rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Paragjykimi ndaj Prometheut

Ndërsa ende jehojnë grahmat e fundit të kërcënimeve të neoliberalizmit, ndërkohë që na kërkohet të përshtatemi me rrobën e ashpër të asketizmës ekonomike, është me vlerë që të reflektohet nëse përvojat e nxjerra prej këtyre dekadave të fundit përmbajnë në vetvete lëndën e parë që duhet për të bërë opozitë efektive.

Qoftë në rastin kur të sunduarit mendojnë për mendimet e sunduesve, qoftë në rastin kur sunduesit përkthejnë mendimet e të sunduarve, një karakteristikë e përbashkët e rivalitetit diskursiv është shfaqja e një lloj parapëlqimi midis ideologjive pro apo anti-sistem. Kjo s’na habit, për sa kohë që format e marrëdhënieve shoqërore i kemi të ri-kodifikuara në teoritë që janë në dispozicion. Pasi u shpall e vdekur epoka e ekstremeve, rendi spontan aq i adhuruar nga marketistët e zellshëm e gjeti kundërshtarin e vet te rezistencat laramane e shumëformëshe të cilat lavdërohen prej atyre që mendojnë se ndryshimit nuk ka pse t’i prijë tranzicioni, dmth. për të arritur ndryshimin, nuk ka nevojë për ndërmjetësim nga pushteti e nga shteti.

Edhe pse linjat gjenealogjike që gërshetohen në kritikën dhe në antagonizmin ndaj status quo-së janë mijëra, do të qe e vështirë të nënvleftësonim masën në të cilën gjuha e së majtës është ende e ndikuar prej efekteve të shtresëzuara të një “Lufte të Ftohtë” intelektuale që ka zgjatur shumë. Censurimi i vullnetit, denoncimi i i shtetit që sheh gjithçka, paralajmërime të zymta për pasojat që vijnë nga rrekja e njeriut për të zotëruar natyrën dhe historinë: shumë prej sendeve më të rëndësishme në dosjen kundër “Perëndisë që dështoi” janë bërë sot reflekse intelektuale, të mvarura e të kudogjendshme. Biles edhe botëkuptime që tjetërqysh janë gjithnjë të papajtueshme – liberalizmi autoritar dhe libertarianizmi subversiv – bien dakord kur rendisin gjithë sëmundjet politike që rrjedhin prej dëshirës “Prometheane” për të kontrolluar destinin kolektiv.

Anti-Prometheanizmi i së djathtës më së shpeshti është i barazvlefshëm me hipokrizinë: Thirrjet Burke-ane për reforma të kujdesshme rrallëherë kanë përbërë pengesë për politikat që synojnë shkatërrimin e zakoneve dhe të përbashkëtave të të shtypurve; ndërsa zulmëmadhi “zvogëlim i shtetit” në fakt ka nënkuptuar thjesht një hipertrofizim të aparatit të tij shtypës, një luftë me intensitet të ulët që nis shteti kundër shoqërisë, në emër të tregjeve.

Anti-prometheanizmi i së majtës, nga ana tjetër, më shpesh është i shënjuar prej melankolisë apo prej iluzionit. Melankolia: ndjesia se emancipimi është një objekt që më mirë të vajtohet si i vdekur, se sa të dëshirohet; me një fjalë parimet tona kanë një çmim që s’mundemi ta përballojmë. Iluzioni: bindja se të pafuqishmit mund të ngadhënjejnë ndaj të fuqishmëve edhe pa u bashkuar e pa u organizuar; bindja se sistemet dhe strukturat që trupëzojnë punët e të gjithë brezave të qëmotmë dhe mbartin vragën e barbarizmave të së shkuarës, mund të braktisen apo të shkatërrohen, e jo të përshtaten, së paku pjesërisht. Të tilla qasje pajtohen, pak a shumë pa vetëdije, me atë parimin thelbësor të kundër-revolucionit, sipas të cilit dhuna politike dhe katastrofat janë pasojë e imponimit të ideve abstrakte (lirisë, barazisë, vëllazërisë…) mbi njerëzimin kompleks e të pabindur.

Prometheanizmi është çështje dijesh, shkalle e qëllimi. E djathta neoliberale e bazon apologjinë që i bën plotfuqisë së tregjeve dhe pamundësisë rrënuese të planifikimit tek fakti se njohuritë tona janë të kufizuara. Duke i refuzuar këndvështrimet e totalitetit (apo mbi totalitetin), ajo gjithashtu nuk i pranon as konceptet moderne të kontrollit politik mbi impaktin dhe qëllimin e vendimeve, përkatësisht figurën e sovranitetit të popullit, edhe pse këtij nocioni ia përkëdhel efektin më helmatisës, që aq shumë e ka përzemër mikro-sociologjia moderne, pra që shkalla prodhohet në lokalitete specifike. Le të konsiderojmë për shembull pushtetin që po demonstrohet aktualisht nga ato terrene të mrekullueshme për prodhimin e efekteve masive shoqërore dhe politike, siç janë agjensitë e renditjes (rating agencies): organizata që ndodhen krejt jashtë kontrollit publik, por që bëjnë të épen dhe parlamente të pushtetshme. Sa i përket qëllimit, mbrojtësit e palodhur të sundimit të tregut kurrë s’kanë për të na kursyer propozimin e ndonjë varianti të ri të harmonisë së paravendosur midis kompulsionit amoral për të akumuluar ç’të dalë përpara dhe nevojave njerëzore, të cilat për të qenë më të leverdishme, katandisen në një repertor të ngushtë kënaqësish për konsumatorë. Sundimi abstrakt e jo-njerëzor mbi formën e vlerës që mat gjithë aktivitetin njerëzor nën imperativin e mbivlerës na paraqitet si i krahasueshëm gjer dhe me më të zbehtën e më të parashikueshmen “vlerë tonën”, për të huazuar ca fjalë nga fjalori i vyshkur politikanëve të sotëm.

Mirëpo ky shoqërizim kaq jetëgjatë që vazhdon të bëhet midis hekatombave të shekullit të njëzetë dhe shtetit, shkencës e socializmit ka bërë që lamtumirat më të sinqerta e më hidhëruese ndaj ambicieve prometeane të lindin pikërisht prej progresistëve që kanë humbur shpresën te progresi e që zotohen, kush më shumë e kush më pak i bindur, se përmirësimi do kohë. Në të tillë epokë të parimeve parandaluese e të efekteve të paparashikuara të bëhet i natyrshëm përjetimi i dijes totalizuese si një lajmëtare katastrofash, sidomos kur ajo vjen e gërshetuar me një vizion që e pajis me telos historinë apo njerëzimin. Në vend që të hetohen arsyet pse shtypet vazhdimisht çdo iniciativë popullore për kontroll apo çdo praktikë demokratike që del jashtë konfirmimit periodik të një qytetarie të paqtuar e pasive, janë shndërruar në objekte hetimi vetë kolektiviteti e kontrolli. Ata që refuzojnë të zhvishen nga çdo lloj entuziazmi për politikën vazhdojnë të projektojnë kryengritje të pambarimta, fuqi konstitutive që nuk konstituohen kurrë, ndërprerje që kurrë nuk bëhen prelud vazhdimësish pak më të ndritshme.

Por forcat dhe fraksionet ndërvepruese që janë përgjegjëse për linjat e dominimit aktual nuk mbeten kurrë pas kur vjen puna për të organizuar në pika e në stacione lokale që ndërthuren strategjikisht në rrjete të gjera e të komplikuara. Nëse vazhdon të jetë gjallë mirazhi i reformistit, që e sheh shtetin si locus-in e vetëm të rezistencës sociale kundër kapitalit, atëherë vazhdon të jetë gjallë edhe miti se pavarësisht mjeteve të luftës sociale, që janë asimetrike sa s’ka ku të vejë, degëzimet amorfe të një shumësie të pakoordinuar do t’ia dilnin në një farë mënyre t’i bënin ballë infrastrukturës sklerotike të pushtetit. Pa marrë kontrollin mbi modalitetet e prodhimit e të riprodhimit, bashkëpunimi është gjithnjë bashkëpunim në të mirë të kapitalit, dhe bashkësia s’është tjetër veç një filtër, një eksternalitet pozitiv që socializon kostot e mënyrave më direkte të shfrytëzimit. Nën qeverisjen aktuale, anarkia gjithnjë do të jetë anarki e rreme e tregjeve, ndërsa rendi “spontan” gjithnjë do të bëjë çmos që mjetet t’i kthehen pronarëve legjitimë, siç ka molloisur dikur një kapitalist amerikan mbi pasojat e krizës.

Në një botë ku njeriu është shndërruar krejtësisht në një agjent gjeologjik që shijon (dhe vuan) nivele të ndryshme të integrimit logjistik dhe të aftësisë teknike, të tilla që dhe stakanovistët e qëmotit do t’i bënte të zbeheshin, mund të shtrojmë pyetjen “mos vallë ky common-sense kaq i përhapur anti-prometean shpreh në fakt një mospranim të rrezikshëm, apo një urtësi të fituar gjatë kohëve të vështira”? Problemet e anti-prometeanizmit bëhen veçanërisht akute po të konsiderojmë faktin se ky këndvështrim tashmë është rritur në gradë e është bërë shtojcë ideologjike e katastrofizmit ambiental. Ironia e predikamentit tonë të tanishëm përcillet bukur nga koniunktura mes retorikës së shpërhapur që na thotë se duhet të mësojmë të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin, se progresivizmi dhe produktivizmi duhen braktisur, në njërën anë, dhe në anën tjetër shtimit të begatë të praktikave dhe propozimeve për një qeverisje, rregullim dhe kontroll planetar – të atij lloji që vazhdimisht i delegohet funksionarëve të një konsensusi të detyrueshëm, atyre që kanë për detyrë të ndryshojnë gjithçka në mënyrë që të mos ndryshojë asgjë (apo, në na mësoftë për ndonjë gjë fiaskoja e Kopenhagenit, të mos ndryshojnë asgjë në mënyrë që të ndryshojë gjithçka…). Nocioni i përhapur gjerësisht se jemi duke i ndërmarrë veprimet nën presionin e kohës dhe se akrepi na provokon vazhdimisht, nga urgjenca në urgjencë e nga pritja në pritje, e mbështet në mënyrë të padukshme e të dëmshme abdikimin prej idesë së kontrollit kolektiv. Nga ana e pushtetit të etabluar ky nocion çon në një praktikë të menaxhimit të krizës, e cila duke filluar nga moratoria-t dhëmbërëna e duke vazhduar me vlerësimin me kredite ndotjesh nëpër harta rrugore apo me procese paqtimi, është një prej përbërësve kryesorë të vetë katastrofës. Mes forcave të opozitës, kur kjo e fundit nuk këshillon kompromise ekologjike edhe më të kalbura se kompromiset historike të pleqve, ky nocion mëkon ithtarë të survivalizmit antipolitik, apo shpresa të keqvendosura tek virtytet post-politike të “shoqërisë civile”.

Si në ekonomi, ashtu edhe në ekologji a gjeopolitikë, kjo gjendje mpirëse e krijuar prej ankthit dhe mobilizimit impotent shërben për të mbrojtur edhe më shumë strukturat e pushtetit dhe të akumulimit të cilat e shkaktojnë dhe e ushqejnë krizën, duke demoralizuar dhe depolitizuar një popullsi të zhveshur nga prona që në rastin më të mirë do t’i pranojë shtrëngesat, do t’i riciklojë e do të përshtatet me to. Mirëpo qortimet legjitime që i janë bërë Leviatanit modern na kanë mësuar se pa kulturat opozitare ankthi i urgjencave ose ka pjellë një shpresë të dëshpëruar tek virtytet gjallëruese që sjell kolapsi, ose ka sjellë një tërheqje nëpër enklava që me gjasë rreken të vizatojnë një të ardhme që s’kanë fuqi ta sjellin në jetë. Por duhet të mbajmë në mend se barbarizmi ka shumë më pak gjasa të përshpejtojë emancipimin, madje edhe më pak se vetë ato parti e ato shtete që me barbarizmat e tyre tani po mbysin çdo kushtrim, sado i brishtë, që thërret për organizim dhe centralizëm. E ndërsa organizimi i përmasave të vogla me raste mund të jetë dhe i bukur, mposhtja dhe pakuptimësia nuk janë të tilla.

Ndërsa anti-Prometheanizmi i së djathtës i shmanget haptazi analizës së pushtetit të stërfryrë të parasë, klasës dhe financës si dhe përqendrimit politik dhe centralizimit të këtij pushteti në pikat kyçe, anti-Prometheanizmi i së majtës merret me sendërgjimin (reificatio) e kontekstit dhe përmbajtjes historike të kontrollit. Duke huazuar prej kritikës së dobët që i bëhej religjionit në fund të shekullit XIX, ky i fundit ecën kundër Shtetit, Teknologjisë, Progresit dhe Historisë, a thua se do i ndëshkojë këto me të njëjtin zell drejtësie që dikur mund të mohohej Zoti, e gjithsesi, sërish, për hir të një lirie të keqpërkufizuar e për hir të singularitetit. Por problemi është se në një botë tashmë tejetej të hominizuar, në këtë “anthropocen” aspak mikpritës, madje çnjerëzor, një politikë totalizuese e aftë që të prodhojë vizionin e kontrollit kolektiv, mbetet një kërkesë e pamohueshme për të vazhduar emancipimin. Tërheqja, ndarja, qoftë dhe ndërprerja – dmth. revoltat e konceptuara jo si momente të pashmangshme po si qëllim në vetvete – zor se do të lënë ndonjë gjurmë në radarët e sunduesve.

Një Promethe i ri s’ka nevojë hiç të marrë formën e “Princit Modern”, apo të partisë, nëse këtë të fundit e shohim si një podium komandues apo si një qendër që mbikqyr çdo këshill, çdo shoqatë a çdo formë organizative. Kontrolli kolektiv duhet të përfshijë në vetvete kontrollin, dhe të “risjellë” në përdorim atë sloganin e rëndësishëm të delegimit nëpër komuna e nëpër soviete, nëpër instancat e pashmangshme të centralizimit. Qofshin në horizont reformat radikale, qoftë revolucioni, sfiduesit e sistemit nuk mund të bëjnë ndryshe veçse t’i marrin përsipër rreziqet e Prometheanizmit, pa i bërë asnjë lloj apologjie pushtetit shtetëror, as mirazhit primitivist survivalist. Në radhë të parë duhet që zakoni i pavetëdijshëm i shoqërizimit të korrupsionit të pushtetit me ca elementë që duken si të pa-lidhur me njëri-tjetrin – mundësinë e dhunës, shtimin e burokracisë, mekanizimin e jetës – t’i lërë vend angazhimit në marrëdhëniet e kontrollit dhe në format sociale. Të paralajmërosh për rreziqet që sjell Prometheanizmi në një kohë kur përvoja e përditshme e shumicës dërrmuese është përvojë çorientimi, pafuqie dhe dritëshkurtësie – pra një përvojë ku dija, shkalla dhe qëllimi janë larguar prej njëra-tjetrës – do të thotë të biesh dakord me ushtrimin e pushtetit në terrenet e tij të zakonshme dhe nga aktorët e përhershëm, në atë amalgamë të veçantë anarkie dhe despotizmi që shënon qeverisjen e kapitalit dhe për kapitalin.

Për mirë apo për keq bota ku jetojmë është një shtresëzim i stërmadh sundimesh, bëmat e njerëzve në shekuj janë ngurtësuar dhe kanë formuar infrastrukturat masive që kanalizojnë jetët tona përditë, që kanalizojnë proceset natyrore që janë njëkohësisht të pabindura e të nënshtruara, që kanalizojnë një akumulim të gjerë përfundimesh, arritjesh dhe dështimesh të cilat janë krejt të ndryshme nga ç’parashikohej në planet origjinale, në rastet kur ka patur plane. Në këtë këndvështrim, sot cilado politikë që nuk është thjesht një garniturë e flashkët e shpronësimit dhe e degradimit, qoftë kjo politikë besnike e reformave të dhimbshme, qoftë besnike e konservimit me çdo kusht, apo e revolucionit komprehensiv, nuk mundet të mos përballet me problemin “Promethean”, atë të shprehjes së veprimit e të dijes në perspektivën e totalitetit. Për sa kohë Prometheun e shohim si “shenjtin e martirin më të përndritur në kalendarin filozofik”, si emblemë të refuzimit të shërbimit ndaj pushtetit të fuqive abstrakte e të tëhuajzuara (Perëndisë, Shtetit, Parasë, Kapitalit), atëherë fjala “Promethean” duhet të jetë një epitet për t’u krenuar gjithë ata që e konsiderojnë revolucionin jo so një lidhje pasionale me ndonjë shkëndijë mohimi apo me diçka tjetër, por si një proces i zhbërjes së formave sociale abstrakte që shtrydhin e përulësojnë aftësitë njerëzore, si proces i zhbërjes së agjensive politike që e imponojnë këtë shtrydhje e këtë përulje.

Autori: Alberto Toscano

Shënim: Theksimet me germa korsive a të zeza janë të përkthyesit

Perktheu: A.Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 27, 2012 nga te Dialektikë, Përkthim dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: