rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Përtej Mistikës dhe Pozitivizmit Ligjor

E ndoqa me vëmendje polemikën e zhvilluar këto ditë në mes të Astrit Canit dhe Ardian Vehbiut në lidhje me çështje të gjuhësisë shqipe, siç janë norma e standardizuar e shqipes e dakorduar më 1972, marrëdhënia e kësaj të fundit me dy dialektet e shqipes, si dhe historia e dy dialekteve të shqipes dhe rëndësia e kësaj historie në të studiuarit shkencor të shqipes. Të gjitha këto janë tema të gjëra që sigurisht kanë qenë dhe do të mbeten pjesë e debatit shkencor mes gjuhëtarësh. Edhe pse nuk jam studiues i shkencave gjuhësore, interesohem për këto çështje dhe debatet publike rreth tyre në radhë të parë si një qytetar shqiptar që shqipen e ka gjuhë amtare.

Ashtu siç besoj do të pajtohej me mua edhe Vehbiu, nëse gjuha shqipe është pasuria jonë më e përbashkët, atëherë sigurisht që debati publik mbi këtë pasuri kaq të përbashkët duhet të jetë i hapur edhe për publikun joprofesionist; apo do ta bëjmë edhe gjuhën si ekonominë, e cila ka kohë që është kolonizuar prej arsyes teknokratike të ekonomistëve? Shumica ekonomistëve sot janë të prirur që çdo ndërhyrje nga publiku joprofesionist në debate mbi ekonominë ta barazojnë me diletantizëm të dobët që vetëm zhurmë mund të prodhojë, por kurrsesi diskurs të kuptueshëm. Në bazë të asaj që kam lexuar nga kontributet publike të Vehbiut (akoma nuk i kam lexuar librat e tij, por do ta bëj edhe këtë së shpejti), nuk e besoj që ai ndan pikëpamje të ngjashme si këto të ekonomistëve kolonizues, edhe pse në reagimin e fundit ndaj Canit, përpos argumenteve substanciale që bënte, për të cilat do të shprehem më poshtë, në nivel retorik mund të dallohej edhe një lloj arrogance pozitiviste që debatin mbi gjuhën do ta mbajë larg nga amatorët. Sigurisht, argumentet e dobëta duhet gjithmonë t’i thërrasim para gjyqit të arsyes, por këtë duhet ta bëjmë si ndaj profesionistëve ashtu edhe ndaj amatorëve. Amatori nuk është domosdoshmërisht një diletant; ai mund të jetë edhe një studiues pasionant dhe i mirëlexuar; amatorizmi në vetvete, sidomos kur bëhet fjalë për çështje kaq publike sa gjuha, nuk do të duhej të përbënte bazë për delegjitimim ex ante.

Përpos statusit prej folësi amtar të shqipes, që më bën të interesuar natyrshëm për këtë debat, ndodh që unë kam edhe disa interesime kërkimore në filozofi të gjuhës, sidomos në debatet dhe polemikat e vjetra, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, mes traditës filozofike kontinentale dhe asaj anglo-saksone analitike e që në thelb të tyre kanë dallime konceptuale mbi çështjen e marrëdhënies problematike mes gjuhës dhe arsyes. Filozofia, si diskurs i marrë që është, siç shprehet filozofi francez Badiou, ka një kapacitet të veçantë për t’i kuptuar në tranzit të vërtetat e shkencave të tjera e për t’i informuar ato për madhështinë e tyre spekulative. Apo siç do të thoshte filozofi gjerman Habermas, filozofia është disi si dora, ky monopol kaq i rëndësishëm antropologjik, e cila pikërisht në sajë të mosspecializimit ka mbetur pjesa më funksionale e më e vyeshme e trupit njerëzor; analogjikisht, filozofia, duke qenë e paspecializuar, është diskursi i vetëm që mundëson komunikimin mes të vërtetash shkencore të cilat që prej fillimit të modernitetit, apo asaj që Max Weber e quan “racionalizim i jetës shoqërore,” nuk i flasin më as njëra tjetrës e as praktikave të përditshme. Uniteti i arsyes ruhet, kështu, pikërisht nga filozofia, ajo amatorja kokëçarëse që pozitivistët do të donin ta qethnin duke e reduktuar në logjikë të thatë që flak tutje çdo të vërtetë filozofike që nuk i nënshtrohet ligjeve të induksionit dhe deduksionit.

Më lejoni të filloj, atëherë, duke u pajtuar plotësisht me Vehbiun në një pikë të rëndësishme të vërejtjeve të tij ndaj Canit: marrëdhënies mes vjetërsisë dhe epërsisë. Bie plotësisht dakord me Vehbiun që vjetërsia si e tillë, edhe nëse mund t’i atribuohet gegënishtes, nuk mundëson kurrëfarë epërsie të kësaj të fundit mbi toskërishten apo mbi shqipen e normuar standarde. Cani në këtë rrafsh, siç vë re me të drejtë Vehbiu, vetëm një ligjërimi mistik mund t’i thërras në ndihmë; një ligjërimi që burimoren e merr gjithmonë si superiore. Në emër të këtij identiteti, Cani bën pretendime që janë po kaq të padrejta sa edhe diskriminimi që standardi i ‘72-shit i bëri idiomës gege. Pa kurrëfarë të drejte, ky barazim sofistik i vjetërsisë me epërsinë e lejon Canin ta quajë shqipen standarde të fëmijëve të Tiranës “gjuhë të trashë”, “daltonike” (me demek e pangjyrë), “kashtë”. Rrjedhimisht, ajo çfarë na duhet, sipas Canit, është kthimi tek origjina, tek “qumështi i nënës,” sepse fëmija këtë dashka.

Përpos barazimit të vjetërsisë me epërsi, që Vehbiu e vë re me të drejtë, këto pohime të Canit janë të pasakta edhe nga një perspektivë e sociologjisë së zhvillimit njerëzor. Socializimi i fëmijës ka për synim rritjen e tij, pra pavarësimin nga qumështi i nënës, nga ai burim që, siç thotë Hegeli tek Fenomenologjia e Frymës, domosdoshmërisht do të shteret me rritjen e fëmijës dhe transformimin e tij në një individ të pavarur që do të fitojë bukën e vet duke konkurruar me të tjerë në forumet publike të shoqërisë civile. Ky transformim i rëndësishëm mundësohet edhe nga një socializim i domosdoshëm me norma publike, siç është edhe gjuha e normuar standarde. Duke shkuar në shkollë e duke kaluar përmes procesit të socializimit që mundëson ky institucion, fëmija fiton për herë të parë një identitet publik. Ai mëson që duhet të fitojë një pavarësi relative dhe kritike nga e dhëna natyrore e menjëhershme—qumështi i nënës, gjuha e shumëngjyrshme e folur në shtëpi e kështu me radhë. Ky proces nuk ka asnjë arsye të interpretohet si një “rënie” à la Rousseau, por përkundrazi, si fitim i  pavarësisë së nevojshme nga ana e individit; si përgatitje e tij për jetë publike, jashtë oborrit të shtëpisë dhe larg gjirit të nënës që bëhen domosdoshmërisht të pamjaftueshme për mirëmbajtjen e tij.

Megjithëse pajtohem plotësisht me Vehbiun deri këtu, kam dyshimet e mia mbi disa premisa që duket sikur janë shtrati mbështetës i disa prej qëndrimeve të tij dhe me të cilat nuk pajtohem plotësisht. Po ashtu, dhe ndërlidhur me këto dyshime, mendoj që Vehbiu pak si lehtë e shpejtë vendos të anashkalojë disa prej argumenteve të Canit që edhe nëse nuk qëndrojnë si të vërteta, ngrenë pyetje legjitime.

Së pari, ndonëse vjetërsia nuk përbën kurrëfarë baze për epërsi, nuk mendoj që vjetërsia dhe përpjekjet e historianëve të gjuhës për të datuar gjuhën janë të pamundura apo pa kurrëfarë vlere studimore. Vehbiu thotë në një pikë që gjuha nuk është dokument për t’u datuar. Ky pohim qëndron në tension me shumë pohime të tjera që bën Vehbiu e të cilat në mënyrë implicite e pranojnë që gjuha dhe fenomenet gjuhësore mund të datohen, edhe nëse nuk janë dokumente. Për shembull, Vehbiu thotë që inovimet në toskërisht kanë ndodhur para pushtimit osman, kurse në gegënisht ato janë shfaqur më shumë pas pushtimit osman. A nuk e presupozon kjo mundësinë e datimit të fenomeneve gjuhësore? Fundja, as gjithësia nuk është dokument, por kjo nuk i parandalon shkencëtarët të flasin për moshën e saj, apo jo? As komplekset malore, siç janë Alpet Europiane, nuk janë dokumente, por kjo përsëri nuk i parandalon shkencëtarët të flasin për moshën e Alpeve. Ndonëse pajtohem që vjetërsia nuk duhet të mistifikohet a të prezantohet si argument kur në vetvete nuk përbën një të tillë, nuk pajtohem me Vehbiun që ajo nuk është atribut që ia vlen të studiohet për të kuptuar gjëra të rëndësishme në fusha të ndryshme të shkencës gjuhësore. Për shembull, një grup studiuesish austriakë po merret me vjetërsinë e shqipes për të pyetur nëse shqipja e vjetër është në fakt më afër origjinës prej së cilës gjuhë të tjera ballkanike kanë huazuar trajta të caktuara. Siç venë re ky grup studiuesish, ndonëse dihet prej kohësh që gjuhët ballkanike kanë ngjashmëri të shumta (teza e Sprachbund-it ballkanik) dhe që ato kanë marrë e dhënë prej njëra tjetrës përgjatë historisë, ajo që nuk mund të dihet, pa u marrë me datim, është se cila prej këtyre gjuhëve është më afër origjinës që ka ndikuar pastaj relativisht më shumë gjuhët e tjera të zhvilluara më vonë. Hipoteza e tyre është që shqipja e vjetër ka patur ndikim më vendimtar mbi gjuhë të tjera ballkanike sesa që është ndikuar vetë nga to. Kjo hipotezë, natyrisht, mund të dalë e pasaktë; por, ajo çfarë dua të theksoj është që pyetjet rreth vjetërsisë së gjuhës jo vetëm që, përkundër asaj që thotë Vehbiu, janë të mundshme, por ato kanë edhe vlerë studimore. Më duket sikur padurueshmëria me mistifikimet e Canit e dërgon Vehbiun, pa nevojë, në qëndrime të dyshimta dhe vështirë të mbrojtshme.

Së dyti, kam dyshimet e mia në lidhje me ndarjen pozitiviste, nganjëherë kategorike, që Vehbiu e bën, sidomos kundër amatorëve që nuk marrin vesh nga punët e gjuhës, mes fenomeneve kulturore, politike, shoqërore e ekonomike, në njërën anë, dhe atyre që ai i quan “mirëfilli gjuhësore”. Kjo ndarje është pedagogjikisht e vyeshme, por ajo mund të bëhet mjet abuzimesh kur përdoret për të parandaluar mundësinë e studimit të gjuhës dhe fenomeneve të saj nga perspektiva ndërdisiplinare; specializimi i tepërt nganjëherë dëmton kërkimin shkencor. Kjo nuk është për të thënë që specializimi është i panevojshëm apo i dëmshëm në vetvete. Përkundrazi. E tëra që dua të them është që duhet të kemi kujdes që kufijtë ndërdisiplinarë të mos i tërheqim me fanatizëm pozitivist, sidomos kur bëhet fjalë për studimin e gjuhës, shoqërisë, kulturës, politikës, që janë sisteme të veprimit njerëzor ngushtësisht të lidhura me njëra tjetrën. Vetë Vehbiu, me anë të shumë qëndrimeve të tij, tregon që tërheqja e këtyre kufijve është e pamundshme në shumë raste. Për shembull, ai e pranon që për të kuptuar pse për standardin e shqipes u vendos ashtu siç u vendos duhet të dish diçka për kontekstin politik e kulturor të shqiptarëve që fillon që me Rilindjen Kombëtare. Pra, siç e dëshmon edhe vetë puna kërkimore e Vehbiut, fenomenet shoqërore, politike e kulturore, mund të lenë pasoja gjuhësore—standardi ‘72 është shembulli më i mirë i kësaj. Dhe anasjelltas, zhvillime mirëfilli gjuhësore si rotacizmi tek toskërishtja apo karakteri ekstrovert i saj mund të prodhojnë pasoja shoqërore e politike duke dërguar tek një normë standarde që i jep përparësi shtrirjes kulturore të një dialekti në kurriz të emancipimit publik të dialektit tjetër.

Në anën tjetër, kur do të mbrojë qëndrimet e tij konservative kundër rishikimit të standardit të gjuhës shqipe, Vehbiu harron për ndarjen kategorike që preferon ta bëjë kundër amatorëve. Për shembull, ai bën këtë pyetje frikëndjellëse (po e citoj të plotë):

“a duam vërtet dhe a jemi në gjendje, ose më mirë, a i kemi institucionet dhe vullnetin e duhur shoqëror që të zhbëjmë sot rezultatet, sado të debatueshme në vetvete, të gati një shekulli e gjysmë përpjekjesh, suksesesh, disfatash, gabimesh dhe mëkatesh në lëmin e homogjenizimit kulturor të një shteti të ri dhe me institucione kaq të dobëta, si yni?”

Pse do të duhej që për një çështje që Vehbiu, kur i nevojitet, do ta quajë temë “mirëfilli gjuhësore” për t’u trajtuar vetëm nga specialistët e gjuhës, si puna e standardit të shqipes, të çojnë peshë argumente që vijnë nga jashtë shkencave të gjuhës, siç është dobësia jonë politike a institucionale për koordinim kolektiv? Nuk është e rëndësishme këtu se a pajtohem me këtë drojë të Vehbiut; në fakt, edhe mund të pajtohem që historia jonë në korrje të fitoreve kolektive, fatkeqësisht, është e dobët, por nuk është e qartë se pse kjo duhet të na bëjë të dorëzohemi para thirrjes për t’u bërë më të mirë në të ardhmen duke treguar se mund të bëjmë kritikë të informuar dhe rishikim të arsyeshëm të standardit të shqipes. Përtej kësaj, dhe më me rëndësi, ajo çfarë dua të vë në dukje këtu është një mungesë ndershmërie në argumentimin e Vehbiut: duket sikur raporti i tij me kufijtë mes çështjeve “mirëfilli gjuhësore” dhe atyre jogjuhësore nuk është parimor; u thërret atyre kur i nevojitet për të delegjitimuar amatorët, i braktis ato kur nuk i hyjnë më në punë.

Së treti, dhe së fundmi, Vehbiu dështon t’u bëjë drejtësi disa prej pyetjeve shumë legjitime që ngre Cani në shkrimin e tij. Sa ka humbur funksionalitet dhe potencial shprehës gjuha shqipe duke u standardizuar ashtu siç u standardizua në kongresin e vitit ‘72? Cani sjell ca shembuj që Vehbiu nuk i merr në konsiderim fare, si puna e varfërimit që standardi vuan kur vendos të mos njohë variante gege të fjalëve të caktuara gjerësisht të përhapura në të folur, si “i pamë” apo “i ndytë/i ndymun”. Vehbiu është i prirur t’i përgjigjet kësaj me një pozitivizëm të zbrazët ligjor duke thënë që edhe nëse gegënishtja u diskriminua nga standardi ’72, ajo nuk u shpall me këtë rast edhe e paligjshme ose joletrare. Sigurisht, por ajo që harron në këtë mes Vehbiu është që standardi, ndonëse në një kuptim asgjë më shumë se një dakordim politik (ndonëse në kushte të një diktature të egër e së këndejmi jo i lirë) i një kolektiviteti për normën që do të qeverisë komunikimin publik, ka megjithatë pushtet të madh në prodhim të pasojave kulturore. Me përparësinë që i dha toskërishtes, standardi i vitit ’72 e fuqizoi këtë variant të shqipes duke i dhënë shanse më të mëdha lëvrimi kulturor pikërisht sepse e shndërroi në normën që do të qeveriste komunikimin publik ndërshqiptar. Kjo nuk është një fuqi triviale, ndonëse mund të pajtohem me Vehbiun që askush nuk na ndalon me ligj që të lëvrojmë kulturalisht edhe gegënishten. Unë jam një shqiptar i Kosovës, por pikërisht për shkak të ndikimit të standardit të vitit ‘72, unë e gjej të huaj gegënishten si gjuhë letrare. Jam socializuar në shkollë me normën standarde shqipe (dhe nuk kam kurrëfarë pendese për këtë) dhe prandaj nuk më vjen natyrshëm të shkruaj në variantin gegë. Një vendim burokratik nuk është kurrë vetëm aq—një copë dokumenti nënshkruar nga disa funksionarë shtetëror në vitin 1972.

Një qasje pozitivisto-ligjore si kjo e Vehbiut, që do të mbrojë standardin duke u nisur nga një minimalizëm funksional që thotë se përderisa jemi dakorduar njëherë për këtë normë standarde, le të mos i nxjerrim vetës punë duke e rishikuar kujdesshëm, është po aq problematike sa edhe qasja tjetër ekstreme e Canit e cila do të na e shenjtërojë gegënishten dhe vjetërsinë e saj. Që të dyja qasjet na paralizojnë sepse të dyja janë të paafta të sakrifikojnë disa parime të tyre dogmatike. As nuk kemi pse të duam të kthehemi tek qumështi burimor i nënës (ai burim edhe ashtu shteret me rritjen tonë) e as nuk kemi pse t’i frikësohemi rishikimit kritik të standardit të dakorduar në vitin 1972. Rishikimi gradual, kritik dhe tejet i kujdesshëm i standardit duhet t’i përgjigjet si nevojës së proceseve dinamike shoqërore që zhvillohen pavarësisht gjuhës, por që kanë aftësi ta ndikojnë atë, ashtu edhe nevojës për një normë standarde sa më kulturalisht përfaqësuese. Ky proces nuk ka pse udhëhiqet nga mistifikimi i gegënishtes burimore (Cani), që anashkalon krejtësisht arritjen kulturore e politike, sado të mangët, që përfaqëson standardi i sotëm i shqipes, apo nga frika e dështimit e bazuar në paaftësinë tonë si kolektivitet për të bërë një punë të mirë në çështje të ndërlikuara (Vehbiu). Statusin e të shenjtës së paprekshme duhet t’ia mohojmë si të dhënës së menjëhershme burimore e kuazi-natyrore ashtu edhe të dhënës së arrirë politikisht e ligjësisht në një moment të caktuar historik jo edhe aq ideal për lirinë e mendimit e të shprehjes.

Autor: Gent Carrabregu

Advertisements

8 komente te “Përtej Mistikës dhe Pozitivizmit Ligjor

  1. Borana Lushaj
    Tetor 7, 2012

    Si fillim kerkoj falje per mungesen e ë-ve, se nuk jam ne windows.

    Une, si gjuhetare (pak radikale) nuk e kuptoj nevojen per debatin mbi standartin gjuhesor, as nga pikepamja e atyre qe e mbrojne, as nga pikepamja e atyre qe e denojne standartin. Per arsyen e vetme se, keto jane dinamika jashte-gjuhesore, dhe gjuhetari do e studioje variantin standard si me ndryshime, si pa ndryshime, si ne te tashmen, si ne te ardhmen. Ne fakt, ne fakt, gjuhetari (ose gjuhetarja) nuk do merret fare me standardin, po do studioje dialektet (te pakten nje gjuhetar qe nuk flet nga maja e thanes).

    Gjuhetaret studiojne gjuhen ne shoqeri, dhe nuk vendosin norma te asnje lloji, pervec atyre gjuhetareve qe kane ideologji ose ambicie politike ose publike. Une kete debat konkret nuk e kam ndjekur por nese gjuhetaret qe flasin dialekte gege kane deshire qe te rrisin statusin kulturor te dialekteve te tyre, le te perpiqen te rrisin nivelin arsimor dhe kulturor te zonave ku fliten dialekte gege, qe te kemi oratore, shkrimtare dhe intelektuale te tjere publike qe e sjellin gegnishten ne tryezen mediatike apo kombetare, dhe pastaj gjuha do veproje me mekanizmat e veta te ndryshimit. Per mendimin tim, kjo taktike do ishte me shume efikase sesa normat e drejtshkrimit qe me sa kuptoj une zor se respektohen nga folesit e rinj ne Shqiperi si ne veri ashtu edhe ne jug. Eshte e vertete se standardi eshte me baze toskerishte, pra eshte variant me i veshtire per geg-folesit dhe ndoshta eshte nje faktor ne nxenien gjate periudhes se arsimimit, po kjo eshte vetem hipoteze dhe une nuk kam ndonje fakt per kete. Por nga ana tjeter, shiko sa shume “huazime dialektore” kane vershuar nga Prishtina apo Kosova ne pergjethsi drejt Shqiperise permes muzikes apo kontaktit kulturor pa normat e askujt (ndoshta me normat e Top Channelit, po ky eshte debat tjeter). Ka shume lloje prestigjesh gjuhesore dhe kulturore dhe gjuha standarte nuk eshte masa perfundimtare qe percakton gjithcka. Per shembull, ne Hollande popullsia ka vetedije te forte identiteti te lidhur me dialektet dhe gjuha standarde gezon prestigj, por nderkohe gjuha hollandeze ne Belgjike, ne zonen e Flandres konsiderohet publikisht si “gjuha me e mire”, me e mire madje edhe se standardi hollandez, pavaresisht nga disavantazhi ekonomik qe ka kjo zone ne krahasim me pjesen tjeter te Hollandes.

    Nuk e di nese autori do me fusi ne ndonje kornize paradigmatike ne baze te qendrimit tim, por une besoj qe me e frytshme per te gjithe ne si intelektuale shqipfoles, do ishte qe te inkurajojme pune te mirefillte mbi gjuhen e gjalle, mbi dialektet, mbi historine, mbi kontaktin, mbi ndryshimet midis brezave. Kjo pune eshte nisur mire apo keq nga Albanologet e brezit te kaluar, dhe eshte shume shume larg perfundimit. Dhe jam e bindur qe pasi te kemi bere tere kete pune, ceshtja e standardit as nuk do na hyje ne sy fare, te pakten jo ne syrin e gjuhetareve.

    Me respekt,
    Borana Lushaj
    Universiteti i Leidenit

    ps: Kam nje ndjesi qe e njoh Gent Carrabregun personalisht. A eshte e sakte?

  2. Gent Carrabregu
    Tetor 8, 2012

    Pershendetje Borana,

    Pajtohem qe standardi nuk eshte masa perfundimtare qe percakton prestigjin kulturor te shqipfolesve. Jam plotesisht dakord edhe me ato qe thua per ate se cfare ne te vertete duhet te jete vokacioni profesional i gjuhetarit. Ndaj te njejtin qendrim ne lidhje me shume prej pikave qe propozon per nje agjende kerkimore shume me te frytshme per ata qe duan te studiojne shqipen.

    Pertej kesaj, ama, mendoj qe standardi eshte nje norme publike e cila duhet te reflektoje sa me mire qe te jete e mundur gjuhen e gjalle te folur nga shqipfolesit gjithandej trevave shqiptare. Edhe pse jam i prirur ta kundroj thjeshte si nje pajtim politik te rendesishem per integrim te gjithmbarshem kulturor e shoqeror, mendoj qe per te gjithe ne qe duam te jemi qytetare te mire gjuhesor, pra qe duam ta pervetesojme sa me mire standardin e shqipes, ai duhet te reflektoje nje pajtim sa me te informuar dhe kulturalisht perfaqesues. Standardi mund te mos jete masa per gjithcka, por ai definitivisht qe kushtezon shume levrimin kulturor te nje gjuhe. Kjo eshte e tera qe do te shtoja permbi ato qe thua ti dhe me te cilat pajtohem ne mase te madhe.

    Me respekt,
    Gent Carrabregu
    Northwestern University

    ps: Eshte e vertete qe njihemi edhe personalisht. 🙂 Akronimi qe do te vertetoje ndjesine tende eshte SEEYLI 2003. Te pershendes!

  3. hakim bey jr
    Tetor 9, 2012

    Vehbiu ne fakt eshte kritikuar rregullisht per te kunderten ekzakte te kesaj qe pohoni ju ketu: per hapje maksimale ndaj temave, zhanreve, disiplinave, per refuzim te ideologjise se specializimit dhe per mbeshtetje barazitiste e bujare ndaj cdo amatori anonim (mjaft qe dikush te shfaqet ne blogun e tij si komentues, qe Vehbiu ta gradoje direkt me titullin “koleg”). Nese Vehbiu ka perdorur termin ‘amator’ drejtuar Canit, kete nuk e ka bere qe t’ia hedhe poshte vetem me kaq argumentet e metimet (ndonese edhe kjo do te kishte mjaftuar – na pelqen a s’na pelqen), por thjesht per te pohuar edhe nje here se gabime si te Canit, zakonisht shkojne ne perpjesetim te drejte me nivelin e amatorizmit ne levrues: kaq! Me tej Vehbiu gjuhetar vetem e ka respektuar si koleg Canin duke ia cekur nje e per nje metimet – ne dy artikuj rresht, thuajse.

    Tani vijme tek termi “i pandershem” qe pluskon aty-ketu ne shkrimin tuaj, per te pershkruar gjoja-kontradikten mes Vehbiut qe te kercenon si gjuhetar, ne sinor te disiplines se tij, dhe Vehbiut qe vetetolerohet si jogjuhetar duke shkelur ne gjithe lemite e tjera, te te tjereve. Duke njohur personazhin (1) dhe konkretisht tekstin qe komentoni prej tij (2) (repliken ndaj Canit) vume re qarte qe nuk ka pandershmeri nga ana e tij, po mbase as nga ana juaj qe perdorni nje term kaq te forte. Mbase vetem sa thjesht nuk keni lexuar me vemendje, por kjo nuk i heq pike te tjera shkrimit tuaj si stil dhe qasjes suaj ne pergjithesi.

    Besoj se me kenaqesi do te ndaloj t’ju lexoj sa here ta has serish emrin tuaj, qe prej kesaj here te pare.

  4. Pingback: Përtej Mistikës dhe Pozitivizmit Ligjor « Vita Contemplativa

  5. Astrit
    Tetor 11, 2012

    I nderuem shkrues,
    nuk e kuptoj pse e sheh si mistifikues qendrimin tem. Asht shum e thjeshtë me vërtetue se “rana” pra “arena” latine ose “rena” e Dantes, si trajtë asht ma e vjetër se “rëra”, që ka këtë “r”-në e rotacizmit që bullgarët ia banë dhuratë jugut tonë gjatë pushtimit të tyne në mesjetë. E për ma tepër me “rërë” nuk formon dot as fjalë të tjera. E për ma tepër nuk e lidh dot me rranjën: me ra. Po ta shihni edhe grafikisht “r”-ja ngjan fiks me nji urë të këputun. Kurse “n” asht urë e plotë, ose “m” urë me dy harqe.

    Unë nuk mistifikoj kur thom se këto trajta nuk janë gege, por janë shqipe dhe indo-evropiane. Kërkoni rranjë me “n” dhe “m” tek Homeri origjinal e keni me i gjetë me shumicë.
    Je ti ai që mistifikon, kur thue se ‘një vendim burokratik nuk është kurrë vetëm i tillë’.
    Ti je nji shqiptar i Kosovës, për të cilin gjuha jote amtare, pra e amës, pra gegnishtja asht e huej. Thom se e di pse e ke kët qendrim. Sepse kjo të jep nji status që gegnishtja nuk ta jep. Të jep statusin e të leçitunit, që të hiqesh me të madh në mëhallë dhe të frekuentosh mjediset snob.
    Mistifikon edhe kur ban si filozof i gjuhës, sikur paske edhe tagrin me krahasue shkollat kontinentale apo ishullore. Por nuk përmend kurrkund filozofë të gjuhës.
    Ndërkohë që unë të freskoj me Husserl-in ti më përmend Habermas-in, dhe na e quen filozof, kurse nga Badiou-ja përmend një batutë.
    Kësodore, më lind e drejta, që në pritje të argumentimeve tueja mbi filozofinë e gjuhës, deri atëherë me të quejtë me titullin provizor: gazetar i gjuhës.
    Edhe leksiku që përdor asht aq i thatë sa ia mbete në fyt lexuesit kët vargan kuazi-konceptesh (që me ta përshkrue me nji fjalë të shëmtueme nga ato që t’i kande me përdorë).

    Ti pajtohesh me Vehbiun në nji pikë të papajtueshme e të pahonepsshme. Bash tek nyja ku Vehbiu rezulton mendimtar i skaduem.
    Shum kosovarë e shum shqiptarë në përgjithësi e shohin ardhjen në pushtet të Hoxhës si nji zhdrivillim normal dialektik të traditës politike që fillon me Rilindjen.
    Por, nuk asht kështu!
    Stalinizmi shqiptar nuk ka si me qenë pjellë e Rilindjes shqiptare. Rilindja shqiptare nuk ka nga këto bizantinizma e aq më pak të nivelit stalinist.
    Këtu, ti sikurse Vehbiu, gaboheni shum randë.
    Vehbiu tue u nisë prej bazash krahinore, meqë rilindasit më të ndriçuar ishin toskë dhe elita komuniste (ngase ai ‘elitë’ e quan) po ashtu, atëherë rrjedhimisht del që paska vijimësi.
    Por jo! Asht qark i shkurtë. Kjo simpati për faktin e kryem, asht diametralisht e kundërt me shpirtin iluminist.
    A mund të shihni ndoj figurë rilindase në byronë politike?
    Unë për vete jo!
    Unë kam bindjen se kulti i standardit si arritje, asht pjesë e kulteve të monizmit, i cili, tue e lanë popullin pa bukë, mujte me i ushqye atij kultet e personalitetit, vijës së partisë e me radhë. Kjo ishte autarkia e famshme, vetëmjaftueshmënia e udhëheqjes, që na izoloi jo vetëm nga Perëndimi e Lindja, por edhe nga vetëvetja. Na izoloi nga Shkodra e nga Ulqini, nga Prizreni e Gjakova, na izoloi nga Pogradeci e nga Korça, nga deti e nga alpet. Na izoloi nga jeta, shkurt fjala, ngaqë na burgosi.
    Juve në Kosovë nuk i provuet ndojherë këto kultet, prandej i idealizuet, siç na ndodhi ne me idealizue përvojat tueja si emigrantë ma të hershëm në botën gjermanike.
    Thue se asht ma i zhvilluem, por vetë regjistri që ti po përdor asht mbushë me kaptime të mykuna të ligjërimit akademik të shkollave të dështueme të mendimit bashkëkohës.

    Nji pikë tjetër ku gabohesh prapë asht çashtja e fëmijëve. Referanca hegaliane të tradhton dy herë. Së pari nuk asht Fenomenologjia e Frymës, por e Shpirtit. Studjoje ma mirë ndryshimin mes Geist e Seele, Spirit e Soul, Spirito e Anima. Mandej mos harro se kulti i shtetit hegelian ka qenë legjitimues jo vetëm për Prusinë e kohës, por edhe për totalitarizmat e shekullit të XX. Kështuqë hiç dorë nga ai kult. Së dyti, thue se fëmija rritet shkon në shkollë dhe krijon pavarësinë e vet, karakterin e vet publik, pra nuk i duhet gjuha amtare, se ka gjuhën e shtetit. Pra je dakord me e zavendësue qumshtin tamël me qumshtin pluhun. Mjerim i madh!
    Mu nuk më duhet hiç se çfarë diete ndjek i rrituni, por të njomit i duhet dhanë ushqim ‘bio’.

    Në radhë të parë marrëdhaniet e kosovarëve me standardin janë krejt të sforcueme. Ata lodhen kot ta flasin, mbesin folës artificialë të nji gjuhe artificiale, që në shum gjana shfaq tiparet e neogjuhës së Orwellit.
    Së dyti, kur flas për gjuhën amtare dhe fëmijët, m’intereson bash zhvillimi i fëmijëve parashkollorë, pra i atyne që nuk veshin uniformë. Nse këta fëmijë mësojnë prrallat në gjuhën amtare, kangët e ojnëzat, atëherë kemi të rritun ma të natyrshëm. Nse këta fëmijë çohen në kopsht qysh 2 vjeç, dhe edukohen vetëm me reklama televizori, kur të rriten kemi me pasë shum ma tepër burokratë ngasa na nevojiten.
    Edukimi narrativ në gjuhë amtare, na jep shkrimtarë të ardhshëm, piktorë, muzikantë, artistë e artizanë të tana fushave.
    Pavarësisht se kam shkrue 10 libra e përkthye nja 100, ju mund të më queni amator, saherë të doni, pasi unë e përkthej edhë kët fjalë, dhe ju baj me ditë se po më queni dashnor i gjuhës.
    Kur flas për gjuhën pa shije të fëmijëve tiranas, këtë e kam të dëshmueme. Ata flasin me ngërç për ngërç, politikë dhe pare, pra për të tana helmet për të cilat flitet tanë ditën në mediat e atyshme. Kjo situatë asht depresive dhe shum dëshpëruese. Tipi antropologji i “Njeriut të ri”, po vazhdon. Ky tip, që asht “grada zero e njeriut” po lulëzon sot ma shum se në kohën kur inxhenieria sociale filloi ta prodhonte.

    Ata që mburren për arritje në këtë situatë tregojnë thjesht dritëshkurtësinë e tyne. Vehbiu thotë se standardin asht ma i randësishëm se dy dialektet, dhe gabohet. Asht si me thanë që Fevziu asht ma i randësishëm se Lasgushi, apo Koliqi. Si me thanë që Vespa asht ma i randësishëm se Pasolini a Carlo Emilio Gadda. Kjo mendjemadhësi këtyne ju vjen prej faktit se standardi ka ma shum pare se ç’kanë pasë dialektet.
    Gegnishtja nuk asht eprane për shkak të vjetërsisë. Nuk asht mumje, siç i pëlqen Vehbiut. Ajo asht gjallë e gëzon shëndet të plotë. Kur flasim për vjetërsinë e saj, kemi parasysh faktin e shtresëzimit. Por tue qenë antike e moderne, ajo shfaq disa veti që e bajnë ma letrare e ma mbarëshqiptare se gjuha e miratueme. Së pari asht shum ma e gjanë dhe e pasun. Së dyti ka dimensionin vertikal. Së treti asht gjuha amtare e shumicës, shumicë e cila, nuk ka me e pasë përgjithmonë kompleksin e inferioritetit që i ka injektue diktatura.
    Kam nji haber për ju: standardi ka hy’ në recesion. 90 përqind e përkthimeve që bahen sot meritojnë koshin e plehrave. Dhe në radhë të parë përkthimet filozofike. Fjalëformimi asht pjesa ma e lodhur. A mund të pasunohet nji koine me fjalë si ankimim… Ju halà s’e pranoni se nuk mund të përkthehet filozofia pa ndihmën e paskajores. Dhe sigurisht kur ne fusim paskajoren, atëherë ndryshon krejt regjistri. Fillon pluralizmi… Gazetat nuk e kanë shpallë halà dështimin e tyne. Në kët situatë, kur standardi asht në recesion, gegnishtja që po i dhuron gjak, kërkon dinjitetin e vet. Ajo don t’i lihet asaj muzika, muza, lirika, proza poetike e me radhë. Jepni Çezarit at çka asht e Çezarit, dhe zotit (pra nanës që asht zoti në tokë) jepni atë çka asht e zotit.
    Nuk ka asgjë mistike në këtë mes.
    Kjo asht logjikë diskrete.

  6. Gent Carrabregu
    Tetor 12, 2012

    Pershendetje Astrit,

    Po mundohem qe ne vijim, me gjuhen time te pangjyre e te thate qe mund te te mbese ne fyt (nje gote me uje afer teje ndersa e lexon kete nuk do te ishte ide e keqe), t’i bej drejtesi (per dallim prej teje qe vec te ofendosh di) atyre qe ti ngre ne kete reagim e qe ne vetvete nuk meritojne pergjigje. Une po marr mundin te reagoj, megjithate, per hir te publikut qe e respektoj e qe sherbehet me se miri kur mund te mesoj dicka e jo te degjoje pallavrat e tua prej sofisti letrar qe pretendon, bash si monizmi stalinist i Enver Hoxhes, kunder te cilit e ka gojen plote, se ai e paska monopolin mbi cka na qenka gjuhe shqipe e cka jo, kush na qenka filozof i gjuhes e kush jo, cfare dashka femija e cfare jo.

    Po filloj me Hegelin, meqe aty pretendon qe po ma jep goditjen fatale. Per sa i perket perkthimit ne shqip te vepres se Hegelit, qe ne origjinalin ne gjermanisht mban titullin Phänomenologie des Geistes, e qe ne anglisht e gjen te perkthyer here si Philosophy of Spirit e here si Philosophy of Mind, ti ngutesh shume dhe merr ne thua keq. Te perkthesh kete titull ne shqip si Fenomenologjia e Shpirtit, ne rastin me te mire, eshte kequdhezuese, e ne rastin me te keq, e gabueshme. Pse? Sepse shpirti ne shqip ka nje fushe semantike bukur te percaktuar nga metafizika religjioze: pra, me shpirt ne shqip kuptojme ne radhe te pare entitetin metafizik e teologjik qe definohet ne kontrast me trupin. Po te hapesh librin e Hegelit dhe te shikosh qofte edhe vetem titujt e kapitujve dhe nenkapitujve, e kupton qe ai liber nuk ka te beje fare me kete fare entiteti metafiziko-teologjik. Perkundrazi. Ajo cfare gjen aty eshte shtjellim dhe levrim i dy fushave tradicionale te filozofise: 1) tre kapitujt e pare, pra pjesa e pare e librit, shtjellojne ceshtjen kyce te epistemologjise: pra kushtet e dijes (cfare do te thote te dish, kur mund te thuash qe di dicka), perderisa 2) tre kapitujt e fundit levrojne tema nga antropologjia filozofike dhe historia sociale e njeriut. Per kete arsye, ata qe i japin prioritet pjeses se pare te librit, priren ta perkthejne titullin e librit si Fenomenologjia e Mendjes (Mendesise), duke i dhene keshtu vend te privilegjuar problematikes epistemologjike te pjeses se pare te librit qe ka per synim te jap tregimin dialektit te udhetimit te mendjes drejt dijes se vertete. Keta qe veprojne keshtu thirren edhe ne titullin qe Hegeli ia dha fillimisht kesaj vepre, e qe u paraqit edhe ne botimin e pare ne gjermanisht; titulli ne fjale ne origjinal ishte ky: Wissenschaft der Erfahrung des Bewusstseins, pra Shkenca e Pervojes se Vetedijes. Per me teper, arsyeja tjeter pse Geist mund te perkthehet edhe si Mendje, Vetedije, Mendesi, eshte edhe fakti qe ky term, edhe ashtu, ne gjuhen gjermane ka edhe kete kuptim, perpos qe ka kuptimin e Frymes dhe Shpirtit. Pra e karakterizon nje shumekuptimesi qenesore.

    Tani, shtrohet pyetja, pse nuk gabojme edhe po e perkthyem si Fenomenologjia e Frymes? Dy arsye themelore; e para eshte filozofike dhe tekstuale: sic e thashe me siper, pjesa e dyte e vepres se Hegelit tematikisht bie ne fushen e antropologjise filozofike e sociale te njeriut, historise filozofike te politikes, filozofise se historise, filozofise se religjionit e te artit. Pra ajo eshte nje amalgame temash nga shkencat humane dhe shoqerore. Kjo pjese mundohet te tregoje domosdoshmerine konceptuale te etapave te historise njerezore ne te gjitha dimensionet e saj—histori antropologjike, sociale, politike, kulturore, morale—te cilen Hegeli e karakterizon si veterealizim i nje fryme imanente qe gjendet ne secilen prej ketyre etapave ne nje stad te caktuar zhvillimi e qe kulmon me dijen absolute, qe eshte edhe kapitulli i fundit i librit. Pra, ketu nuk po flitet per shpirtin e historise, por per frymen sekulare te historise njerezore te kuptuar si tendence apo kahje zhvillimore. Rrjedhimisht, ata qe kane dashur te privilegjojne me shume pjesen e dyte—pra pjesen me eklektike te vepres se Hegelit—kane vendosur ta perkthejne titullin si Fenomenlogjia e Frymes, pra si studim i shfaqjes dhe zhvillimit neper historine njerezore te frymes si tendence dominante zhvillimi. E dyta arsye nderlidhet me faktin se Geist mund te perkthehet edhe si fyme, shpirt, apo edhe fantazme. Ndonese Geist mund te perkthehet ne shqip edhe si shpirt, ne kontekstin e mesiperm, ky perkthim eshte krejtesisht joadekuat per shkak se shpirti ne shqip, sic e thashe me siper, ka nje fushe semantike te percaktuar ne mase te madhe nga teologjia, kurse vepra e Hegelit nuk ka te beje me kete fare entiteti teologjik. Fryma nderkaq, ndonese edhe kjo mund te asocioje ne religjion permes Frymes se Shenjte, nuk eshte e percaktuar krejtesisht vetem nga ky kuptim; perkundrazi, fryma ka edhe kuptimin e frymes sekulare te kuptuar si tendence zhvillimore a historike. Ne anglisht, po ashtu, “spirit” ka edhe kuptimin e shpirtit si entitet religjioz, por edhe te Frymes, te kuptuar si tendence levizjeje, pra te kuptuar krejtesisht ne menyre sekulare, si p.sh., kur thuhet qe nje interpretim i nje vepre eshte besnik ndaj frymes (spirit) se autorit, edhe nese jo ndaj germes (letter) se vepres se tij. Prandaj, edhe perkthimi ne anglisht si Phenomenology of Spirit i referohet fushes semantike te dyte, pra asaj te frymes sekulare e jo shpirtit meta-teologjik, edhepse “spirit”, ne nje kontekst tjeter, mund te perkthehej ne shqip edhe si shpirt.

    Se dyti, figura e Hegelit si nje fare filozofi proto-fashist a proto-Stalinist qe shtetin na e barazon me Zotin ne Toke eshte krejtesisht e gabuar. Kjo eshte nje karikature e keqe qe ka kohe qe eshte tejkaluar ne studimet hegeliane. E megjithate, nese ti do vazhdosh dogmatikisht ta besosh kete karikature, eshte pune e jotja. Une, megjithate, nuk ju referova Hegelit si filozof i shtetit kur e citova ne shkrimin tim. Perkundrazi, ju referova pjeses se Fenomenologjise se Frymes ku ai flet per familjen dhe per pamjaftueshmerine esenciale qe e karakterizon ate ne raport me aspiratat e femijes qe do te rritet e zhvillohet duke u socializuar me normat publike. Ti kete pjese e flak tutje dhe shkon tek Hegeli si filozof i shtetit per ta shfrytezuar kete si mundesi per ta karikaturuar ate si proto-fashist a proto-stalinist, me c’rast ben nje gabim te madh, por ky eshte nje muhabet tjeter qe vetem mund te na largoje nga tema.

    Se dyti, une nuk i takoj brezit te shqiptareve te Kosoves qe idealizon diktaturen e Enver Hoxhes a qe e sheh ate si nje fare kulmimi retrospektivisht te arsyetueshem te historise politike shqiptare qe fillon me Rilindjen Kombetare. Prandaj, me vjen keq Astrit, por une t’i prish pak hesapet ne kete aspekt.

    Se treti, problemi i te folures qe reflekton vetem muhabet te varfer politik e qe kontaminon skenen publike shqipe me lajme te servirura nga media te varura pushteti, nuk ka te bej me standardin e shqipes. Te njejten varferi qe ti thua se e gjen ne Tirane mund ta gjesh edhe ne Prishtine e qytete te tjera te Kosoves. Kjo nuk reflekton probleme me standardin por me nivelin e zhvillimit kulturor dhe ekonomik te shqiptareve, i cili, sic e dime, le shume per te deshiruar. Mos e fajeso standardin per deshtime qe nuk i takojne atij.

    Me te mira,
    Genti

    • Matrapapupa
      Tetor 13, 2012

      Gent,
      kam përshtypjen se mund ta thellosh, por jo falë statusit që të jep fakti se ke bibliotekë. E për ma tepër ofendohesh. Ndërkohë që unë nuk tutem nga citatet në gjermanisht. Shpirt dhe frymë janë e njejta gja, pra tash e vendosim ne si ta përkthejmë. Spiritus në latinisht vjen prej frymë. Geist mandej, asht e njejta gja me Ghost, por vetëm ne origjinë.
      Konotacionet që ti i jep fjalës Shpirt, i ka edhe fjala Frymë, madje ma të theksueme.
      Tek zanafilla, thuhet: e fryma e Tënzot ndehej mbi ujëna!
      Në jetën e përditshme, kemi shprehjen: epo fëmija nuk bahet me frymë të shenjtë! Sigurisht, që për me e ndi shqipen, duhesh me dalë nga karaoket e Prishtinës a Tiranës, që vetëm citojnë skaje filozofike, që gjasme i kanë marrë veresie prej gjuhëve të kulturës europiane, të cilat në thelb nuk se i njofin.
      Për dallimin mes Geist e Seele, mundesh me pa’ Konrad Lorenz-in.
      Në greqishten e lashtë skaji ma i afërt me Shpirtin asht mendja ose Psyche, pra, por edhe Psyche-ja ka të bajë (jo vetëm në etimologji) me frymën, ose me shfrymjen, e në shqip kemi pshty ose psherëtij që i afrohen ksaj ‘psy’. Vetëm se, ky skaj asht hipostatizue dhe ka fitue tagër tjetër, tue u binjakëzue me ratio-n.
      Për mendimin tem si përkthyes i vjetër, duhet zgjedhë Shpirt. Edhe pse themi fryma e filozofisë marksiste, ose fryma e parlamentarizmit anglez, ne po nënkuptojmë shpirtin, pra psikologjinë e kësaj filozofie a kësaj rryme juridike, kurse fryma si e tillë asht e induktueme. Fryma, asht ajo që Krijuese i injektoi Adamit prej balte.
      Mos harro se anglezët, i pëkthejnë vazhdimisht Mind konceptet binjake me Psyche-n. Kurse për Shpirtin e Shenjtë thonë Holy Ghost. Sikurse vor-stellung e kanë përkthye shpesh Idea. Kjo asht në koherencë të parimit të tyne për thjeshtim pragmatik.

      Vetëm tek ne standardi konsiderohet epran ndaj varianteve gjuhësore të lëvrueme prej traditës. Brezi jonë, i rritun me liri televizive, e konsideron veten superior ndaj brezave paraardhës, thjesht ngaqë ka ma shum informacion. Mos harro, se shtimi gjeometrik i sasisë së informacionit, në të vërtetë e minimizon deri në mjerin aftësinë për sintezë.
      Në Itali, vend që ka respekt për traditën, nuk ndodh që me të thanë kush se tv-italishtja e sotme, e Berlusconi-it, qenka ma e mirë se ajo e Leopardit, a Machiavelli-t. Por, e din të fortën, edhe këtu ka hy nji shpirt tjetër, mbasi profesorët e rij (të vjetrit s’kishin me e ba kurrë), i këshillojnë studentët italianë, që nëse nuk i kuptojnë këta autorë në italisht, t’i lexojnë ata në anglisht. Dmth, kemi kthimin e logjikës totalitare, pra, peda-gogosi i ri thotë: mue më pruni përmbajtjen, se forma s’ka pikë randësie. Kjo asht biçim-kulturë alla realizëm socialist.
      Peda-gogosët e sotëm janë ata që flasin nga televizori dhe orientojnë mënyrën e jetesës së njerëzve. Këta janë fuerher-at light të sodit. Janë fuerher-a me filtër. Ekrani asht katedra e tyne. Ata ligjërojnë e bajnë ligjin prej aty!
      Dhe nji pjesë e popullit sugjestionohet.
      Ven re, për shembull, sa peshë iu jepet sot nga publiku shqiptar fjalëve bachelor dhe master shkencor, apo p.h.d. Kjo e fundit duket si formula e lumtunisë!
      Këta janë ata që mistifikojnë, jo unë, që thjesht flas për dimensione të gjuhës shqipe.
      E për ma tepër, nuk ka pse me iu djeg, mbasi unë nuk po luftoj me iu marrë territor, as atyne që bajnë si gjuhëtarë, as atyne që bajnë si historianë, as atyne që bajnë si filozofë.
      Unë luftoj thjesht për veprën time dhe ndihem i censuruem qysh në fillim, për shkak se gjuha jonë asht quejtë gjuhë e vdekun. Por unë thom se asht nji gjuhë e vdekun e së ardhmes.

      Kah ana tjetër ti fajëson folësit pse nuk e çojnë nivelin kulturor të diskursit publik. Dakord. Por në fund të fundit, ata kanë dalë prej shkollës shqiptare. Problemi i tokon me qenë i shkollës.
      Mu ma shum se niveli i oratorisë shqiptare, më intereson niveli artistik shqiptar.
      Në muzikë kemi kakofoninë ma të madhe, shì prej mungesës së muzikalitetit që shfaq koineja standarde. Sa mundësi kombinimesh muzikor shfaq nji gjuhë e nxime me ‘ë’-ha?
      Operan shqipe e kishim në gegnisht, kishim jahre dhe arie, nji trashëgimi të tanë e cila asht kthye në arkaike. I vetmi pasunim aktual, asht ‘rap’-i në gegnisht që po kultivojnë kosovarët, e që pëlqet prej tanë shqiptarëve ngado qofshin. Asht i bukur, prandej s’kam ndie kend tue thanë: nuk e kuptoj.
      Aktualiteti zyrtar i festivaleve, mbisundohet nga çirrjet e sforcueme. Tue i pasë zanoret me kimet, kangtari detyrohet me u ndalë dhe me e mbajtë nji çerek ore të tanë nji “o” apo një “i” të gjatë.
      Po kështu kemi poetët spanjollë që të përkthyem në shqip, nuk të kujtojnë kurrkund llojet muzikore që kanë popullatat hispanike e amerikano latine. Edhe kur përkthyesi e ruen rimën, e ruen me bashkëtingëllore dhe me ‘ë’ në fund. Pra nga rimë ABAB del AAAA.
      Ndodh po njisoj në ta ashtuquejtunin recitim: aktor konsiderohet ai që bërtet, ai që i mëshan tekstit me sa mundet.
      Në mbrojtjen e lodhun që i ban koinesë juridike, harron se sa shum çalon ajo në çashtje të përkthimit filozofik, letrar e me radhë. Tue mos pasë paskajoren, si mundesh me dhanë procesin e ngjizjes së koncepteve. Kur skeptiku Montagne, thotë se “me filozofue don me thanë me mësue me vdekë”, kjo nuk mundet kurrsesi me u dhanë me lidhoren “të filozofosh do të thotë të mësosh të vdesësh”, mbasi me filozofue mëtohet me qenë përtej shkasësisë, e pa lidhun, e pavarun.
      Niherit aftësia sintetike e kësaj koineje asht shum e vogël, për mos me thanë e paqenë.
      Njiherit nji koine që nuk ushqehet prej popullit të saj, asht deficitare, pra asht bimë sere, e destinueme me u mbajtë me sforco politike, kështu që ju vazhdoni me ia vu fajin popullit, që gjasme qenka i pacivilizueshëm.

      Këtë mendjemadhësi e kishte diktatura jonë e veçantë, që mendonte se e dinte ma mirë se vetë njerëzit se për çfarë kishin nevojë këta njerëz. Mos harro se diktaturë vjen prej diktim.
      Në kuadrin e kulturës shqiptare, shumica e atyne që kishin në dorë mekanizmat e saj ishin njerëz të lidhun e të përdhiem me politikën, pra vetëm për arsye dijesh nuk ishin nëpër poste. Kjo situatë nuk ka vjet 50 vjet por ka 70. Rezultatet shihen me faktin se përditë e ma shum shkrimtarë po zgjedhin me shkrue në gjuhë të huej.
      Ekziston nji klan që emnon dhe vlerëson vetveten nëpër çmime. Shkrimtarët si Vehbiu janë ba pjesë e heshtun e këtij klani, mbasi nuk e çojnë zanin, kur ky klan vlerëson veten. Dhe tashti kuptohet logjika e këtij muhabeti, ata thjesht po presin radhën.

      Superioriteti i vetëshpallun i ofiqarëve të standardit, kërcet ma shum se askund tek programet e humorit bizantin, ku publiku asiston i ngërdheshun në talljen që katundarët standard-folës i bajnë dialekteve e nëndialekteve të shqipes, nga veriu në jug. Prej kahdo që të jesh, të bajnë me kompleks inferioriteti. Kjo urrejtje ndaj larmisë asht tipike prej satrapësh aziatikë.

      Situata në shkollat e nalta, asht ma e dhimshme. Të paktët fatlumë, arrijnë me kapë ndoj variant me ikë jashtë. Njoh jo pak studentë prej viseve shqiptare jashtë demarkacionit të ’13-s, që vijnë në Tiranë me studiue, ngaqë shpresojnë se aty kemi nji universitet gjithëshqiptarë. Arratisen të fyem e të poshtënuem prej shoqninë së studentëve indigjenë që bajnë si tiphedhësa ngaqë e kanë mirë me peda-gogosët. Në Tiranë asht frikë me hapë libër jo vetëm në klub, por edhe në aulat e akademisë, të parët që të shajnë janë vetë studentët.

      Në kohën tonë kur falë pavarësisë së Kosovës, po ridimensionohet shqiptaria, a nuk duhet ridimensionue tanësisht edhe ekonomia shqiptare, politike e gjuhësore, sikundër duhen ridimensionue të tjerat, shkolla, shteti e me radhë?
      Gjuha nuk ridimensionohet tue pyetë ofiqarët, por ridimensionohet tue puetë popullin e saj, që ia njeh të gjitha dimensionet, ngaqë gjuha asht shpirtnimi i tij.

  7. Borana Lushaj
    Nëntor 9, 2012

    Për sqarim: dialektet e shqipes kanë qenë në periudha të ndryshme inovuese dhe konservative. E vërtetë që gegnishtja ka ruajtur n-në ndër-vokalike, por njësoj edhe dialekti çam ka ruajtur grupet e bashkëtingëlloreve kl (klaj) që është kthyer në qaj në toskërisht dhe në gegnisht, apo për shembull labërishtja që ka ruajtur disa ngjyrime hundore apo gjatësinë e zanoreve njësoj me gegnishten veriore dhe ndryshe nga dialektet e Shqipërisë së mesme. Prandaj argumenta gjuhësorë për supremaci dialektesh nuk ka. Thjesht nuk ka. Ata që mendojnë kështu mund të hidhen përpjetë sa të duan — shkencërisht nuk ka. Sa për standartin, ja edhe një tjetër ekspert gjuhësor, nëse nuk binden të pabindurit. Gjuha ndryshon organikisht, jo me mbajtje flamujsht poshtë e lart. Dhe askush nuk ka vënë kriter që standarti të jetë gjuhë përfaqësuese me pikatore. Jo po të shpikim rrotën nga e para.

    Sikur të mos kishim halle mjaftueshëm ne shqiptarët, po duhet të krijojmë edhe të tjera…

    http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/italo-fortino-standardi-pasuri-si-ta-ndryshojme-gjuhen-131515.html

    Borana Lushaj
    Universiteti i Leiden-it

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: