste militariste. Në Kosovë intensifikimi i neoliberalizmit, tani me sjelljen e privatizimit mbi gjithçka që është publike, do ta sjellë regjimin policor e ushtarak në fuqi. Liria për kapitalin nuk pasohet me lirinë për njerëzit. Kundërshtimi i privatizimit të ndërmarrjeve publike është qëndrim shtetformues. Pikërisht shteti pa publiken është një përbindësh. Kurse publiku pa publiken është spektator i shfaqjes ku vdes vetë ai.

Në Kosovë është afirmuar e propaganduar liberalizimi pa liri e para lirisë. Kosova e ka hapur kufirin e saj menjëherë në vitin 1999 duke e shndërruar tregun e saj në shans për gjithkënd tjetër përveç për prodhuesit vendës. 13 vjet pas, në Kosovë mbretëron njëfarë liberalizmi njëkahor: liri për të konsumuar (nëse ke para) por jo edhe për të prodhuar (meqë nuk ke shans).

Vetëm 8,5 % të energjisë elektrike në Kosovë shpenzohet për industri. Pra, aq sa kemi edhe eksport në shkëmbimin tregtar. Industrinë që shpëtoi nga lufta e kanë shitur, ndërkaq tash duan ta shesim edhe energjinë. Te privatizimi i Distribucionit të KEK-ut përballen interesi i një qeverie të përkohshme për të shitur dhe mungesa e së drejtës së KEK-ut të përhershëm për t’u mbrojtur.

Infrastruktura është shërbim dhe jo prodhim. Ajo është në shërbim të prodhimit. Ama ky prodhim s’është yni. Prandaj ne jemi shërbëtorë, në shërbim të huaj. Dhe, kemi paguar shumë shtrenjtë që të jemi veçse shërbëtorë. Pra, ne nuk jemi shërbëtorë që paguhemi, por shërbëtorë që paguajmë (korporata të pasura nga buxheti ynë i përbashkët e i varfër). Ne paguajmë shtrenjtë që të shërbejmë. Çfarë borxhi paskemi kështu?! Nuk jemi as skllevër në një shtet skllavopronar. Skllevërit janë të punësuar. Ne jemi robër lufte pa luftë. E madje edhe në luftë ka rregulla, për dallim nga kjo paqja e Kosovës.

Njëmend të gjithë në Kosovë do të kenë nevojë për këtë liberalizim të vizave. S’është e rastësishme që liberalizimi i vizave përbën shprehjen më të shpeshtë në eterin kosovar. Me këso qasje qeveritare, s’ka zgjidhje tjetër. Liberalizimi i vizave është i vetmi program ekonomik i Kosovës. Ekonomizimi i popullsisë – ky pra është programi i Qeverisë së Kosovës për Republikën tonë dhe qytetarët e saj.

Nuk është e vërtetë që punëtorët shqiptarë janë të vetmit që nuk protestojnë për ditën e tyre më 1 Maj. Jo pse ka edhe të tjerë që po ashtu nuk protestojnë por për shkak se edhe shqiptarët protestojnë, porse jo në Shqipëri e Kosovë. Në Itali, Greqi, Gjermani, Zvicër… Sepse atje janë, sepse këtu s’janë. Klasa punëtore shqiptare nuk ndodhet brenda vendit. Ajo është atje prej nga na vijnë paratë. Ajo punon pa pushim në Evropën perëndimore e gjetiu, kurse ne këtu ua mbajmë pushimin e kafesë nëpër kolonitë soditëse të makiato subkulturës. Çfarë ndarje ‘punësh’, apo jo?

Përveçse UNMIK-u me rregulloret dhe direktivat e tij, privatizimin në Kosovë, në fakt, e kanë nisur edhe ata që e keqpërdorën emrin e UÇK-së, duke shkruar nëpër prona: “UÇK, mos e prek!”, ose “UÇK, e zanun!”. ‘Mos e prek’, thua se bëhet fjalë për bombë; ndërkaq, ‘e zënë’, thua se bëhet fjalë për toalet. Pra, ata që menjëherë pas luftës iu dhanë përfitimeve vetjake nga prona e pasuria shoqërore e publike.

Atëbotë bëhej fjalë për simptomën e sëmundjes që na ka pllakosur sot. Konflikti ndërmjet Qeverisë dhe qytetarëve është konflikt ndërmjet përfitimit privat dhe interesit të përgjithshëm shoqëror. Pasurimi i politikanëve nuk është dukuri natyrore. Mund të thuhet që edhe në Kosovë ka rishpërndarje të pasurisë, porse me kahje të kundërt e të gabuar, drejt të preferuarve të pushtetarëve.

Po vjen koha që të gjithë në Kosovë duhet të marrin qëndrim edhe mbi publiken dhe jo vetëm mbi privatizimin (e publikes). Pra, të besojmë në sferën publike të shoqërisë, të besojmë që duhet të ketë pronë publike. E, të besosh do të thotë të mbrosh.

Autor: Albin Kurti

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: