rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Që çlirimi të mos jetë një formë e re pushtimi

Njërin prej filmave të saj më kontroversialë, “La pelle”, Liliana Cavani e mbyll me një skenë të pështirë. Një banor i Napolit feston çlirimin e Italisë nga aleatët amerikanë pas Luftës së Dytë Botërore. Me të birin në krah e me një flamur kuqebardhë me shumë yje ai i afrohet tankeve i ekzaltuar, bashkë me turmën me gra e burra që falënderojnë çliruesin që i dha fund luftës. Tanket ecin ngadalë e hijerëndë. Një bjonde ngjitet sipër një tanku, puthet me ushtarët. Burri del para tankut me fëmijë në krahë, dhe valëvit flamurin amerikan i ngazëllyer. Befas pengohet, bie – dhe aty Liliana Cavani nuk heziton fare me kumtin pamor – zinxhiri i tankut e shkel, kafka i plas në mënyrë eksplicite, truri bëhet përshesh bashkë me zorrët e me të brendshmet. Mbeten të paprekura gjymtyrët, në të dyja anët e zinxhirit. Turma tronditet, ulërimat nisin, dhe njerëzit vrapojnë të pështirosur, ndërsa Marcello Mastroianni, në rolin e një kapiteni të mbetur nga ushtria perandorake italiane, përpiqet të marrë situatën në dorë.

Nejse. Me fillimin e fushatës elektorale, si pa të keq, lexoj nëpër media e dëgjoj nëpër emisione televizive të artikulohet si alternativë për “çlirimin” e vendit nga “shkatërrimi përfundimtar” një aleancë të mundshme të Edi Ramës me Ilir Metën. Arsyetimi është vetëshprehës dhe vetëpërmbushës – përderisa qëllimi i vetëm është të shkojë Berisha dhe kasta e tij – çdo mjet vlen. Duket se në PS deri diku ky propozim është rehatuar, dhe të rrallë janë zërat që kundërshtojnë fort këtë strategji, prezantuar si e domosdoshme; se s’ke ç’i bën; se politika i ka këto; se kompromisi është çmimi që duhet paguar për zgjidhjen; se as mua s’më pëlqen po si thua ti, të mbajmë Berishën; se edhe ti që kritikon kot bën moral, ça kujton se je…

Hajde pra, supozojmë që Berisha ikën nëse Meta bëhet me PS-në në një koalicion të ri. Por, kush vjen? Cili do të qe përfitimi publik (se përfitim individual mund të ketë shumëkush), nëse ikën një palë të korruptuarish, dhe vjen një palë tjetër? Dhe këtë gjykim moral nuk e bëj në petkat e mia, po në petkat e vetë PS-së. Cila është vlera e shtuar nëse për ta mposhtur korrupsionin zgjedhim ta çojmë atë sërish në qeveri?

PS dhe Rama absolutisht nuk duhet t’i afrohen LSI-së për koalicion. Ky qëndrim duhet të jetë i palëkundshëm te ta, sepse prej denoncimeve ndaj zullumit të LSI-së dhanë jetën katër prej popullit, katër burra familjesh të varfra, në një demonstratë të thirrur nga PS.

Mbajtja larg e kësaj “alternative” do të ishte ndoshta e vetmja prurje politike pozitive në këto zgjedhje, e në rast se PS vërtet i thotë jo këtij opsioni pervers mundet të hapë një diskutim etik krejt tjetër, me potencialin për ta ndryshuar ndoshta krejt diskursin mbi pushtetin (nuk jam duke folur as për të majtën, as për revolucionin – se nuk mendoj që PS-ja është diku pranë ndonjë politike kësisoj – por thjesht për etikën borgjeze, mbi të cilën janë ndërtuar shtetet perëndimore, e cila i bën funksionale institucionet e tyre).

Sepse tashmë njerëzit janë masivisht të zhgënjyer nga partitë që e duan pushtetin si qëllim të vetëm e të fundmë, për partitë që ekzistojnë veç për pushtet, e në pjesën më të madhe të ekzistencës së saj e tillë ka qenë dhe Partia Socialiste. Kjo formë e politikës, ku cilido që mban qeverinë është uzurpator në mënyrën dëftore e cilido që është në opozitë është uzurpator në mënyrën dëshirore, ka lënë pranë partive të mëdha vetëm klientelat – qofshin këto në formën e njerëzve që presin një copë vend pune në administratë, qofshin në formën e biznesmenëve që pretendojnë ca më tepër. Në formën që kanë patur deri tani këto parti kanë sjellë një pjesëmarrje prej 50% të popullatës në zgjedhje, mirëpo kjo nuk mjafton për rilindje kombëtare. Në u dashtë mbërritur ndërrimi i madh, i predikuar mes tweet-esh e mes fjalimesh europianiste atëherë qartësisht duhet një angazhim i gjerë popullor – që të shkojë përtej klientelave. Duhet një angazhim edhe më i madh (në përqindje) se ai që mbërriti Obama në zgjedhjet e 2008 në SHBA (meqë Obamën e mori si shembull dhe Erion Veliaj, në ato që po quhen nëpër blogje “Tezat e Veliajt”).

Ky angazhim nuk do të vijë nëse PS-ja e harron 21 janarin (ashtu siç e harroi Gërdecin në rastin e propozimit të Vishës). Në u bëftë koalicioni me LSI-në, vërtet që Berisha do të bjerë nga pushteti, por çimentohet si përjetësisht i nevojshëm Meta, i cili që prej 2009 filloi të krenohet si kingmaker – dhe në Republikë s’ka nevojë për të tillë. Ky kingmaker që u tregua i aftë të provonte se gjithë shqiptarët kishin nevojë për vizitë mjekësore te okulisti, te otorinoja, te psikiatri dhe te inxhinieri, po mbërriti puna te një tjetër koalicion do të bëjë pazar me partitë e mëdha, duke shkuar me atë që i jep më shumë poste, që do të thotë më shumë korrupsion për sipërmarrjen e tij familjare që mban emrin LSI. Në këso rasti, çlirimi nga Berisha nuk është më çlirim, por pushtim nën ngjyra të tjera.

Çlirimi i tillë do t’i largonte njerëzit, do t’ua pështiroste edhe më tepër politikën, do të shtonte dozën e apatisë edhe pse gjatë festës së çlirimit çlirimtarët do të nxjerrin tanket e veta e do t’ia bëjnë trutë përshesh ndonjërit që nuk di të menaxhojë distancat në ngazëllim e sipër. Por gjithsesi, te filmi i Cavanit, djali që mbante në krahë merhumi që festonte për çlirimin, shpëton i paprekur nga zinxhirët e tankut. Shenjë që mundësia për çlirim, dhe në mos qoftë e thënë kësaj radhe, mbetet aty sa për të vënë në siklet të dorëzuarit…

Autor: Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 29, 2012 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: